Revolucion te Juventus

Revolucion në radhët e Juventusit. Ndoshta askush nuk e priste, por bardhezinjtë janë duke përgatitur ndryshime në repartin e sulmit. I vetmi që e ka vendin e sigurtë është ylli argjentinas Paolo Dybala. Nga sinjalet e dhëna pritet që në merkato të dalin sulmuesit Simone Zaza, Mario Mandzukiç dhe Alvaro Moratta. Ky i fundit mund të rikthehet në radhët e Real Madrid, gjithmonë nëse klubi “Los Blancos” vendos të paguajë 30 milionë euro për kartonin e lojtarit. Në rast të kundërt, Moratta mund të transferohet në Angli tek skuadra e Arsenalit, që duket se është më e favorizuar në garën për të pasur në dispozicion shërbimet e 23-vjeçarit. Alternativat për të zëvendësuar spanjollin nuk mungojnë.
Duke nisur që nga mesfushori i Chelsea, braziliani Oscar. Isco i Real Madrid dhe emri që ka dalë së fundmi atij i sulmuesit të Arsenalit Alexis Sanchez. Pas Moratës, radhën si kanditat për t’u larguar nga “Zonja e Vjetër” e ka Simone Zaza. Për të interesohen klube si West Ham dhe Chelsea. Zëvendësuesi i Zaza, pritet të jetë Domenico Berardi. Vlera e kartonit të futbollistit kap shifren e 25 milionë eurove.
Kroati Mandzukiç edhe pse vlerësohet nga ana e drejtuesve bardhezi, mund të sakrifikohet përballë një oferte të kënaqshme. Nëse sulmuesi largohet atëherë kampionët e Italisë do të bëjnë të pamundurën për të transferuar në radhët e klubit një sulmues të kalibrit të lartë. Edinson Cavani, është një dëshirë e vjetër e Juventusit, por që për momentin skuadra e PSG nuk e ka vendosur lojtarin në merkato. Emri tjetër është ai i Zlatan Ibrahimoviç, i cili pëlqehet dhe nga zëvendës presidenti Pavel Nedved. Emrat në axhendën e bardhezinjve nuk mungojnë dhe për të parë se cili prej tyre do të transferohet tek Juventus duhet pritur merkato verore.
Ndërkohë edhe tek Interi priten ndryshime të mëdha. Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti beson se rikthimi i zikaltërve në kompeticionet europiane është një pikënisje e mirë për skuadrën. Gjithsesi, ai e pranon se në fillim të sezonit stafi drejtues dhe lojtarët kishin të tjera objektiva, por duke qenë se është një skuadër dhe në fazë rindërtimi, pjesëmarrja në Europa League është një ogur i mirë për Interin. Më tej, ai flet dhe për investitorët kinezë:
“Ata duan të ndërtojnë një ekip të fortë. Janë duke punuar me shumë seriozitet për këtë gjë. Inter është një skuadër që aspiron gjithmonë më të mirën. Këtë sezon arritëm të siguronim vendin e katërt. Sigurisht, që mund të bënim diçka më shumë, por besoj se rikthimi në kompeticonet europiane është diçka e mirë”, u shpreh ai.
Zanetti foli dhe për ish-presidentin e zikaltërve, Masimo Morrati, për të cilin shprehet se ai do të jetë gjithmonë pjesë e klubit. Ish-kapiteni tha gjithashtu se është i kënaqur në postin e zëvendëspresidentit, pasi është shumë i lidhur me ketë klub. Argjentinasi premtoi se do të japë maksimumin për ta ndihmuar Interin të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit europian.

Artikulli paraprakFIFA pranon kërkesën e Kosovës, votohet më 13 maj
Artikulli tjetërJa futbollistët fatkeqë të Europianit