Ringritja e Bajern

Jupp Haynckens, trajneri i ri që u ul në stolin e Bayern Mynih deri në fund të këtij sezoni, pas divorcit të klubit gjerman me teknikun italian Karlo Ançeloti, në konferencën për shtyp që zyrtarizoi emërimin e tij deklaroi se, tashmë bavarezët duhet të rigjejnë besimin e humbur në vetvete.
“Puna ime tashmë do të konsistojë në rindërtimin e skuadrës, në mënyrë që kjo e fundit të mund të superojë problemet që ka hasur deri më tani. Kam një plan të qartë për t’u përballur me këto probleme, pasi është e rëndësishme për lojtarët që të rigjejnë vetveten dhe t’i besojnë kualitetit të tyre. Ndihem mjaft mirë si në aspektin fizik ashtu edhe atë psikologjik. Kam fuqitë e një 60-vjeçari dhe do të jap maksimumin tim”, u shpreh Heynckens.
Trajneri, i cili realizoi fitoren e trefishtë me këtë skuadër në vitin 2013, shprehet se ndihet mjaft mirënjohës ndaj klubit dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse pranoi që të rikthehej në stolin bavarez. “I jam shumë mirënjohës Bayernit dhe drejtuesve të tij. Kjo është skuadra që më bëri ky që jam sot. Bayern Mynih është një skuadër me shumë potencial dhe kualitet. Kam bindjen dhe besimin se tani skuadra do të tregojë një profil krejt të ndryshëm”, tha ai.
Kështu deklaroi 72-vjeçari, i cili gëzon besimin dhe mbështetjen e të gjithë ekipit. Tashmë në dhomat e zhveshjes së bavarezëve ka një klimë shumë më pozitive dhe optimiste, pasi të gjithë janë besimplotë tek aftësitë e ish-teknikut të tyre. Në sintoni me këtë mendim është edhe shefi ekzekutiv i bavarezëve Karl Hainz Ruminge, i cili deklaroi se Heynckens është trajneri ideal për ta. Ai e njeh Bayernin në të gjitha dimensionet e tij ndaj dhe është njeriu ideal për detyrën që i është ngarkuar.
Heynckess ka kërkuar të ketë në krah zëvendësin Peter Hermann, me të cilin ka një histori të gjatë bashkëpunimi, por ky i fundit ka ende një kontratë që e lidh me Fortuna Dusseldorf. Për ta liruar nga detyrimet që ka me klubin aktual, Bayerni duhet të paguajë rreth 1 milion euro dhe për Hoeness ky është një problem edhe pse paratë tek klubi bavarez nuk mungojnë. Gjithsesi, gjatë ditëve të ardhshme, kjo çështje mund të zgjidhet, pasi koha nuk pret.

Artikulli paraprakJoao Mario: Ndaj Milanit duam fitore
Artikulli tjetërJeta e trishtë e shqiptarëve, shpenzime vetëm për mbijetesë