Rritet importi, vaj palme me shumicë në supermarkete

Importet e vajit të palmës në fund të 2016 arritën mbi 2.7 milionë kilogramë, duke u rritur me 10.5% krahasuar me një vit më parë, duke arritur një nivel rekord. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë për një tendencë të fortë rritjeje të paktën që nga viti 2014, kur importet regjistruan vlerën 984 mijë kilogram.
Bazuar në statistikat e popullsisë, konsumi i vajit të palmës arriti në gati 1 kg për frymë në vitin 2016, nga vetëm 20 gram për frymë që llogaritej në vitin 2000. Importi i vajit të palmës ka shënuar rritje të fortë që pas vitit 2006, duke rënë vetëm një vit, në 2014-ën.

Vendet nga importojmë

Por cilat janë vendet nga ku Shqipëria importon vajin e palmës. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë se 38% e këtij produkti importohet nga Malajzia kurse nga Indonezia vjen të paktën 36% e totalit. Një peshë më të ulët zënë importet nga Greqia me 22 për qind dhe në fund Italia me vetëm 4 për qind.
Statistikat globale tregojnë se, Malajzia dhe Indonezia llogariten për rreth 90% të prodhimit global të vajit të palmës dhe eksporteve, të favorizuara nga shirat tropikale.

Për çfarë përdoret

Vaji i palmës dhe fraksionet e saj janë të njohura në një seri sektorësh. Nga studime të ndryshme që janë bërë në botë është dalë në përfundimin se të paktën 50% e artikujve në raftet e marketeve kanë në përbërje vajin e palmës ose njërin nga fraksione e tij.
Lista e sektorëve që e përdorin këtë produkt është e gjatë dhe nis nga zinxhiri i ushqimit të shpejtë, produktet e kozmetikës dhe të kujdesit ndaj vetes, energji, ushqimi i kafshëve, në farmaceutikë, industria e shërbimit dhe industria ushqimore.
Gjithsesi në çdo rast në paketimet e ushqimeve apo produkteve që kanë përmbajtje të vajtit të palmës bëhet me dije përmbajtja duke i lënë në dorë konsumatorit zgjedhjen nëse do ta konsumojë apo jo.

Precedenti me vajin e palmës në Shqipëri

Gjatë këtij viti u hap një debat i gjerë për përdorimin e vajit të palmës në produktet të bulmetit të prodhuara në Shqipëri. Nga analizimi i mostrave të disa produkteve rezultoi që përmbajtja në vaj palme të ishte dukshëm i lartë çka vuri në lëvizje institucionet në vend.
Po që nga koha e kësaj fushate e deri më tani nuk është dhënë ndonjë detaj mbi pretendimet e ngritura në treg për përdorim të lartë të vajit të palmës.

Efektet e vajit të palmës

Vaji i palmës është dy llojesh, i prodhuar nga fruti i palmës dhe i prodhuar nga fara e frutit.
Në të dyja rastet, vaji i palmës ka disa efekte tipike për të cilat mjekët herë pas herë rekomandojnë gjetjen e vajrave më të shëndetshëm.
Ka me dhjetëra studime që ngrenë teza mbi efektet negative, por shfaqja më tipike lidhet me faktin që vaji i palmës ju bën të shtoni më shumë kilogram, ka më shumë kalori dhe yndyrë, mund të rrisë nivelet e kolesterolit.
Por ashtu siç ka efekte negative nëse përdoret në formën e tij më të mirë dhe me përmasa të moderuara mund të ketë edhe përfitime pozitive shëndetësore.

Pse është i dëmshëm vaji i palmës për shëndetin

Vaji i palmës është i dëmshëm për shëndetin tonë. Një studim italian ka shfaqur rezultatet e tij për mediat. Më poshtë janë arsyet se përse duhet ta shmangim këtë produkt ushqimor. Tashmë nuk mjafton asnjë lloj justifikimi: konsumimi i ushqimeve që përmbajnë vaj palme çon në pasoja të mëdha për shëndetin. Konfirmimi i fundit vjen nga një studim italian. Sipas Universitetit të Barit, Padovës dhe të Pisës, në bashkëpunim me Shoqërinë Italiane të Diabetit, vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit të cilat prodhojnë insulinë. Ai shkakton dëme të pariparueshme në trup. Në fakt, vaji i palmës gjendet në shumë produkte që konsumohen kryesisht në mëngjes, sidomos në biskota dhe drithëra të përziera me ëmbëltues. Në studimin e sjellë nga Francesco Giorgino, profesor i Universitetit të Barit, del në pah se vaji i palmës vepron drejtpërdrejt te qelizat beta, duke i shkatërruar ato. Për pasojë insulina nuk prodhohet në sasi të mjaftueshme.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërA mund të rikthehet regjimi i vizave?