Rusisë i intereson Siria jo Asad

“Longitude”

Më 12 shkurt 2012, kur lufta civile në Siri ishte akoma në fillimet e saj, Rusia i propozoi Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës që të punonin së bashku për një zgjidhje të negociuar të krizës. Moska do të mbështeste një dalje nga skena të Bashar al-Asadit, në shkëmbim të njohjes së rolit të saj në rregullimin e ardhshëm të vendit, aleat historik i saj në Lindje të Mesme. Episodi është treguar nga ish-Presidenti finlandez, Marti Ahtisari, fitues i Çmimit Nobel për Paqen, që kishte shërbyer si ndërmjetës i propozimit. Të tre vendet perëndimore e lanë ofertën të bjerë. Pse? Sepse, siç më tha në mënyrë brutale, por efikase Zvi Magen, një ekspert i njohur izraelian i çështjeve ndërkombëtare që e kisha takuar në Tel Aviv, se, “amerikanët e duan Sirinë falas”. Në fakt, me Francën dhe Britaninë e Madhe, qenë të bindur se rënia e Asadit ishte tashmë çështje e mbyllur dhe se mund të arrihej pa i ceduar asgjë interesave të Sirisë. Sot mund të llogarisim sa i gabuar ishte ky kalkulim, sa viktima dhe shkatërrime u ka kushtuar sirianëve dhe sa destabilizim ka sjellë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në botë.
Në të vërtetë, kjo qasje shpërfillëse ishte pjesë e një strategjie më të përgjithshme ndaj Lindjes së Mesme të inauguruar nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit. Në mënyrë të deklaruar e nënkuptuar për të luftuar terrorizmin e markës islamike dhe mbrojtësit e tij, kjo politikë e re e jashtme ka qenë e shoqëruar nga një fushatë ideologjike për “eksportimin e demokracisë”, në të cilën theksi vihej mbi “regime change”, domethënë mbi përmbysjen e qeverive që nuk përmbushnin – sipas gjykimit të amerikanëve – standardet e respektimit të të drejtave të njeriut. Sot, në largësinë e më shumë se një dekade, mund të shikojmë se rezultati afatgjatë i kësaj kthese ka qenë destabilizimi i pjesës më të madhe të shteteve të Lindjes së Mesme: Irak, Egjipt (gjatë sezonit të Vëllazërisë Myslimane në pushtet), Libi, Siri. Moment kyç i këtij procesi kanë qenë “pranverat arabe”, që kanë bërë të bien si shishe njëri pas tjetrit krerë shtetesh të shumtë të botës arabe. Por përmbysjen e këtyre “tiranëve” – diktatorë brutalë e të paskrupull, por që deri në atë moment kishin garantuar rendin dhe një laicitet të caktuar të shteteve të tyre – e ka pasuar jo edhe aq liria, por më shumë kaosi dhe përhapja e islamit më radikal.
Kjo politikë – është minimumi që mund të thuhet – nuk i ka arritur sukseset e premtuara. Për më tepër, trazirat në rritje në zonat e interesuara ka provokuar edhe një rrëshqitje graduale në orientime të opinionit publik perëndimor, sot shumë më pak i favorshëm nga dje për t’ia dhënë konsensusin e tij operacioneve të regime change. Megjithëse e paguar shtrenjtë, ka qenë një leksion realizmi politik. Më shumë se çdo ngjarje tjetër, kaosi libian ka kontribuar për t’u hapur sytë atyre që, ndoshta në mënyrë naive, kishin menduar se ishte e mjaftueshme të rrëzoheshin regjime autoritare për të pasur një botë më të mirë, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat. Si për t’ia vulosur gjykimin, lidhur me aventurën në Libi ka ardhur në fund autokritika e Barak Obamës në intervistën tashmë të famshme tek “The Atlantic”. Por është sidomos në Siri që janë akumuluar gradualisht elementët për një rimendim të thellë të qasjes së ndjekur për vite me radhë nga Perëndimi. Një efekt të rëndësishëm e ka pasur dalja në skenë e Shtetit Islamik, kur të gjithë kanë mundur të shohin me sytë e tyre tmerret që qenë në gjendje të kryenin forcat që luftonin regjimin e Damaskut. Shteti Islamik ka bërë evidente se në Siri nuk ishte në zhvillim një luftë midis të mirëve dhe të këqinjve, por një luftë civile e përgjakshme, me mizori nga të dyja palët – një luftë civile, për më tepër, e ushqyer nga ambiciet rajonale e shteteve si Turqia e Arabia Saudite nga njëra anë dhe Irani nga ana tjetër.
Por ka qenë ndërhyrja e ushtrisë ruse në shtator të 2015 ajo që ka ndryshuar krejtësisht situatën ushtarake në terren dhe bashkë me të, edhe kartat gjeopolitike të kokëçarjes siriane. Moska ka ndërhyrë kur regjimi i Damaskut dukej në pragun e disfatës. Për këtë arsye përparësi në operacionet ushtarake u është dhënë bombardimeve në perëndim të vendit, duke goditur kryesisht milicitë e Jabhat al Nusra dhe grupe të tjera që përfaqësonin një rrezik më imediat, duke e lënë për një moment të dytë luftën kundër Shtetit Islamik. Nga pikëpamja ushtarake, rezultatet kanë qenë të konsiderueshme. Qeveria siriane është mbledhur; zona bregdetare që shkon nga Damasku në Alep, ajo me dendësi më të madhe popullsie, është vënë praktikisht nën siguri; një pjesë e territoreve të humbura është kthyer nën kontrollin e besnikërve ndaj qeverisë; shumë prej linjave të furnizimit për rebelët, që kalonin nëpërmjet kufirit turk, janë ndërprerë.

Projekte pushtimi të Sirisë nga Turqia e Arabia

Dislokimi imponues i forcave ajrore, raketore e detare ka bllokuar qysh në lindje projektet e Turqisë dhe të Arabisë Saudite për të pushtuar territorin sirian. Me pak fjalë, ndërhyrja ruse ka përmbysur ecurinë e luftës, duke i ndryshuar raportet e forcës në terren. Veç të tjerash, Moska ka zbuluar se posedon resurse të paparashikuara në kryerjen e shpejtë dhe efikase të një lufte moderne, duke u kthyer për herë të parë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik që të luajë një rol prej fuqie të madhe në skenarin vendimtar të Lindjes së Mesme.
Duke ndërhyrë me forcat e veta të armatosura, një shtet merr mbi vete rreziqe të mëdha. Teatrot luftarakë janë plot me të papritura, e para nga të gjitha ajo e ngecjes dhe e sfilitjes në një situatë pa rrugëdalje. Për këtë arsye, qysh nga fillimi, përkrah objektivit ushtarak (konsolidimit të regjimit të Damaskut, goditjes së milicive rebele), aksioni rus ka propozuar një objektiv politik: favorizimin e një zgjidhjeje të negociuar të luftës civile. Siç dihet, një zgjidhje e negociuar mund të ndiqet me ndonjë perspektivë suksesi vetëm nëse asnjëra nga palët në konflikt mund të shpresojë në një fitore ushtarake të plotë. Me të dyja lëvizjet e “befasishme” të saj, Moska ka synuar në këtë rezultat: fillimisht ka siguruar, të paktën për momentin, pushtetin e Bashar al-Asadit dhe më pas, me shpalljen e “tërheqjes” së saj nga Siria, ka bërë të ditur se Kremlini nuk është i gatshëm ta ndihmojë Asadin në arritjen e një fitoreje ushtarake totale dhe se për rusët opsioni i vetëm realist mbetet tryeza e bisedimeve. Duke u distancuar disi nga aleati i saj – të cilit nuk i ka pëlqyer disa iniciativa që pengojnë kompromisin, si mbajtja unilaterale e zgjedhjeve të reja parlamentare (13 prill) dhe që ka shpallur se synon të “rimarrë të gjithë territorin sirian” – Rusia ka fituar edhe kredite si interlokutor i disa subjekteve të rëndësishme rajonale: Izrael dhe Arabi Saudite.
Gjithsesi, Rusia nuk do të largohet: lë baza dhe ushtarë dhe për të shmangur keqkuptimet, ka kujtuar se trupat e saj janë të gatshme të kthehen në forcë “brenda 24 orëve”. Moska është impenjuar që të respektohet armëpushimi në fuqi nga 27 shkurti, por bëhet fjalë për një armëpushim selektiv, në të cilin nuk kanë aderuar grupe të ndryshme rebelësh (më të ndjeshmit ndaj presioneve amerikane), por që përjashton milicitë Al Nusra dhe të Shtetit Islamik.

Si mund të rrëzohet Al-Bagdadi

Kundër këtyre milicive, të etiketuara si “terroriste”, luftimet vazhdojnë dhe e kemi parë në rimarrjen e Palmirës dhe në betejën e Alepit. Nga ana tjetër, nga pikëpamja politiko–ushtarake, mbesin situata kritike, sidomos në kufirin me Turqinë, e vendosur që ta pengojë, edhe me forcën e armëve, avancimin e kurdëve që i kërkojnë territor Shtetit Islamik. Dhe sidomos mbetet ky i fundit, i dobësuar, por jo i mundur. Në fakt, një humbje përfundimtare e grupit të Al-Bagdadit nuk mund të sigurohet më pa një zgjidhje politike të përgjithshme, në të cilën të marrin pjesë të gjithë aktorët rajonalë, zgjidhje e arritshme vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Kjo ishte dhe mbetet pika kyçe e krizës komplekse siriane. Është e vërtetë se secili prej subjekteve rajonale të përfshira (Iran, Turqi, Arabi Saudite, sunitë, shiitë, kurdë) ndjek objektivat e veta politikë, por liria e manovrimit të tyre do të rezultonte drastikisht e reduktuar në prani të një marrëveshjeje midis dy fuqive të mëdha, të cilave u takon përgjegjësia kryesore për t’i dhënë fund luftës dhe për të gjetur një rregullim të ri të qëndrueshëm në rajon. Nga ana tjetër, pikërisht falë këtij “ndërkombëtarizimi” të krizës, që ia ka dhënë fjalën e fundit Uashingtonit dhe Moskës, sot mund të shikojmë me një çikë më shumë optimizëm në perspektivat e konfliktit sirian. Bashkëpunimi midis amerikanëve dhe rusëve ka dhënë tashmë një rezultat të rëndësishëm: armëpushimi, i imponuar ndaj aleatëve të tyre të zhurmshëm, deri më tani pak a shumë ka qëndruar në fronte të ndryshme, pavarësisht skepticizmit fillestar.
Nuk është hera e parë që një marrëveshje midis Uashingtonit dhe Moskës prodhon rezultate të rëndësishme në skenën siriane: qysh në shtator të 2013, në një moment mjaft delikat të konfliktit, bashkëpunimi midis rusëve dhe amerikanëve, në këmbim të shkatërrimit të arsenalit kimik të Damaskut, mundësoi që të ndalej në momentin e fundit ndërhyrja e armatosur e Perëndimit, që ka mundësi do të shkaktonte në Siri një skenar të tipit libian. Por pika më premtuese e kuptimit reciprok midis dy vendeve është arritur në rastin e udhëtimit të kohëve të fundit në Moskë të Xhon Kerrit (24 mars). Atmosfera e bisedimeve është përshkruar si “shumë e përzemërt”: Kerri ka folur 4 orë me Sergei Lavrovin, 4 orë me Vladimir Putinin dhe nga të dyja palët, pavarësisht divergjencave permanente, nuk kanë munguar fjalë publike vlerësimi për rolin “konstruktiv” të luajtur nga partnerët respektivë.
Në qoftë se mendohet për kritikat e ashpra që patën ardhur nga Uashingtoni në momentin e ndërhyrjes ruse në Siri, takimi i Moskës ka regjistruar pikërisht lidhur me dosjen siriane një klimë bashkëpunimi të pazakontë. Përtej shumë sinjaleve çtensionuese, nga takimi ka dalë edhe diçka që ngjan, megjithëse ende në fazë embrionale, me një “road map” për t’ju afruar paqes. Të dyja palët kanë nxitur qeverinë e Damaskut dhe opozitën që të futen në “bisedime të drejtpërdrejta” dhe kanë rënë dakord lidhur me nevojën për të arritur brenda muajit gusht në një rishkrim të Kushtetutës siriane dhe nisjes së një procesi tranzicioni me pjesëmarrjen si të forcave aktualisht në pushtet, ashtu edhe forcave të opozitës.
Natyrisht, mbetet përçarja themelore lidhur me fatin e Asadit: për amerikanët duhet të largohet, kurse për rusët u takon sirianëve të vendosin se nga kush duan të zgjidhen. Por edhe lidhur me këtë pikë pozicionet janë dukur më pak të papajueshëm. Ka që nënvizojnë sesi Rusia është e interesuar më shumë për integritetin e shtetit sirian sesa për qëndrimin në pushtet të Asadit dhe se një Kushtetutë e re, ndoshta duke i garantuar Presidentit një rol përfaqësimi simbolik më shumë sesa pushtet ekzekutiv mund të ofrojë ndonjë rrugëdalje me të cilën askush mos të turpërohet. Nga ana tjetër, diçka në Damask duket se po lëviz: dokumenti me të cilin disa personalitete alavite me autoritet kanë hartuar kohët e fundit për një Siri të tërë dhe pluraliste, duke u distancuar përkohësisht nga Asadi, është vlerësuar padyshim, edhe në Moskë, nga kush punon për një zgjidhje kompromisi.
Më në përgjithësi, me fushatën e saj efikase siriane, Rusia ka arritur të çmarkohet nga izolimi në të cilin e kishte shtrënguar kriza ukrainase dhe ka demonstruar se është një interlokutor ndërkombëtar nga i cili nuk mund të shmangesh lehtë. “Do të ishte naive të pritej një ‘Ukrainë në këmbim të Sirisë’”, ka shkruar në “Financial Times” Fjodor Lukjanov, specialist i njohur i politikës së jashtme ruse, “por nuk ka dyshim se sot Moska merret seriozisht më shumë se 6 muaj më parë dhe kjo do të ketë një impakt mbi negociatat ukrainase”. Jemi ende shumë larg nga një “çtensionim” midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i të cilit është pengesë moskuptimi i thellë që i ka rrënjët e saj në perceptimin e rezultatit të Luftës së Ftohtë: për amerikanët ajo luftë është “fituar” dhe kjo u jep atyre të drejtën që të ngrenë një rend botëror të mbështetur mbi hegjemoninë e një fuqie të madhe të vetme, duke e degdisur Rusinë në një orbitë rajonale; për rusët nuk ka pasur as fitimtarë, as të mundur, gjë që i autorizon të pretendojnë një partneritet të barabartë, të mbështetur mbi respektimin e interesave gjeopolitike respektive. Është një distancë shumë e madhe për t’u mbushur dhe asnjë “reset” i ri nuk shihet në horizont. Por kriza siriane është aty për të treguar sesi ka probleme që mund të zgjidhen vetëm me një dialog midis Uashingtonit dhe Moskës.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakE ka transformuar Trumpi Amerikën?
Artikulli tjetërBasha me FMN: Situata ekonomike, dramatike, droga për blerje votash