Ruli: Rama një lider dizastër, tre kartelet që kontrollon

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli e ka konsideruar kryeministrin Edi Rama si një lider dizastër dhe problematik. Ai theksoi se Rama është lidhur me kriminelët, një veprim që nuk ka ndodhur në 25 vite. Ruli tha gjatë emisionit “Këndi i ekselencës” në “News 24”, se në Shqipëri funksionojnë sot tri kartele të fuqishme, ai politik, i drogës dhe ekonomik. Ai deklaron se në këtë situatë ku ndodhet Shqipëria sot dhe me këtë qeveri, zgjedhje të lira nuk mund të zhvillohen. “Si lider është dizastër, është problematik. Nuk mund të pretendojmë se liderët tanë do të jenë si politikanët e huaj, pasi kanë lindur këtu dhe janë rritur këtu. Në këto 4 vite është kulmuar lidhja e politikës me kriminelët. Sot funksionojnë tri kartele. Karteli politik, karteli i drogës dhe karteli ekonomik i një grushti të vogël njerëzish, të cilët janë të lidhur me Ramën”, deklaroi deputeti demokrat. Sa i përket krijimit të qeverisë teknike, Ruli u shpreh besimplotë se kjo do të realizohet.  “Qeveria ka njohur qeveri tranzicionale derisa të kalohet në pozita më të besueshme. Nuk bëhesh dot për 20 vite europian, Europa ka pas një histori 400-vjeçare. Nuk duhet të jemi pesimistë, progres kemi bërë shumë. Por çfarë kemi në lëkurën tonë historike, do na pengojë shumë. Në Shqipëri ka shumë mosbesimin për institucionin e zgjedhjeve. Në këtë situatë ku jemi është e pamundur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk mund të flasim për rezultatin e zgjedhjeve, pasi ky nuk dihet. Por pavarësisht pritshmërive, nuk mund të ketë zgjedhje me këtë situatë, ku duken qartë fijet e krijuara mes qeverisë dhe krimit” thekson Ruli.

– A është shumë i vështirë për t’u kuptuar tatimi mbi të ardhurat?
Nuk besoj se është kjo. Më 2003 kur donim të fusnim tatimin mbi vlerën e shtuar, kam shkuar në Parlament, në mbledhjen e grupit, deputetët ishin më kërkues atëherë dhe kërkonin t’i kuptonin më mirë gjërat, mora një tabelë të zezë dhe kam shpjeguar çdo gjë me detaje. Tatimi kryesor në të gjithë botën është tatimi mbi të ardhurat. Kurse te ne ndodh e kundërta, tatimi kryesor është mbi vlerën e shtuar, pra TVSH.

– Ju jeni ndër ministrat më jetëgjatë në periudhën e tranzicionit. Cili ka qenë çelësi i këtij suksesi?
Dikur karriera politike përcaktohej nga partia, ndonëse ngaqë ishin kontestues të atij regjimi. Pjesa më e madhe vinin nga jeta akademike. E imja ishte një futje rastësore në politikë, jo se ishte larg ideve të mia apo botëkuptimit tim. Në fillim ndjeva sikur më propozuan diçka të turpshme. Thoja me vete: Për këtë u përpoqëm ne për t’u bërë ministra? Ndaj e kam refuzuar për një muaj rresht. Por pastaj kthehet në detyrim, se në fund të fundit kush do ta bënte, ne ishim. Duhet padyshim vullneti dhe pasioni. Nuk më ftoi njeri në PD, unë jam ndër themeluesit e PD.

– Ju jeni liberal përsa i përket taksimit?
PD është një parti antikomuniste, edhe si parti liberale. Kjo është edhe në përputhje me mentalitetin tim, kulturën time, nëse do të kthehesha pas jam i bindur që do të gjendesha në të njëjtën zgjidhje, në të njëjtat shkallë. Asnjëherë s’ka liri absolute, kufizohesh nga vetvetja, nga të tjerët, nga ajo që dominon.

– Mund t’i thoni arsyet pse u larguar më 1997 nga PD dhe çfarë ju bindi për t’u kthyer më 2005?
Kryesisht ka qenë kriza e filluar më 1996. Unë kam dhënë dorëheqjen si ministër atëherë, kanë qenë mosdakordësitë e mia me Berishën. Kishim dy mentalitete të ndryshme, të cilat shkonin në konflikt. Në atë kohë jam larguar, pati edhe mënyra të përjashtimit. Në një mbledhje të Këshillit Kombëtar më 1996 një grup deputetësh propozuam një zgjidhje politike që situata mos shkonte në konflikt, siç edhe shkoi, por kjo nuk u pëlqye nga Berisha. Kemi një qenë një grup deputetësh, Dashamir Shehi, Tomorr Dosti, etj. Unë i qëndrova larg politikës në ato vite. Kam qenë në Shqipëri në atë kohë, kam drejtuar një institut. Më 2005 duke menduar se mjaft gjëra kishin ndryshuar edhe në qëndrimin e lidershipit të PD është e nevojshëm të bëhej një ndryshim politik dhe iu bashkova asaj kauze me zgjidhjen time, me bindjen time.

– Si e shihni punën e Berishës? Të Bashës?
E vlerësoj punën e Berishës. Është shumë i përkushtuar në punën e tij. Futet në zyrë që në mëngjes dhe realizon ato që i vendos vetes. Kritik është karakteri i tij dominues, ndërsa Basha është një politikan i ri, maturues, ka të bëjë edhe me tipin. Unë nuk dua të jem pjesë e një butaforie politike, me këto batuta e replika që nuk i pëlqej.

– Si e vlerësoni lidershipin e Ramës?
Si lider është dizaster. Si njeri e njoh. Kemi qenë shok e miq bashkë. Si lider nuk më pëlqen. Këta persona janë të lindur e rritur këtu, por kur bëhen lider nuk dëgjojnë e nuk kuptojnë më. Kjo politikë që është sot me të metat e saj nuk është pjellë alienësh, por pjellë e kësaj toke, e këtij mentaliteti. Janë defektet e politikanëve që dëmtojnë shoqërinë, por edhe shoqëria ka ndikimin e saj që krijon këtë klasë politikanësh. Nga mënyra si i duartrokasim, i servilosemi apo i shpartallojmë.

– PD tashmë po kërkon një qeveri teknike, si do të realizohet kjo?
Qeveria ka njohur qeveri tranzicionale derisa të kalohet në pozita më të besueshme. Nuk bëhesh dot për 20 vite europian, Europa ka pas një histori 400-vjeçare. Nuk duhet të jemi pesimistë, progres kemi bërë shumë. Por çfarë kemi në lëkurën tonë historike, do na pengojë shumë. Në Shqipëri ka shumë mosbesimin për institucionin e zgjedhjeve. Në këtë situatë ku jemi është e pamundur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk mund të flasim për rezultatin e zgjedhjeve, pasi ky nuk dihet. Por pavarësisht pritshmërive, nuk mund të ketë zgjedhje me këtë situatë, ku duken qartë fijet e krijuara mes qeverisë dhe krimit. Janë krijuar kartele të rrezikshme, nga njëra anë është politika, nga ana tjetër droga, dhe një tjetër grupim i lidhur me Ramën.

– Shumë shpejt mbaron afati për zgjedhjen e Presidentit. Cili do jetë qëndrimi i PD?
Nuk mbetet vendi pa president. Më e vështirë është të zgjidhet një deputet sesa një President. Ndryshimet kushtetuese e kanë bërë këtë situatë.

– E miratoi PD…
Bashkë me Partinë Socialiste. Dhe rreziku më i madh në këto vite është roli që ka kreu i qeverisë në këtë vend. Që të ecë normalisht politika duhet të ketë balancim të pushteteve.

– Si ndikon në PD qëndrimi i ndërkombëtarëve?
Jo vetëm brenda PD, por edhe më gjerë është shfaqur një lloj sjellje fëminore në këto qëndrime. Vihet re një lloj servilizmi.

– Ku do të jeni ju në këto zgjedhje?
Nuk e kam vendosur ende ku do të jem, a do të jem apo jo. Unë përgjithësisht kam qenë deputet i zonave të vështira. Nëse do të angazhohem do të jem sërish në një zonë të vështirë. Tani po e them me sinqeritet, mund të vazhdoj, mund të mos vazhdoj.

Artikulli paraprakBashkimi demokristian dhe “Kaubojsi” me opozitën: Betejë për zgjedhje të lira
Artikulli tjetërAnçeloti i zhgënjyer me arbitrin