Rikthehet SuperMario

Mario Balotelli, në prag të miqësoreve që Italia do të luajë në fund të muajit mars kundër Anglisë dhe Argjentinës, ka dërguar një mesazh në adresë të trajnerit të komanduar të përfaqësueses azzurre, Luigi di Biagio, nëpërmjet një interviste të dhënë për emisionin “La Domenica Sportiva”. Sulmuesi i Nice, në fakt nuk e vesh fanellën e kombëtares italiane që nga Botërori 2014, i përfunduar me eliminimin e azzurrëve menjëherë me përfundimin e fazës së grupeve. “Ventura erdhi këtu për të folur përpara PSG, vitin e kaluar. Fjalët e tij ishin: ‘nuk kam nevojë të të shoh si futbollist, por kam nevojë të shoh nëse je rritur në nivel human, në dhomat e zhveshjes, nëse je një njeri për skuadrën e gjëra të tilla’. Por unë në kokën time mendoja: ‘por si arrin ta shohësh nga një ndeshje?’ Pra, sipas meje ishte thjesht një justifikim. Unë e kisha kuptuar se me atë diskutim po më thoshte se nuk do të më grumbullonte. Pati disa zëra në lidhje me senatorët që nuk më donin, por sipas meje kjo nuk është e vërtetë”, deklaroi Balotelli. “Në çdo ambient, është e pamundur që të pëlqehesh nga të gjithë, kjo është e sigurtë, por nuk besoj se të ketë patur as edhe një futbollist të kombëtares, që t’i ketë thënë trajnerit që të mos grumbullojë Marion, sepse nuk bën. Nuk e besoj dhe nuk e mendoj. Të them të vërtetën, unë nuk kam dëgjuar kurrë akuza nga ana e futbollistëve ndaj meje. Buffon dhe De Rossi i njoh mjaft mirë, janë dy burra me b..e, ndaj nëse do të kishin patur ndonjë gjë kundër meje, nuk besoj se nuk do të ma kishin thënë. Ndaj nuk besoj se ajo që kanë thënë të ketë qenë kundër meje”, sqaroi Balotelli në lidhje me grumbullimin e munguar në kombëtare, gjatë drejtimit të përfaqësueses nga ana e trajnerit Gian Piero Ventura.

“Mendoj se eliminimi djeg shumë kur nuk e meriton. Unë e meritoja, ndaj në fund të fundit jam i qetë me veten time, por më tërbon vetëm fakti që është normale në moshën 27 vjeç të ishte botërori i dytë, por ndërkohë nuk mund ta luaj, sepse nuk ndodhemi atje. Nuk di se çfarë do t’i thoja Di Biagios, do t’i thoja shiko ndeshjet. Nuk mund të flas, me fjalët nuk bën asgjë, shih ndeshjet, gjyko ti. Te Nice shkon shumë mirë, golat mbërrijnë, mua më pëlqen puna me skuadrën, trajneri është i mirë, di si punohet. Në nivel personal jam shumë i kënaqur, ndonëse duhet të bëj gjithmonë më shumë. E ardhmja? Te Milan kam luajtur, ndaj nuk mendoj se do të ishte arritje maksimale një rikthimi i tretë. Juve dhe Napoli më duken tërheqëse që të dyja. Rikthimi në atdhe nuk e di, por jam i sigurtë që do të fluturoja në një ekip të madh, edhe sepse ndihem më i fortë, më gati se kohë më parë”, përfundoi Balotelli.

Artikulli paraprakPërgjuesi në ngarkesën e kokainës në Portin e Livornos, si funksionoi zinxhiri i informacionit
Artikulli tjetërPo plakemi me ritme me të shpejta se Europa dhe Rajoni, sipas Eurostat