Rriten normat e interesit për kreditë në lekë

Për bizneset, që kanë marrë kredi në banka në janar, huaja ka qenë më e shtrenjtë, si në lekë ashtu dhe në euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit e huave të reja në lekë për korporata jofinanciare publike dhe private në lekë ishte 7.51%, nga rekordi minimal i 5.32% që kishin zbritur në dhjetor. Rritjen më të madhe e ka shënuar kredia për blerje pajisjesh nga 6.52% në 7.94%. Pozitiv është fakti që huatë e reja për çelje biznesi gjatë muajit janar kanë rënë në 6.8%, nga 7.47% një vit më parë. Në rënie të ndjeshme ka qenë dhe huaja për biznese për pasuritë e paluajtshme nga 6.04% në 5.45%. Edhe për kreditë për biznesin në dollarë ka pasur një rritje të interesave nga 5.69% në dhjetor në 6.95 në janar. Në euro interesat janë ulur lehtë nga 4.98 në 4.72%. Ndonëse interesat, sidomos ato në lekë janë afër minimumeve historike, kredidhënia për ekonominë mbetet e dobët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit ishte 546.7 miliardë lekë nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë. Reduktimi i huasë rezulton të ketë ardhur tërësisht nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Sipas statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017, ra me 6.3% në 286 miliardë lekë. Në të kundërt, huaja në lekë është gjallëruar. Kredia në lekë është rritur me gati 9% me bazë vjetore në janar, për të arritur në 258.7 miliardë lekë.

Artikulli paraprak21.2 milionë euro nga paratë tona për mirëmbajtjen e rrugëve
Artikulli tjetërAlarm para Italisë!