Rusia e Serbia planifikuan atentat ndaj Gjukanoviçit

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka bërë të ditur se Rusia ka qenë e përfshirë në atentatin e dështuar ndaj tij në ditën e zgjedhjeve parlamentare. Duke folur për mediat vendase ai tha se ngjarja e 16 Tetorit, gjatë së cilës u arrestuan 20 persona, “Ka një lidhje të fortë me një faktor të jashtëm”. Mes të arrestuarve ishte edhe një ish-komandant i forcave speciale të policisë në Serbi.
Grupi në fjalë dyshohet se po planifikonte sulme ndaj vetë kryeministrit, por edhe mbështetësve të tij, menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve parlamentare të shpallej. Rusia ka kundërshtuar me forcë përpjekjen e Malit të Zi për t’iu bashkuar NATO-s, ndërkohë që edhe udhëheqësit opozitarë të vendit kanë bërë vizita të shpeshta në Moskë gjatë kohëve të fundit.
Gjukanoviç premtoi gjithashtu se autoritetet e vendit do të hetojnë shkallën e përfshirjes në atentatin e dyshuar, qoftë të Rusisë por edhe të Serbisë. Partia e tij fitoi zgjedhjet, megjithatë asaj do t’i nevojiten partnerë koalicioni për të vijuar qeverisjen e vendit.
Reagimi i kryeministrit malazez vjen një ditë pas konferencës për shtyp të homologut serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se shërbime të ndryshme sekrete nga Perëndimi dhe nga Lindja janë përplasur në territorin e këtij shteti.

Artikulli paraprakLideri global në Prishtinë
Artikulli tjetërFaqja e pare