Ronaldo ikën nga Reali

Cristiano Ronaldo është shndërruar në prioritetin e PSG, që beson te ëndrra e saj thuajse e pamundur. Klubi parizien gjithsesi vazhdon të punojë për yllin portugez dhe siç informon “Le Parisien” ka bërë një tjetër hap në gjuetinë ndaj tij. E përditshmja franceze siguron se Jorge Mendes, agjenti i Ronaldos dhe Al Khelaifi, presidenti i PSG kanë arritur një akord verbal në bazë të të cilit lojtari do t’i japë prioritet klubit parizien në rast se largohet nga Madridi.
Mediat shkruajnë se, agjenti Jorge Mendes ka arritur marrëveshje me skuadrën franceze, PSG për transferimin e mundshëm të Cristiano Ronaldos. Le Parisien shkruan se, Mendes dhe PSG kanë arritur marrëveshje për Ronaldon, i cili në rast të largimit nga Real Madrid do të transferohet vetëm në PSG. Ronaldo shihet si zëvendësues i Zlatan Ibrahimoviçit, i cili nuk do të nënshkruajë kontratë të re dhe do të largohet gjatë kësaj vere. Kujtojmë se Ronaldo ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2018.
Ibrahimoviç nuk do të rinovojë kontratën e tij dhe te PSG janë në kërkim të një lojtari të madh për ta zëvendësuar. Cristiano do të ishte njeriu ideal në misionin e francezëve për të bërë realitet ëndrrat e tyre në Champions, dhe konsiderohet si guri i themelit mbi të cilin duhet ndërtuar projekti i ri të PSG. Problemi i parizienëve është se largimi i Ronaldos nga Reali ka pak gjasa që të ndodhë. Klubi madrilen dhe futbollisti, madje kanë nisur kontaktet për të rinovuar kontratën që skadon në 2018. Ideja është për të zgjatur bashkëpunimin deri në 2020 ose 2021 këtë verë. Gjithsesi në Francë e konsiderojnë një triumf faktin që kanë lënë pas rivalët e tjerë në rast se portugezi largohet nga Madridi.
Ndërkohë të tjera lëvizje lojtarësh me emër pritet të ndodhin në merkaton e verës. Antonio Conte kërkon Gonzalo Higuain te Chelsea. Nga Spanja, më konkretisht e përditshmja “AS”, raporton se trajneri italian po ngulmon për të transferuar në Londër sulmuesin aktual të Napolit. Një lëvizje e tillë mund të ndodhë vetëm me largimin e Diego Costas drejt Madridit, pikërisht te Atletico, që kërkon rikthimin e sulmuesit të kombëtares spanjolle. Simeone ka shumë besim te 27-vjeçari, që tashmë është bindur për t’u larguar ng Chelsea.
Blutë e Londrës mendojnë se mund ta bëjnë të tyrin argjentinasin për 48 milionë euro, ndërsa mund të përfitojnë 30 milionë nga kartoni i Diego Costas. Mirëpo Chelsea ka harruar një fakt të rëndësishëm, që Higuan ka një klauzolë largimi nga Napoli që kap shifrën 94 milionë euro. Oferta që mendon të bëjë Chelsea është e pamjaftueshme për të bindur presidentin De Laurentiis për El Pipitan, i cili ka kontratë me Napolin deri në vitin 2018.

Artikulli paraprakBanka: Ka rënë besimi tek ekonomia, rënia ekonomike
Artikulli tjetërKishte ardhur momenti të ndryshoja ambient