Rritja e papunësisë në Shqipëri nuk ndalet

Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të dytë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate në Bashkimin Europian. Raporti thekson se rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, edhe pse me një ritëm më të moderuar, duke u ngadalësuar në pothuajse të gjitha vendet, por sidomos në Serbi, e cila është ekonomia më e madhe në rajon. Megjithatë, investimet dhe konsumi privat vijuan të mbështesin rritjen në rajon. Pozicionet e jashtme kanë mbetur të dobëta, teksa deficiti i llogarisë korente u zgjerua në shumicën e vendeve. Zgjerimi ekonomik çoi në krijimin e mëtejshëm të vendeve të punës dhe normat e papunësisë kanë vazhduar të ulen në shumicën e vendeve, por ato mbeten të larta në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht progresit të mëtejshëm në konsolidimin fiskal, nivelet e borxhit publik, ende të larta, në shumicën e vendeve të rajonit mbeten një shkak për shqetësim. Raporti thekson se në mënyrë specifike, Shqipëria dhe Serbia po regjistrojnë ende normat më të larta të kredive të këqija në rajon, në 17.4% dhe 16.8% përkatësisht, të ndjekura nga Bosnja dhe Hercegovina (11.5%) dhe Mali i Zi (9.9%). Mes një situate ende sfiduese të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor, rimëkëmbja e vazhdueshme ekonomike ka çuar në rritje të mëtejshme në nivelet e punësimit, edhe pse ritmi i krijimit të vendeve të punës u ngadalësua në disa vende. Në tremujorin e parë të vitit 2017, rritja vjetore e punësimit është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin e kaluar në Shqipëri (nga 5.5% në 2.8%) dhe Serbi (nga 5.8% në 3.2%). Në anën tjetër, rritja e vendeve të punës u përshpejtua në Mal të Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke kontribuar në një normë mesatare të rritjes të punës në Ballkanin Perëndimor në 3% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit 2017. Për të njëjtën periudhë, rritja në nivelet e punësimit ka kontribuar në uljen e shkallës së papunësisë në shumicën e vendeve të rajonit, në raport me një vit më parë. Rënia ishte veçanërisht e rëndësishme (më shumë se 2 pikë përqindje) në Serbi dhe Shqipëri.

Artikulli paraprakDemokratët, nesër votojnë Kryetarin
Artikulli tjetërZekthi: Si funksionoi mekanizmi i blerjes së votave