Rriten çmimet, produktet e shportës shndërrohen në luks

Çmimet e artikujve bazë të shportës janë rritur mbi mesataren e përgjithshme gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT më 2017, çmimet e peshkut, vezëve, bulmetit u rritën mbi 3-4%, teksa mesatarja e përgjithshme e ndryshimit të çmimeve në tregje ishte 2%.
Çmimet e perimeve dhe zarzavateve, edhe vitin e kaluar u rritën me ritme dyshifrore me rreth 11% secila, por në ndryshim nga viti i kaluar u vu re një rritje e çmimeve të peshkut, me 4.5%, bulmetit dhe vezëve me 3.3%, ushqimet e tjera industriale me mbi 4%. Më 2016, ritmi i rritjes së çmimeve në këto grupe ishte shumë më i ulët (shih grafikun).
Teksa niveli i inflacionit ka vijuar të rritet me ritme të ngadalta vitin e kaluar, disa produkte të shportës së ushqimeve janë rritur me ritme më të shpejta. Banka e Shqipërisë ka qëllim të ruajë një ritëm mesatar të rritjes së çmimeve me 3% në vit, por në disa artikuj bazë të shportës ky nivel është tejkaluar me shpenzime më të larta për të njëjtët artikuj në të gjithë popullsinë e vendit edhe ata në nevojë.
Për shkak të rritjes së çmimeve në artikujt bazë të shportës, kequshqyerja ka fituar terren më tej. Të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm.

Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO), për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri, prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10% të popullsisë totale.
Rritja e çmimeve këtë vit do të ishte më e fortë, por forcimi i lekut përtej trendit normal ka amortizuar dukshëm çmimet e importit. Banka e Shqipërisë, duke bërë një analizë të detajuar të zhvillimeve, arriti në përfundimin se presionet inflacioniste janë frenuar për shkak të sjelljes mbiçmuese të monedhës vendase, duke reduktuar inflacionin total mesatarisht me 0.2 pikë përqindje, gjatë periudhës janar 2016 – qershor 2017.
Sipas metodologjisë së Eurostat, Shqipëria ka mbajtur vendet e para në rang europian për ritmet e rritjes së çmimeve në vitin 2017, sidomos në grupin e ushqimeve. Sipas metodës së Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur mbi 7% gjatë vitit të kaluar.
Çmimet e mallrave të konsumit janë rritur me ritme më të larta gjatë vitit 2017. Sipas INSTAT rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2017 është 2,0% nga 1,3% që ishte në vitin 2016.
Ndërsa në muajin dhjetor 2017 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,8%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2%.
Duke marrë në konsideratë deklaratat e përmuajshme të INSTAT përgjatë gjithë vitit 2017, rolin kryesor në rritjen e inflacionit e ka pasur ndryshimi i çmimeve të ushqimeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve ka përbërë më shumë se 80 për qind të inflacionit vjetor.

Artikulli paraprakGrabitje 1 milion euro në Itali, arrestohet “Drakula” shqiptar
Artikulli tjetërBien nga “qielli” mbi 3 tonë flori (Foto)