Revolucioni personal

Nga Shaban Murati 

Në Gjermani u arrestua dhe u dënua me burg pesë vjet nga Gjykata në 28 qershor 2022 një qytetar gjerman 101 vjeç, me akuzën se në rininë e tij të hershme kishte qenë roje në një kamp përqendrimi nazist dhe kishte marrë pjesë në disa vrasje në atë kamp.

Juristë të njohur gjermanë, në përgjigje të habisë së gazetarëve për rastin e 101 vjeçarit, deklaruan se shtet ligjor dhe demokratik don të thotë barazi e gjithë qytetarëve para ligjit dhe se çdo qytetar duhet të përgjigjet ligjërisht dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij të kaluara, pavarësisht moshës apo kohës kur e ka kryer aktin penal.

Në Shqipëri dikush lejohet të tallet me ligjin dhe me organet gjyqësore dhe kjo është parodi me ligjin, parodi me drejtësinë. Është parodi me shtetin ligjor, që shqiptarët e ndërtuan dot në 31 vjet qeverisje autokratike të dy partitë kryesore politike.

Në vend të detyrimit të barazisë së qytetarëve para veprimit të ligjit, në Shqipëri shpiket “revolucioni personal” si e drejtë ekskluzive vetëm e prijsit për shkeljen e ligjit. Gjithë bota normale ka njohur revolucione demokratike, revolucione popullore, revolucione shoqërore, revolucione socialiste, revolucione trendafilash apo tulipanësh, kurse Shqipëria shpik “revolucionin personal” të bajraktarit, të beut, të agait, të feudalit, të padrinos, të don…tribusë.

Shpikja idiote shqiptare e “revolucionit personal”, ku për pordhët e bajraktarit një skotë opingalëpirësish të prijsit janë gati të hedhin në erë ligjet, organet e drejtësisë dhe vetë shtetin, ndodh sepse e lejon këtë situatë unike paradoksale vetë shteti. Shteti ligjor nuk u ndërtua dot dhe as ligjet nuk u vunë dot në jetë njësoj për të gjithë, sepse qeveritë e dy partive kryesore politike jo vetëm nuk deshën të ndërtojnë shtet ligjor, por prishën edhe karabinanë e shtetit, që kishin ndërtuar regjimet e kaluara.

“Revolucionin personal” e shpikën mendjet e rritura me ujqit dhe çakejtë në skërkat e maleve. Është e natyrëshme që pas kultit të individit, i cili pas diktaturës u ruajt dhe u forcua nga qeveritë pseudodemokratike, të lindëte kreatura e përbindëshme e “revolucionit personal” të prijësit me moton “pas meje apokalipsi”. Dhe është e sigurtë se mendërisht dhe fizikisht kështu shkohet në Mesjetën e thellë.

Artikulli paraprakBasha takim me fermerin në Ibë: Shqipëria ka nevojë për ndryshim për ta bërë jetën e shqiptarëve më të mirë
Artikulli tjetërHetimet e SPAK, tre kryebashkiakë janë në vështirësi (Emrat)