Rritje e re e çmimit të energjisë për bizneset

Qeveria do të rrisë sërish çmimin e energjisë elektrike për bizneset gjatë vitit të ardhshëm. Ende ERE është në fazën e përcaktimit se sa do të jetë rritja, por parashikohet që të jetë një rritje e fortë e këtij produkti. Rritja e çmimit të energjisë pritet të rrisë kostot e biznesit. Por si gjithmonë në të tilla raste biznesi e kalon faturën e rritjes së çmimeve tek konsumatorët. Indirekt shqiptarët do të vuajnë kështu një rritje të çmimit të energjisë elektrike, të cilën ata do ta paguajnë në çdo produkt që do të blejnë në treg.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për përcaktimin e një çmimi të ri për bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt, i cili do të jetë më i lartë se aktuali.
Çmimet e reja, që do të hyjnë në fuqi vitin që vjen, do të jenë të vlefshme për bizneset që nuk do të gjejnë një furnizues të ri. Ligji i ri i energjisë i detyron këto biznese të dalin nga rrjeti publik i furnizimit në datën 1 janar të vitit që vjen. Por nëse ato dështojnë të gjejnë një furnizues të ri dhe do të vijojnë të përdorin OSHEE si mundësi të fundit, do të paguajnë energjinë me një çmim më të lartë.
Aktualisht janë evidentuar 82 konsumatorë të mëdhenj të energjisë nga rrjeti 35 kv, të cilët sapo të pajisen me sistemin e ri matës, do të nxirren në tregun e lirë të energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut.
Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese, deri në krijimin e Bursës së Energjisë, duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë dhe lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë, ata kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.
Bizneset do të jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësire, pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji me çmim 120 euro megavatori, siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.
Këshilltarja e ministrit të Energjisë, Entela Cipa, duke komentuar këtë çështje pak kohë më parë, tha se ka më shumë gjasa që çmimi i energjisë të ulet pas liberalizimit të tregut. Ajo thotë se vendi po shton çdo ditë kapacitetet e furnizimit dhe linjat e transmetimit gjithashtu. Në këto kushte, konkurrenca në treg do të rritet e për rrjedhojë, kjo do të shtojë presionin në uljen e çmimeve, thotë ajo.
Gjithsesi, edhe pas liberalizimit të tregut, bizneset rrezikohen nga furnizimi me energji. Operatori i Shpërndarjes do të mbajë përgjegjësinë e furnizuesit më të fundit. Kjo do të thotë se, nëse një nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dështojë të gjejë furnizuesin në tregun e lirë, atëherë OSHEE do të vijojë të furnizojë. Por në këtë rast ndryshon kushti për çmimin, i cili do të jetë më i lartë. Gjithsesi, tarifat do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë duke marrë në konsideratë analizën e kostove.

Artikulli paraprakMendes: James nuk largohet nga Reali
Artikulli tjetërKoncesioni i Bashkisë, terminali për autobusët