Revansh ndaj Granitit

Taulant Xhaka po pret me padurim ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes Bazelit dhe Arsenalit, ku do të vihet përsëri përballë vëllait të tij, Granitit, i cili luan me “Topçinjtë”. Mesfushori e sheh këtë edhe si një mundësi tjetër për të takuar të vëllain, me të cilin ka pasur më pak kontakte që kur është vënë nën urdhrat e Arsen Venger. “Ne folëm bashkë në telefon të hënën. Edhe ai po pret me padurim që të luajë kundër ish-shokëve të skuadrës. Por nuk kemi shkëmbyer informacione taktike”, shpjegoi për “Blick” mesfushori shqiptar për sfidën ndaj vëllait të vogël. Sigurisht që kjo nuk do të jetë një sfidë e lehtë, pasi të gjithë e shikuan në fundjavë se si Arsenali shkatërroi pa probleme Çelsin në derbin e Londrës.
“Ata kanë luajtur në një nivel shumë të lartë, ne duhet të kemi kujdes të mërkurën, të jemi gjithmonë të vëmendshëm. Graniti në stol? Atij i nevojitet më shumë kohë në Premier Ligë, pasi atje luhet krejtësisht ndryshe”, theksoi Taulanti, i cili e vlerëson përballjen mes të dyve si “diçka që është gjithmonë speciale”.
“Isha i lumtur që të dy dolëm shëndoshë e mirë nga fusha e lojës”, tha ai për sfidën në Europian ku dy vëllezërit nuk kursyen përplasjet njëri me tjetrin. “Unë shpesh përplasem edhe me shokët e skuadrës në stërvitje, është pjesë e karakterit tim. Nuk do të tërhiqem as përpara Granitit”, vijoi ai.
Kuptohet që Bazeli nuk është favorit përballë Arsenalit dhe Taulanti është i ndërgjegjshëm për këtë fakt. “Sigurisht që jemi jofavoritë. Por ne kemi treguar se mund të konkurrojmë ndaj ekipeve angleze. Ata luajnë hapur, më fort, siç na përshtatet neve. Ne mund të dhurojmë një surprizë. Kjo është një ndeshje krejt e ndryshme nga ajo me Ludogorets. Nuk mendoj se Arsenali do të luajë aq shumë në mbrojtje sa Ludogorets. Është thelbësore që ne të shfrytëzojmë rastet tona, kështu mund të vijnë surprizat”.
Më pas Taulanti iu kthye sfidës së muajit qershor mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Në atë takim isha frikësuar pak kur më duhet të markoja Granitin sepse nuk dëshiroja ta dëmtoja atë, shtoi në vijim Taulant Xhaka. Jam i përqendruar maksimalisht te ndeshja e kësaj të mërkure, theksoi më tej Taulanti, për mua është një ëndërr fëmijërie të luaj përballë Arsenalit në “Emirates Stadium”.
Në fund, pyetja e zakonshme mbi skuadrën për të cilën do të bëjë tifozllëk familja Xhaka e sidomos babai, Ragipi. “Babai është në Bazel prej 25 vitesh dhe është një tifoz i skuadrës. Ai vishet me ngjyrat kuq e blu të Bazelit, por gëzohet sigurisht edhe kur fiton Arsenali”, ishte përgjigjja diplomatike e Taulant Xhakës.

Artikulli paraprakPlehra, drogë e varfëri, trekëndëshi që ofron qeveria
Artikulli tjetër“Do ta hedh Guardiolën në gjyq”