Rrahmani shënon gol

Amir Rrahmani nderon Dinamon e Zagrebit në kampionat me gjigantët kroatë që fituan 2-0 ndaj Slaven Belupos vetëm pak ditë përpara ndeshjes së kthimit ndaj Skënderbeut në play-offin e Europa League, falë edhe një goli të mbrojtësit të përfaqësues së Kosovës. Amir Rrahmani fitoi derbin shqiptar ndaj Bruno Telushit, ndërkohë që Dinamo e Zagrebit kryeson e vetme kampionatin kroat me 16 pikë pas 6 javëve të para. Në stadiumin “Maksimir”, skuadra e Mario Cvitanoviç kishte si kundërshtarë dy lojtarë që sezonin e kaluar ishin pjesë e kampionatit shqiptar, mesfushorin Bruno Telushi dhe sulmuesin Pero Pejiç, të cilët e nisën sfidën që nga fillimi.
Megjithatë ai që spikati në këtë takim ishte qëndërmbrojtësi i Kosovës, Rrahmani që në ndeshjen e tij të parë si titullar me Dinamon në këtë sezon la shenjë duke shënuar golin e dytë dhe atë të qetësisë për skuadrën nga Zagrebi. Pak ndryshime në formacionin titullar të Dinamos krahasuar me ndeshjen e të enjtes së kaluar ndaj Skënderbeut. Vendasit zhbllokuan shifrat falë një goditjeje të bukur nga distanca të Fiolic në minutën e 20-të, me portierin mik që nuk kishte asnjë shans për të reaguar.
Në të 66-tën, i shërbyer nga Fiolic, Rrahmani goditi saktë me kokë duke dyfishuar shifrat dhe duke vulosur fitoren e Dinamos që me këtë sukses paralajmëroi në një farë mënyre Skënderbeun se në “Elbasan Arena” do të luajë vetëm për kualifikimin. Në këtë sfidë nuk ishin as në stol dy lojtarët më të rëndësishëm talenti Ante Coriç dhe sulmuesi algjerian Soudani. Sipas klubit nga Zagrebi të dy lojtarët po riaftësohen nga dëmtimet respektive, por mungesa e Coriç të bën të mendosh se ylli i Dinamos, i cili u zëvendësua që në pjesën e parë në sfidën ndaj Skënderbeut ka probleme me trajnerit Cvitanoviç. Ndërkohë edhe pse në kampin e Dinamos te shpresojnë te rikuperimi në kohë i sulmuesit Soudani për ndeshjen ndaj korçarëve, ende asgjë nuk është e sigurtë.
Amir Rrahmani është shprehur i lumtur me golin e shënuar në fitoren e Dinamos ndaj Slaven. Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, çdo ditë e më shumë po bind me aftësitë e tij te Dinamo. Ky ishte goli i parë i Rrahmanit në Ligë në Kroaci me fanellën e Dinamos, i cili është shprehur tejet i lumtur për këtë arritje. “I lumtur për golin e parë në Ligë”, ka shkruar lojtari në rrjetet sociale.

Panionios, Durmishaj rikthehet me gol

Rikthim me gol për Fiorin Durmishajn te Panionios. Pas huazimeve te Kalithea dhe Lamia në 2 sezonet e fundit sulmuesi i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë u bë menjëherë protagonist te skuadra që zotëron kartonin e tij. Durmishaj i dha fitoren Panioniosit në javën e parë të Superligës greke, pasi realizoi golin deciziv në transfertën e Korfuzit ndaj Kerkyras. 20-vjeçari nga Vlora e nisi ndeshjen si titullar dhe në minutën e 53-të kërceu më lart se të gjithë duke realizuar me kokë një gol me vlerë trepikëshe për Panioniosin, që i bëri kështu nisjen më të mirë të mundshme kampionatit.
Për Durmishajn, ky ishte goli i parë në karrierë me fanellën e Panionisit dhe i pari për të në Superligën greke. Në 2 vitet e fundit 20-vjeçari shqiptar fitoi shumë eksperiencë në ligën e dytë të futbollit helen teksa në këtë kategori realizoi në total 15 gola me Kalithean dhe Lamian dhe në këtë sezon ai pritet të mbajë peshën e sulmit te Panionios që pretendon një nga 5 vendet e para të klasfikimit. Falë formës së mirë që po tregon me skuadrën e periferisë së Athinës, Durmishaj mund të jetë titullari i sulmit edhe te kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve në dy sfidat eliminatore ndaj Irlandës së Veriut dhe Islandës në muajin shtator. Deri tani ai numëron 3 paraqitje me kuqezinjtë e rinj.

Kuqezinjtë në fushë e në stol në Serinë A

Seria A pritet të flasë kuqezi këtë edicion, edhe pse në javën e parë jo gjithçka shkoi mirë. Vetëm 3 futbollistë të Kombëtares Shqiptare kanë zbritur në fushë gjatë fundjavës. Ashtu siç pritej Hysaj e nisi titullar me Napolin, duke u ndëshkuar me karton të kuq, edhe pse ky vendim i gjyqtarit është kontestuar nga klubi. Mbrojtësi shkodran është tashmë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Maurizio Sarrit. Ashtu si Hysaj të padiskutueshëm në formacion janë dy gardianët kuqezi, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha. Ndoshta ky edicion i serisë A do të jetë i veçantë edhe në këtë aspekt, ku dy portierë të përfaqësueses sonë të jenë pjesë e rëndësishme në skuadrat e tyre.
Berisha ishte i pafat në golin e shënuar nga Kolarov, që ashtu si në “Elbasan Arena” ndëshkoi sërish portierin nga Prishtina. Ndërkohë, Strakosha është treguar i gatshëm të ndihmojë Lazion në dy apo tre momente gjatë duelit me SPAL. Aktivizimi i dy portierëve mund të sjellë dhimbje koke për trajnerin e kombëtares, Christian Pannuçi, që duhet të zgjedhë njërin prej tyre si titullar në sfidat e ardhshme. Arlind Ajeti dhe Berat Gjimshiti qëndruan në stol gjatë fundjavës, pasi ende nuk janë ambientuar me skuadrat e reja. Me kartonin e kuq të marrë nga Cecherini shtohen gjasat që Ajeti të jetë titullar në javën e ardhshme për Crotonen, që beson tek mbrojtësi kuqezi. Pavarësisht se qëndroi në stol, Gjimshiti shihet si një alternativë e çmuar për Beneventon, pasi mund të luajë në qendër të mbrojtjes, por edhe në të djathtë.

Artikulli paraprakShkëlqejnë në start Interi dhe Milani. “Ok” Roma
Artikulli tjetërBarça dhe Real fitojnë në start