Sam Allardyce trajner i Anglisë

Trajneri i Sunderland, Sam Allardyce do të jetë trajneri i ri i përfaqësueses angleze. Sipas mediave britanike, drejtuesit e Federatës angleze praktikisht e kanë marrë vendimin, ndërsa mungon vetëm zyrtarizimi, që pritet të bëhet në orët në vazhdim. Bordi i FA-së e ka miratuar vendimin, ndërsa tashmë pritet vetëm ratifikimi i 61-vjeçarit si pasardhës i Roy Hodgson në krye të stolit të “Tre Luanëve”.
Sam Allardyce që në karrierë ka drejtuar West Ham, Newcastle, Bolton dhe Notts County, u takua me krerët e Federatës angleze gjatë javës së kaluar, ndërsa ai fitoi garën me trajnerin e Hull City-t, Steve Bruce.
Pengesa e vetme për t’u kaluar mbetet shifra me të cilën do të dëmshpërblehet klubi i Sunderland-it, me të cilin trajneri ka edhe një vit të mbetur në kontratë, pasi gjatë sezonit të kaluar arriti të siguronte mbijetesën në Premier League vetëm në javët e fundit të kampionatit.
Të paktën deri në gjetjen e një zgjidhjeje që do të kënaqë të gjitha palët, në “Stadiumin e Dritës” pretendojnë se Allardyce vazhdon të jetë trajneri i “Maceve të zeza”, megjithatë drejtuesit e Sunderland-it kanë nisur të marrin masat dhe janë gati të emërojnë David Moyes në krye të stolit.
Skuadra përfaqësuese e Argjentinës ende nuk e ka gjetur trajnerin e saj. Së fundmi në vendin amerikanolatin është hedhur ideja që në stol të jetë Diego Pablo Simeone, sigurisht pa e shkëputur nga Atletico Madrid. “Simeone mund të bëjë si detyrën e trajnerit të klubit ashtu edhe atë në përfaqësuese”, tha një prej zyrtarëve të qeverisë argjentinase, Fernando Marin. “Nëse këtë e bëjnë futbollistët që luajnë në Europë, edhe për Simeonen kjo është diçka e realizueshme”. Problemet që ka Federata argjentinase për gjetjen e një trajneri janë të njëjtat që ka edhe Spanja.
Në vendin amerikanolatin nuk është zgjedhur ende presidenti i këtij institucioni, ndërkohë që nuk ka një datë të saktë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Një situatë, e cila e komplikon çështjen e zgjedhjes së trajnerit të kombëtares që pas pak më shumë se një muaji do të luajë ndeshjet e radhës së eliminatoreve të Botërorit 2018.

Artikulli paraprakPogba shitje rekord
Artikulli tjetërRey Manaj i lumtur te Pescara