Revolta e Arrigo Sacchi

Historia dhe filozofia e Arrigo Sacchi-t, trajnerit që ka kontribuar për të ndryshuar botën e futbollit italian. Milani i tij alla holandez, triumfet dhe më pas rënia. Është grupi në qendër të kredos së tij futbollistike, asnjëherë individi.

Rëndësia dhe mirënjohja e Berlusconi-t

Në verën e 1987, në momentin e grumbullimit të zakonshëm të parakampionatit, në shtëpinë Milan prezantohet Arrigo Sacchi, ish-trajneri i Parmës, që pikërisht duke eliminuar Milanin nga Kupa e Italisë një vit më parë kish bërë të dashurohej pas tij neopresidentin Silvio Berlusconi. I mësuar që të vepronte siç e kishte zakon, biznesmeni milanez, Kryeministër i ardhshëm, e kishte blerë duke e marrë nga një skuadër e Serie C. Për këtë Sacchi të dhënat nuk janë të shumta. Dihet se në rini kishte luajtur mbrojtës me skuadra amatore, ndërkohë që punonte në kompaninë e prodhimit të këpucëve të familjes; se me përfundimin e karrierës si futbollist kish nisur të trajnonte: fillimisht skuadra të kategorisë së dytë, më pas promocioni, më pas Serie D. Në vitin 1982 fitoi titullin Primavera me skuadrën e të rinjve të Cesena-s. Nga këtu lë kompaninë e familjes, për t’ju kushtuar me kohë të plotë trajnimit. Themeluesi i klubit Alberto Rognoni e prezanton me Italo Allodi, drejtues themelor i ekipit që ka qenë Interi i madh i viteve gjashtëdhjetë. Allodi e regjistron të riun Sacchi në kursin federal për trajner profesionist të Coverciano. Me marrjen e patentës së trajnerit, Sacchi thirret në Serie C1 për të trajnuar Riminin, pastaj të rinjtë e Fiorentinës dhe sërish në Serie C1 me Parma. Kur zbarkon në Milanello është i njohur tashmë me nofkën “Profeti nga Fusignano” (qyteti i tij i lindjes). Për disa është një vizionar i çmendur, për të tjerë një gjeni që ka vendosur të përhapë gjuhën e futbollit total të “portokallit mekanik” holandez dy herë finalist botëror. Imagjinoni një njeri që u flet futbollistëve të kategorisë së dytë sikur të ishin Cruijff e Neeskens dhe do të keni personazhin.

Javët e tij të para tek Milan nuk e hedhin poshtë famën e tij. Lojtarët flasin për stërvitje masakruese të paeksperimentuara më parë, për teori të çartura sipas të cilave nuk markohen më kundërshtarët, por zonat e fushës. Gjëra të ngjashme qenë parë më parë me Nils Liedholm, por Sacchi i shton një mbrojtje në vijë të drejtë dhe një presing asfiksues në mesfushë. Portieri Giovanni Galli, rival i ardhshëm për postin e kryebashkiakut të Firenzes i Kryeministrit aktual, Matteo Renzi, stërvitet sikur të ishte një mbrojtës i lirë. Shumë shfryjnë, në mos më keq. Hapat e parë të sezonit të ri nuk premtojnë asgjë të mirë. Pas debutimit fitues me Pisa-n, pason humbja me Fiorentinën dhe eliminimi në 16-she të Kupës UEFA kundër Espanyol. Lojtarë përfaqësues që pak kohë më vonë do të bëheshin interpretuesit më të mëdhenj të teorive sacchi-ane polemizojnë për ashpërsinë e stërvitjeve, që sipas tyre do t’u thithnin energjitë për ndeshjet. “San Siro”, la Scala e futbollit dhe stadium kërkues si pak të tjerë, kërkon kthimin e Fabio Capello-s, njeriut që kish fituar ndeshjen me vajtje-ardhje për Kupën UEFA me Sampdorian sezonin e mëparshëm. Si një prej zgjedhjeve më të gjetura të tij, Berlusconi rreshtohet me shpatën lart me trajnerin e ri. Tregohet për një shprehje të thënë grupit që është pak a shumë kështu: “Përpara se të largohet ai, largohuni ju të gjithë”. Si të gjitha shprehjet e famshme nuk dihet nëse është thënë apo jo, por e jep mirë pozicionin e shoqërisë. Por nga shkallët e stadiumit vazhdon të ngrihet kori: “Sacchi nuk e ha dimrin”. Por do ta arrijë e do ta kalojë që çke me të.

Është sezoni 1987–1988 dhe pak e nga pak makina e 4–4–2 sacchi-ane fillon të ndizet. Mekanizmat nisin të vajosen. Skuadra mblidhet, lojtarët absorbojnë gjithnjë e më shumë parimet e trajnerit. Shumë shpejt gjymtyra më e frikshme e Serie A nuk do të jetë më këmba e Maradonës apo e Platini, por krahu i djathtë i Franco Baresit, që ngrihet lart 20 herë në ndeshje për t’i bërë me dije arbitrit apo anësorit pozicionin jashtë loje të kundërshtarit. Më vonë do të thuhet se nuk ishte Baresi që shikonte arbitrat, por qenë ata që shikonin atë për të kuptuar se kur niste offside. Janë parë lojtarë të sfilitur që i drejtohen stolit të tyre me pamje mjerane pasi qenë mbërthyer në kafazin e jashtëlojës sacchi-ane. Javën e 15-të Milan jep një provë force të shkëlqyer duke fituar 5 me 0 me Como-n, ndërsa Napoli zhvat 2 pikë (në atë kohë fitorja vlente kaq në Itali) në minutat e fundit me Sampdorian, me një gol të minutës së 87-të të Maradonës. Revista “Guerrin Sportivo”, e përjavshmja sportive më e lexuar në Itali, do të ketë si titull: “Djalli fluturon, por Napoli rrotullohet në baltën e Parajsës”, duke paraqitur pamjen e lojtarëve napolitanë që gëzohen duke u hedhur në baltën e një fushe dimri. Kampionati është tashmë një garë dyshe. Por Milani i Sacchi-t ishte më shumë se kaq. Përfaqësonte risinë më të madhe të shfaqur ndonjëherë në stadiumet italiane, më e madhja në Europë nga ajo e Holandës që për trajnerin nga Fusignano mbetej burimi frymëzues. Në këtë makinë sportive të jashtëzakonshme të gjithë e kishin një rol. Për Franco Baresin e kemi thënë: mbrojtësi i lirë, kapiteni i përjetshëm, vetëm Gianni Rivera si ai në historinë e Milanit. Si mbrojtësa anësorë, Mauro Tassotti, “këmbë prej gize” në fillim të karrierës, “samba Tassotti” në fund, në dëshmi të faktit se nuk kanë qenë lojtarët që kanë bërë sacchi-zmin, por e kundërta. Në të majtë Paolo Maldini. Për të mjafton emri, thjesht mbrojtësi i majtë i skuadrës top 11 të të gjitha kohërave të bërë nga FIFA. Djali i kapitenit kuqezi që për herë të parë në Itali ngriti Kupën e Kampionëve. Në krah të Bresi do të duhej të ishte Filippo Galli, talent sa i madh aq edhe i pafat. Në vend të tij do të instalohet një Alesssandro (Billy) Costacurta i ri, që si pak të tjerë do të përfaqësojë sacchi-zmin: teknikë diskrete, forcë atletike e paktë, inteligjencë taktike e përbindshme. Pastaj Ruud Gullit, Top i Artë kushtuar Nelson Mandela ende në burg një vit më parë, i pari prej dy holandezëve të thirrur nga trajneri për të formuar mozaikun e tij. Do të mbetet lojtari – simbol i këtij sezoni të papërsëritshëm: njeriu i vrapimit të 100 metrave si sprinter olimpik, “grabitqari” me shkëputje të pandalshme si askush. Shumë shpejt Milano milaniste do të mbushet me flokë që janë imitim i flokëve të tij, anësorët e mesfushës, Roberto Donadoni (krahu i djathtë më i mirë i historisë italiane bashkë me Bruno Conti), Alberigo “Bubu” Evani e me radhë të tjerët. Për Sacchi-n, njeriu që e ka përfaqësuar më mirë në këtë mozaik kampionësh do të mbesë përgjithmonë Angelo Colombo: mushkëri të palodhura gjithmonë për ta sulmuar kundërshtarin me presing asfiksues. Për të nënvizuar që futbolli është një sport skuadre, Arrigo do të thotë gjithmonë për të: “Kam fituar më shumë se Maradona”.

Kalimi i Napolit është vetëm çështje kohe: të gjithë e nuhasin se ka nisur një erë e re, se era e futbollit tashmë fryn në një drejtim tjetër. Do të vijë java e 28-të. Në mënyrën më të bukur: me ndeshjen e drejtpërdrejtë. Sacchi e përgatit në mënyrë obsesive ndeshjen. Do ta mbajë Giovanni Galli-n në portë pas çdo seance stërvitore për t’i gjuajtur goditje dënimi nga ana ku shënonte Maradona. Gjuan, gjuan dhe gjuan akoma, ndërsa të gjithë të tjerët janë nën dushe. Në “San Paolo” Milan kalon në avantazh. Në fund të pjesës së parë barazohet. Gjejeni se si? Goditje dënimi ngjitur me zonën nga Maradona. Sacchi do të thotë më pas: “Unë i gjuaja Galli-t, por diferenca është se nuk jam Maradona”. Jashtëklasi argjentinas do të mbesë gjithmonë lëshimi i vetëm që trajneri do të bëjë në karrierë. Gjithçka tjetër duhet të jetë e programuar: determinizmi i ngurtë sacchi-an e redukton çështjen tek injoranca e njerëzve. Ndeshja do të përfundojë 3 me 2 për kuqezinjtë, me 2 gola të Pietro Paolo Virdis (tjetër lojtar simbol) dhe 1 të Marco Van Basten, “Mjellma nga Utrecht”, pas një sezoni dëmtimesh. Milan do ta ruajë avantazhin deri në fund të kampionatit dhe do të jetë kampion i Italisë për të 11-ën herë. E para e epokës Berlusconi. Pjesa tjetër është histori: 2 Kupa Kampionësh, 2 Superkupa Europiane, 2 Kupa Ndërkontinentale, 1 Superkupë të Legës. Një tërësi ndeshjesh legjendare. Në vitin 2000, me rastin e një feste milaniste u zgjodh si ndeshja më e bukur e epokës berlusconi-ane finalja e Barcelonës e fituar nga 4 me 0 nga Milani i Fabio Capello-s. Nuk ishte e vërtetë. Të gjithë e dinë se ndeshja e shekullit ka qenë 5 me 0 i Milan ndaj Real Madridit të Hugo Sanchez dhe Emilio Butragueno e Kupës së Kampioneve të parë sacchi-ane: dorëzimi i stafetës dhe lindja e Milanit të të “pavdekshmëve”.

Do të jenë vitet e Marco van Basten, krijesë e drejtpërdrejtë e Johan Cruijff, 9-a puro dhe elegant i historisë së futbollit. 3 herë Top i Artë, sa Platini dhe Cruijff (më shumë se ta vetëm Messi), 2 herë golashënuesi më i mirë në Itali, një karrierë e mbyllur në mënyrë të parakohshme. Duke iu referuar golit të shënuar Rinat Dasaev në finale europiane 1988, Maradona do të thotë: “nëse Zoti ka vendosur kështu, do të thotë se nuk do të shikojë më gola të bukur si ai”. Kur në përfundim të ciklit, Berlusconi do t’i duhet të zgjedhë midis tij dhe Sacchi-t, do të zgjedhë qendërsulmuesin. Por fundi ishte paralajmëruar prej kohësh. Metodat të thuash pak intransigjente e kishin dëmtuar raportin me lojtarët. Nata e dritave të Marsejës dhe Verona fatale e arbitrit Lo Bello të riut do të mbesin imazhet simbol të rënies. Pjesa tjetër, drejtimi i kombëtares, finalja e Pasadena-s e humbur me penallti ndaj Brazilit dhe rikthimi tek Milan nuk i përkasin më epopesë sacchi-ane, por historisë së futbollit italian. Pamjet e Franco Baresit, që pas humbjes së penalltisë në finale qan mbi shpatullat e trajnerit do t’i tregojnë botës një humanizëm të padyshimtë, por nuk ka se si të jenë imazhi simbol i sacchi-zmit. Nuk i përkasin të njëjtës ikonografi. Sacchi do ta lërë përfundimisht stolin pas një ndeshjeje me Parmën, që ishte kthyer ta trajnonte. Flet për stres që nuk arrin ta menaxhojë, deri për sëmundje. Shumë e tallin sepse stresin e ka kush punon në minierë, jo kush fiton shifra astronomike. Për të luajtur futboll. Për mua, ka qenë gjithmonë shenja e vlerës së paçmueshme të këtij trajneri. Prova definitive se ai e përjetonte futbollin si askush. Përkundrazi, që nëpërmjet futbollit kërkonte tjetër.

Sacchi ka parapëlqyer gjithmonë të thotë se “futbolli është një gjë serioze”. Dhe kjo jo vetëm prej etikës së punës që bart me vete (“Të gjithë duan të fitojnë të dielën, por pak janë të gatshëm të stërviten nga e hëna”, thotë akoma sot). Gjatë periudhës së tij, 5 vite intensitet ekstrem, u futën në futbollin italian disa koncepte të pazakonshëm. Shprehje si “Lojë harmonike”, “Një skuadër është më shumë se shumatorja e 11 lojtarëve” do të bëhen pjesë e leksikut sportiv. Sigurisht, përfaqësonin plotësisht kredon e re. Parimi ishte një dhe një i vetëm: gjithçka ka një identitet të pavarur nga pjesët që e përbëjnë. Një skuadër ka një gramatikë të veten. Nga këtu konflikti me Van Basten (që vite më pas e pranoi), nga këtu zgjedhja e lojtarëve në bazë të karakteristikave taktike të tyre më shumë se të talentit teknik. Nga këtu fama e kapterit të hekurt të pandjeshëm ndaj lojtarëve të veçantë.

Duke rrezikuar shkishërimin të vjen të perifrazosh një shprehje që Giorgio Coli ia atribuoi Baruch Spinoza (edhe ai holandez, një rastësi?): Sacchi është një njësi, ndërsa bota moderne është një shumatore e copëzuar. Trajneri nga Fusignano i është përmbajtur gjithmonë përsosmërisë së “njësisë”, për t’u pastruar nga çdo infektim i kryer prej individëve. Tani, nuk do të arrijmë në pikën që të citojmë Parmeniden (e kemi bërë tashmë me Spinozën) ose ta fusim Sacchi-n në ndonjë korrent neoplatonik, por që futbolli i tij ishte i frymëzuar nga ky tension drejt “njëshit”, vërtet jemi të bindur. Shumë e kanë quajtur Arrigon si filozofin e futbollit. Bile ka arritur deri aty sa janë përhapur zëra se posedonte një bibliotekë të madhe dhe se bile lexonte libra filozofie. Asgjë nga këto. Përkufizimi ishte më shumë se i përshtatshëm sepse nëpërmjet futbollit Sacchi shikonte këtë “njësi”, që e përshkonte fushën nga loja. Një vizion vetmitar, i vështirë edhe për t’ju komunikuar të tjerëve. Dhe akoma, nuk do ta përdorim pa vend termin “profet”, sepse profetët janë një gjë tejet serioze edhe për një gjë serioze si futbolli. Thjesht, si artisti që nëpërmjet një vepre do të ilustrojë një domethënie, ashtu bënte edhe Sacchi me futbollin. Dhe është pikërisht për këtë që nuk ka të bëjë aspak me trajnerë fitues si Marcello Lippi, Fabio Capello apo kushdo tjetër. Ajo e tij është dhe do të mbesë përgjithmonë një lloj përvoje filozofiko–fetare e mbjellë në bahçen e sportit.

Nuk duhen cituar rregullat për fitimin e pushtetit të Licio Gelli për të ditur se sa Milan i ka shërbyer Silvio Berlusconi-t. Të gjithë e dinë. Tifozi milanist është mbrojtur gjithmonë duke thënë se Berlusconi e ka ndihmuar Milanin, po aq sa ka përfituar prej tij. Domethënë, barazim kokë më kokë. Ka qenë gjithmonë një mënyrë e shtrembër që politika të mos absorbonte edhe pasionin e vet fëminor. Realiteti është se presidenca Berlusconi e Milan ka qenë ndërthurja më e ngushtë politikë–sport që ka parë ndonjëherë Europa nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe si gjithmonë kur është në mes biznesmeni dhe politikani milanez, gjithçka ka ndodhur në dritën e diellit, duke i mohuar edhe dëshminë më flagrante. Bile mund të shtohet se mënyra me të cilën Berlusconi ka drejtuar Milanin përshkruan mirë parabolën e pushtetit të tij. Fillimisht i shtyrë nga ëndrra palingjenetike, pastaj nga llogari ekonomike më realiste, në fund duke e përdorur për të qëndruar në skenë me bindjen që rreziqet burojnë nga errësimi. Do të ishte e lehtë të thuhej se Sacchi i përket periudhës përpara zbritjes në fushën politike të Presidentit të tij, por është e qartë për të gjithë sesa i ka ardhur për mbarë. Vetë Berlusconi ka thënë shpesh se një prej gjërave për të cilën ndjehet krenar është ajo që ka ndryshuar futbollin italian. Ama duke shtuar gjithmonë: “Me Sacchi-n”. Kush e njeh ish-Kryeministrin e di mirë se sa mirënjohja ndaj të tjerëve është e rrallë. Në konfirmim të faktit që revolucioni sacchi-an ka qenë aq i madh saqë asnjë pushtet politik nuk do të mund ta absorbojë krejtësisht.

(Davide Assael është diplomuar për Filozofi Teorike me Carlo Sini (Magna Cum Laude), për të vazhduar më pas një DÉA (Master) në Teologji në Universitetin e Gjenevës. Nga viti 2003 më 2009 ka zhvilluar aktivitet kërkimor për Fondacionin ISEC, duke bërë studime lidhur me filozofinë italiane bashkëkohore. Për shtëpinë botuese “Guerini e Associati” ka botuar dy vëllime monografike dhe artikujt e tij shfaqen në revista të ndryshme të specializuara).

 

Artikulli paraprakMisteri i botës së përtejme
Artikulli tjetërMirësevini në Amerikën e Trumpit