Rusia në vigjilje të zgjedhjeve

Mandati i tretë i Putin po shkon drejt fundit dhe askush nuk ushqen dyshime lidhur me atë se cili do të jetë rezultati i votimeve të 18 marsit. Duke qenë tashmë më shumë se një President i thjeshtë, një figurë historike dhe simbolike, pa kurrfarë dyshimi do të rizgjidhet dhe do të nisë ajo që, në respektim të Kushtetutës, duhet të jetë mandati i tij i fundit. Në këtë rast kushtorja është e detyrueshme për faktin se, mbetet e hapur mundësia e një modifikimi kushtetues që mund t’i mundësojë që të garojë sërish për postin. Duke qenë rezultati i votimeve tejet i ditur, preokupimi nga ana e Kremlinit në vigjilje të zgjedhjeve rritet gjithnjë e më shumë në raport me një të dhënë tjetër, domethënë pjesëmarrjen në votime. Zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Rusi në vitin 2016 kanë treguar në fakt një të dhënë preokupuese: pjesëmarrja e përgjithshme është llogaritur pak nën 50% dhe, në kryeqytet, ka votuar vetëm 28% e popullsisë. Objektivi që është vënë për këto presidenciale përfaqësohet nga formula 70/70, domethënë 70% pjesëmarrja dhe 70% në favor të Putinit dhe në këto momente, sipas statistikave të fundit, do të arrinte një 65%. Preokupimi lidhur me përqindjen e pjesëmarrjes shfaq atë që është një problem themelor për vendin, domethënë atë të “Managed Democracy”, sipas të cilit, pavarësisht se zgjedhjet janë formalisht të lira, mbahen me rregull, ka parti të ndryshme në konkurrencë njëra me tjetrën dhe një përplasje me ide dhe programe, ato nuk janë realisht demokratike.

Sistemi partiak rus është i privuar nga elementi konkurrues, për faktin se mungon një opozitë politike e organizuar dhe e institucionalizuar, që e bën të pamundur alternimin e votës. Kësaj i shtohet fakti që procesi politik është tërësisht i kontrolluar nga një sistem i fortë, autoritar dhe i centralizuar, në të cilin nevoja për stabilitet dhe rregull arrihet në kurriz të konkurrencës politike, në pikën që është arritur të flitet për “autoritarizëm elektoral”. Në këtë konteks demokracie jo të pjekur, figura kryesore që tashmë të gjithë e njohin përfaqësohet nga Presidenti aktual, i cili preferohet në mënyrë pasive nga shumica e rusëve në një situatë të paqartë që do të krijohej pa të. Por problemi aktual, siç e kemi nënvizuar, përbëhet nga fakti se Putini është tashmë gjithnjë e më shumë një figurë historike, që tenton ta çojë përpara vendin, duke ruajtur statuskuonë dhe duke mos kryer ndryshime domethënëse, në veçanti në sferën e brendshme, në të cilën tashmë qysh nga 2014 asistohet në një vakuum pushteti, për sa vëmendja drejtohet kryesisht nga politika e jashtme dhe e sigurisë, duke i lënë krejtësisht pasdore tematikat e brendshme. Kësaj i bashkohet fakti që regjimi po fillon të modifikohet, me qëllim që të mbijetojë, kur Presidenti nuk do të mundet më të rikandidojë, duke kërkuar që të forcojë institucionet e veta dhe duke e bërë figurën e tij gjithnjë e më pak ndikuese. Ky proces e ka pasur fillimin në 2014, kur pushteti real ka filluar të dalë nga institucionet formale të qeverisë, duke u përqendruar në duart e figurave të jashtme dhe që veprojnë “në hije”. Ky proces e ka arritur kulmin e tij nga 2016, kur ka ndodhur ndryshimi më i madh i personelit politik i tri mandateve të Putinit, me vendosjen e një klase të re politike, e përbërë tërësisht nga teknokratë, të rinj dhe të kontrollueshëm. Me anë të këtij veprimi, Putini ka shfaqur vullnetin se preferon një klasë efikase dhe lehtësisht të menaxhueshme, që do të mund ta ringrinte Rusinë në vijim të krizës gjeopolitike dhe të qeverisë të 2014, duke zëvendësuar shumë anëtarë të establishmentit që qenë kundër rritjes së konkurrencës me Perëndimin.

Qysh atëherë, regjimi ka nisur t’i përshtatet asaj që do të jetë apo që duhet të jetë epoka pasPutin, dhe, sot, Presidenti të fillojë ta humbasë pushtetin e tij në favor të kësaj klase të re emergjente, që në vite është bërë gjithnjë e më e pavarur dhe më e emancipuar.
Shenjë kryesore e depolitizimit të sistemit dhe e nisjes drejt një shkalle gjithnjë e më të lartë tekniciteti është për disa zgjedhja e Putinit për të kandiduar si i pavarur. Por, pasi ta kemi pasyqruar shkurtimisht kuadrin në të cilin mbahen zgjedhjet, duhet analizuar se cili është konkretisht skenari politiko – partiak që ka ardhur, duke u krijuar në muajt e fundit, duke paraqitur atë që është një prej problemeve të mëdha të Rusisë, të cilin tashmë e kemi cekur, domethënë ai i mungesës të një opozite të vërtetë, konkrete dhe të institucionalizuar.
Faktikisht në vend është e pranishme ajo që quhet “opozitë sistemike”, domethënë një opozitë që është e tillë vetëm si fasadë, por që për hir të së vërtetës pranon në mënyrë pasive politikat e regjimit ka ju kundërvënë realisht. Bëjnw pjesë në këtë tip të parë opozite të gjithë ata që janë konsideruar apo kanë qenë konsideruar në vitet e fundit partitë e mëdha përkrah Rusisë së Bashkuar. Domethënë CPRF-ja (Partia Komuniste), e frymëzuar nga nacionalizmi sovjetik bashkuar me patriotizmin rus, që në vitet e pushtetit të Putinit i është kundërvënë qeverisë, por pa arritur ta përplaset realisht kundër figurës së Presidentit dhe sidomos, duke mbështeur pjesën më të madhe të ligjeve të propozuar nga mazhoranca dhe LDPR-ja, domethënë partia liberale, nacionaliste dhe me tipare populiste, që ka votuar gjithmonë në linjë me regjimin. Për Partinë Komuniste duket interesante figura e Pavel Grudinin, self made-man dhe pronar i një kompanie kolektive jashtëzakonisht produktive dhe në të cilën garantohen të drejta dhe rroga të larta për punëtorët, që përfaqëson një risi në atë që ishte tashmë një parti tashmë e plakur dhe pak tërheqëse. Figurë karizmatike dhe e famshme në internet, Grudinin do të jetë mjaft i dobishëm për të rritur pjesëmarrjen, falë edhe faktit që paraqitet si i vetmi në gjendje që të risjellë në vendin socializmin e markës moderne. Për partinë e dytë kandidati për presidencën është Vladimir Zhirinovsky, kandidat në presidencialet e 1991, kur hodhi sloganin “Vodkë falas për të gjithë”, figurë ultranacionaliste në favor të një regjimi të sigurisë ushtarake dhe të një lufte të ashpër kundër korrupsionit. Këtyre të dyve u bashkangjitet SR-ja (Rusia e Drejtë), domethënë Partia Socialdemokrate, që ka provuar të stabilizohet si përfaqësuese e qendrës së majtë, pa ja dalë realisht, dhe që do të kandidojë ish-anëtarin e Ushtrisë së Kuqe, Sergey Mironov.

Gjithmonë pjesë e opozitës sistemike, edhe pse shumë herë i ka refuzuar akuzat që do ta paraqisnin si mjet për të thithur vota, është kandidatja më e famshme e këtyre zgjedhjeve Ksenia Sobchak, prezantuese televizive dhe kandidate me Iniciativën Civile, parti liberale. Në këtë aspekt, flitet për një figurë kyçe, pasi përveçse është një prej dy femrave në historinë ruse që kandidon në zgjedhje, është edhe një prej fytyrave më të njohura në Rusi. Vajza e ish-kryebashkiakut të Shën Petërsburgut, Anatoly Sobchak, mentor politik i Putinit, akuzohet nga shumë se është pjesë e strategjisë së Kremlinit për të tërhequr shumë vota dhe se është, njëkohësisht, një kanal i shkëlqyer hutimi për elektoratin urban e progresist, pavarësisht se ajo vazhdon të theksojë se është “kundër të gjithëve”. Opozitës sistemike i bashkangjitet ose të paktën do të duhej t’i bashkangjitej ajo antisistemike, domethënë ajo reale, por që aktualisht kaotike dhe e çorganizuar, duke mos arritur gjatë protestave të 2011 për mashtrimet e supozuara për zgjedhjet e Dumës që të nxjerrë një program të përbashkët dhe, për pasojë, të institucionalizohet. Kështu, opozita e vetme e vërtetë e mbetur do të ishte ajo e përfaqësuar nga që sipas thënieve të shumë njerëzve është politikani i vetëm i pavarur ekzistues në Rusi, domethënë Navalny, por që deri më sot ka arritur të sigurojë një ndjekje të konsiderueshme vetëm në qytetet e mëdha dhe nuk ka zhvilluar akoma një program koherent dhe të realizueshëm. Veç kësaj, është deklaruar si jo i zgjedhshëm më 17 tetor 2017 për shkak të disa dënimeve që i rëndojnë, pavarësisht se si CEDU-ja në 2013, ashtu edhe Komisioni Europian pak muaj më parë, kanë nënvizuar shumë herë se bëhet fjalë për dënime dhe procese jo të drejta dhe, ka mundësi, politikisht të motivuara. Në fakt, strategjia e regjimit ndaj tij ka qenë ajo e shmangies që ta paraqesë si viktimë të sistemit, duke shmangur që ta persekutojë në mënyrë të hapur, nëpërmjet një obstruksionizmi perament dhe duke e injoruar publikisht. Megjithatë, pavarësisht kësaj, popullariteti i tij në këto muaj është rritur, ka lindur përreth figurës së tij një rrjet i dendur rajonal i përbërë nga mijëra vullnetarë dhe përgatitet, në të gjitha aspektet, që të jetë një figurë kyçe në vitet e ardhshme, sidomos për zgjedhjet e 2024. Kështu që tani nuk mbetet vetëm se të presim të dhënat që do të regjistrohen më 18 mars dhe të shikojmë, qysh të nesërmen se cili do të jetë drejtimi që do të marrë regjimi për t’u përgatitur për mandatin e fundit e Liderit të Madh.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakGjithçka falas që na kushton shumë shtrenjtë
Artikulli tjetër‘Gunvor’ që takoi Rama financues i fushatës së Putin