Reporterët pa Kufi, Shqipëria nuk përmbush standardet europiane të lirisë së shtypit

Shqipëria, së bashku me Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë nuk përmbush standardet europiane të lirisë së shtypit. Ky është përfundimi i arritur nga Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i hartuar nga Reporter pa Kufi për vitin 2017. Shqipëria renditet në vend të 76-të nga 108 vende të analizuara për lirinë e shtypit. Gazetarët në Shqipëri deklarojnë se kanë problem në aksesimin e dokumenteve publike të qeverisë, pavarësisht se ligji për të drejtën e informimit të publikut ekziston.
Organizata vlerëson se me rënien e shkallës së demokracisë, retorikën helmuese, ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike dhe shtimin e udhëheqësve autoritarë në botë, po rritet numri i vendeve ku liria e medias është më e kërcënuar se kurrë.
Ndër gjetjet kryesore të këtij raporti janë: Katër vende (Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përmbushin standardet europiane të lirisë së shtypit. Gazetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor po përballen me presion ekonomik dhe politik. Shpesh, gazetarët dhe shtypi kritik ndaj qeverisë janë objekt i presionit të qeverive. Liria e informacionit rrezikon të bëjë hapa pas duke parë trendin e fundit të zbatimit të ligjit për lirinë e shtypit në rajon.
Në krahasim me vitin e kaluar, Serbia ka pësuar një rënie të dukshme në renditje, duke u pozicionuar e 66 ndër 180 vende. Nga të gjitha vendet e Ballkanit vetëm Bosnje-Hercegovina ka ngritje, duke u renditur në vend të 65 nga 180 vende. Indeksi i Lirisë së Shtypit publikohet nga organizata e gazetarëve, Reporterët pa Kufi dhe vlerëson situatën e lirisë së medias në të gjithë botën. Indeksi publikohet çdo vit që nga viti 2002 dhe rendit 180 vende të botës sipas nivelit të lirisë së informacionit. Ai bazohet në plotësimin e një formulari të hartuar nga Reporterët pa Kufi drejtuar ekspertëve të medias.
Shqipëria renditet ndër tre vendet e fundit në Evropë për lirinë e medias. Ky është përfundimi i raportit të Freedom House për Lirinë e Medias 2017. Raporti vlerëson shkallën e lirisë së medias në 199 vende dhe territore në gjithë botën, duke vëzhguar situatën politike dhe ekonomike të vendit, ndikimin e qeverisë, bizneseve apo grupeve kriminale në media dhe mbulim e ngjarjeve nga kjo e fundit.
Sipas raportit, media në Shqipëri vlerësohet si pjesërisht e lirë, prej vitesh tashmë. Liria e medias shqiptare vlerësohet në total me 51 pikë -në një sistem vlerësimi 0 deri në 100, ku 0 tregon lirinë e plotë, ndërsa 100 mungesën totale të lirisë.
Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, media shqiptare vazhdon të ndikohet nga politika apo biznesi privat. Një alternativë më e pavarur dhe më e lirë po ofrohet nga disa media dhe blogje online, të cilët kohët e fundit po përhapen gjithnjë e më shumë, por që shpesh janë sulmuar nga qeveria. Në Evropë, Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë, e cila prej kohësh është e përfshirë në skandale mediatike e kriza politike dhe Turqinë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRama miraton kullën tjetër 133.8 metra të lartë, Tirana në prag kolapsi urban