Romeo Kara paditet sërish për shpifje nga Shkëlzen Berisha

Me përfundimin e luftës politike të orkestruar nga Kryeministri Rama gjatë fushatës elektorale ndaj juristit Shkëlzen Berisha me keqpërdorimin e një individi të quajtur Romeo Kara, ky i fundit ka besuar me shumë gjasë se edhe telashet ligjore që kanë prodhuar shpifjet e tij publike për çështjen e privatizimit të CEZ do të përfundonin.
Por për Romeo Kara-n nuk qe e thënë. Ndërsa Romeo Kara duke shkelur procedurat ligjore ka arritur të marrë dje një vendim për pushimin e padisë së ngritur nga Shkëlzen Berisha në adresë të tij, ja ku vjen edhe lajmi tjetër i keq për të. I njohur me vendimin e gjykatësit për mbylljen e çështjes gjyqësore që po shqyrtonte padinë për shpifje të ngritur nga Shkëlzen Berisha, ky i fundit nuk ka hezituar aspak për të ridepozituar të njëjtën padi, në ngarkim të Romeo Kara-s dhe me të njëjtat argumente si në rastin e parë.
Është e qartë se edhe gjyqtari i çështjes së padisë për shpifje ndaj Romeo Kara-s ka qenë nën presion të fortë politik për të dhënë një vendim në kundërshtim me procedurat ligjore. Për këtë do të mjaftonte fakti që gjyqtari nuk është ndaluar aspak në shqyrtimin e çështjes në themel, por ka marrë një vendim të nxituar vetëm duke u mjaftuar me faktin se avokati i palës i juristit Shkëlzen Berisha është paraqitur me 20 minuta vonesë dhe kjo për arsye se ai është njoftuar verbalisht për të qenë i pranishëm në seancën gjyqësore. Sigurisht nuk është e vështirë të kuptohet se prej kujt është orkestruar ky presion politik, në kohën që sot e gjithë ditën ka një njeri që i kërcënon gjyqtarët me kamzhikun e Vettingut në dorë dhe ai është Edi Rama.
Vlen të theksohet gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që Romeo Kara përballet me drejtësinë. Prej kohësh, duke qenë se Romeo Kara njihet si një njeri i dhunshëm, gjykata ka lëshuar një urdhër mbrojtje për të motrën e tij. Ky vendim mendoni pak, e ndalon rreptësisht Romeo Kara-n t’i afrohet më shumë se 50 metra motrës së tij. Do të mjaftonte edhe ky fakt që gjyqtari i çështjes ta merrte më seriozisht padinë e bërë për shpifje në adresë të një individi të rrezikshëm për shoqërinë, por mes ligjit dhe presionin politik edhe një herë fitoi ky i fundit. Por kjo veç për pak kohë, koha që i është nevojitur studios ligjore që mbron interesat e juristit Shkëlzen Berisha për të depozituar të njëjtën padi dhe me të njëjtat argumente ligjore në adresë të Romeo Kara-s.
Vetë juristi Shkëlzen Berisha ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se beteja e tij ligjore për të vënë në vend nderin e tij personal përballë shpifjeve të Romeo Kara-s nuk mbyllet me kaq.
“Avokati me të cilin përfaqësohem në gjyqin me urithin e Ramës për shkak të një keqkuptimi të lindur nga njoftimi verbal është paraqitur në seancën e sotme 20 min me vonesë. Për këtë arsye gjykatësi e ka parë të udhës të mbyllë çështjen pa u futur aspak në themelin e saj. Urithi i Ramës shpreson se do të shpëtojë nga përgjegjësia penale me procedurë, por po sot është depozituar padia e re, për të njëjtën shpifje, për të njëjtën vepër penale, me të njëjtat argumente. Procesi i ri do të jetë njëlloj me të parin dhe do i japë dënimin ligjor shpifësit, të cilin nuk ka procedurë që mund ta shpëtojë”, deklaron juristi Shkëlzen Berisha.

Artikulli paraprakBashkia Kamëz, 60 investime me fondet e saj, asnjë lekë nga qeveria “Rama”
Artikulli tjetërI biri i ministrit të diktaturës drejtor për Fondet e BE!