“Reuters”: Një emërim i ri konfirmon që Papa po ndërhyn tek “Kalorësit e Maltës”

Papa Françesku e ka emëruar një kryepeshkop si të deleguarin e tij të ri për “Kalorësit e Maltës” duke i dhënë atij “të gjithë fuqinë e nevojshme” për të ndihmuar urdhrin fetar që të reformojë Kushtetutën dhe të zgjedhë një lider të ri.
Në një letër që “Reuters” raporton se është publikuar të shtunën, Françesku e ka emëruar numrin dy të Sekretariatit të Shtetit, kryepeshkopin Angelo Becciu, si të deleguarin special.
Mandati i Becciu e konfirmon lidhjen e vështirë që Kardinali amerikan, Raymond Burke e ka pasur me Papën.
Burke deri më tash ka qenë ura e vetme lidhëse në mes të Papës dhe urdhrit antik aristokratik që për gjenerata të tëra për pjesëtarë ka pasur fisnikët e katolikëve të Evropës.
Burke ka qenë arsyeja kryesore për krizën brenda këtij urdhri gjatë tri muajve të fundit, duke rezultuar me dorëheqjen e mjeshtrit të madh, Mathew Festing, pasi ky i fundit u përfshi në një debat publik kundër Papës rreth një skandali me kondomë.
Me përkrahjen e Burke, Festing e kishte pezulluar kancelarin e lartë të urdhrit, Albert von Boeselager. Pasi e ka marrë vesh këtë vendim, Françesku i ka marrë nën kontroll “Kalorësit e Maltës”, duke ia kërkuar dorëheqjen Festingut dhe duke i rikthyer në detyrë Boeselagerit.
Ndërhyrja e Papës ka alarmuar pjesëtarët e urdhrit “Kalorësit e Maltës”, të cilët janë krenarë për statusin sovran të urdhrit të tyre.
Në letrën e të shtunës, Papa ka thënë se Becciu do të punojë për së afërmi me Boeselagerin, i cili teknikisht tash është në krye të urdhrit “Kalorësit e Maltës”.

Artikulli paraprakSi po përgatitet Rusia për presidencën Trump
Artikulli tjetërRumania në revoltën më të madhe nga 1989