Rekordi me taksat, në tre muaj Veliaj u mori qytetarëve 17 milionë euro

Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 2.4 miliardë lekë (rreth 17 milionë euro) të ardhura në tre muajt e parë të vitit 2017, sipas të dhënave të detajuara të buxhetit të bashkisë së kryeqytetit, të publikuara nga Portali i financave vendore (financatvendore.al), një project i Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 139%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arriti në 1.3 miliardë lekë (gati 10 milionë euro), duke shënuar një rritje të fortë, prej 25 herësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dyfishimi i kësaj takse, nga 4% të kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ka ndikuar në këtë tendencë. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të vitit 2017, në Tiranë u dhanë  43 leje ndërtimi nga 18 leje vitin e kaluar. Gjithashtu lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016 ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Të ardhurat nga taksa e infrastrukturës sollën 56% të të ardhurave në buxhetin e bashkisë, nga 27% që ishte kjo peshë në vitin 2014. Pas firmave të ndërtimit, kontribuesit e dytë më të mëdhenj me të ardhura për Bashkinë e kryeqytetit ishin bizneset dhe individët, që kanë paguar si tarifat për shërbimeve publike vendore (pastrim-gjelbërim etj.) 250 milionë lekë, apo rreth 1.8 milionë euro, me një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ata kanë paguar 1.55 milionë euro për tarifat e shërbimeve administrative (vërtetime, licenca, gjoba, qira, menaxhimi i aseteve, mencat etj.), me një rënie prej 2% me bazë vjetore. Si taksë pasurie mbi ndërtesat, bizneset dhe banorët e Tranës kanë paguar rreth 1.5 milionë euro, me një rritje të ndjeshme prej 89% në raport me janar-mars 2016. Si taksa të tjera, banorët e Tiranës kanë paguar 1.27 milionë euro, 35 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku peshën kryesore e zënë të ardhurat nga parkingjet, teksa në çdo cep të Tiranës sot është e vështirë të parkosh pa paguar.
Për taksat e tjera janë arkëtuar gjithsej 1.4 milionë euro, përfshirë edhe taksën nga biznesi i vogël, të ardhurat nga e cila kanë rënë me 97%, teksa pas heqjes së taksës së biznesit të vogël (që është zero për xhiron nga 0-5 mln lekë), Bashkisë iu desh të gjente hapësira të reja për të rikuperuar këtë humbje. Në rënie me 43% ka qenë dhe taksa për tabelat dhe reklamat. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve të huaj që kanë ardhur në Tiranë, taksa e hotelit ka sjellë vetëm 2% më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2017, Bashkia planifikon, sipas buxhetit të saj fillestar të mbledhë në total 14.2 miliardë lekë të ardhura, apo rreth 102 milionë euro. Në tre muajt e parë të këtij viti, ajo ka realizuar vetëm 17% të planit vjetor, çka nënkupton se duhet të përshpejtojë ritmin e mbledhjes së të ardhurave në tremujorët në vijim, në mënyrë që të realizojë të ardhurat e planifikuara për gjithë 2017-ën.

Veliaj ka dyfishuar taksat në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë
Qeveria pranon në një dokument të saj të fundit se bashkitë në vend kanë rritur shpenzimet e tyre për paga. Referuar këtij dokumenti thuhet se ajo që mund të ketë ndodhur është ose rritja e nivelit të pagave për punonjësit aktualë ose rritja e numrit të të punësuarve në bashki. Gjithsesi kjo rritje e shpenzimeve nuk është në linjë me atë që synonte reforma territoriale. “Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se, bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për personelin në tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë 4.3 miliardë lekë nga 3.5 miliardë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje me të paktën 25% në fondin që shkon për personelin justifikohet pjesërisht edhe me financimin e funksioneve të reja, por jo totalisht. Mbledhja e të ardhurave ka qenë dhe mbetet një sfidë për pushtetin vendor, i cili në shumë raste has ngërçin e mungesës së kapaciteteve. Gjithsesi duket se tremujori i parë 2017 reflekton një ecuri të mirë në zërin e të ardhurave për bashkitë, kjo në veçanti për Bashkinë e Tiranës, e cila mban edhe peshën kryesore. Në tremujorin e parë të vitit 2017, të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport. Nëse nga totali i të ardhurave zhvishet efekti i Bashkisë së Tiranës të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë, taksa e ndikimit në infrastrukturë vetëm në Bashkinë e Tiranës është 1.3 miliardë lekë, ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera është 400 milionë lekë në total. Tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël ka pësuar edhe rënien më drastike nga gjithë zërat e tjerë tek të ardhurat. Në tremujorin e parë 2017, kemi një rënie me 93% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Një tjetër problematikë duket se po shfaqet edhe për taksën mbi truallin. “Vlen të evidentohet se të ardhurat nga taksat mbi truallin urban e prezantuar së fundmi, janë në nivelin zero për tremujorin e parë. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet”.

Artikulli paraprak300 investitorë të huaj ikën nga Shqipëria në 2016
Artikulli tjetërS’kanë para, kontribuesit vullnetarë po “braktisin” skemën shtetërore të pensioneve