Rritet numri i turistëve të huaj në Turqi

Përpjekjet për grusht shteti, kërcënime terroriste dhe vazhdimisht përleshje verbale mes përfaqësuesve të qeverisë gjermane dhe asaj turke – kush dëshiron të shkojë ende në Turqi në këto rrethana? Përgjigjja është befasuese: shumë. Ministria turke e Kulturës dhe e Turizmit prezantoi së fundi të dhënat për pranverën. Përfundimi: në prill 2017 kishte pasur përsëri për herë të parë që nga viti 2015 më shumë turistë; në krahasim me fillimin e vitit, numri i turistëve është rritur me gati 20 për qind.
Përveç rusëve janë tradicionalisht kryesisht gjermanët që përbëjnë shumicën e turistëve në Turqi. Sipas Shoqatës gjermane të Turizmit, janë sidomos familjet që preferojnë ofertat all inclusive në bregdetin turk. Shumë hotele kanë investuar shumë në këtë drejtim. Dhe shteti e ka zgjeruar shumë infrastrukturën turistike dhe atë rrugore.
Turizmi është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë turke. Ai sjell rreth 13% të prodhimit bruto të vendit. Sulmet në fillim të vitit 2016 në Stamboll, ku gjetën vdekjen edhe gjermanë, si dhe përpjekja për grusht shteti shkaktuan një rënie prej 40% të të ardhurave nga turizmi.

Çmimet e favorshme
Pasi presidenti rus e shfuqizoi urdhrin e ndalimit të avionëve rusë çarter për të shkuar në Turqi numri i turistëve rusë është pesëfishuar deri në pranverën e këtij viti. Vendimi për ndalimin e avionëve rusë çarter për të shkuar në Turqi qe marrë pas qëllimit të një avioni ushtarak rus nga trupat turke.
Sipas Shoqatës gjermane të Turizmit shtimi i numrit të turistëve gjermanë lidhet sigurisht me çmimet e favorshme dhe me raportin e mirë mes çmimit dhe shërbimit.

Artikulli paraprakShqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni
Artikulli tjetërGjermania: Loja me “zjarrin” e Erdoganit