Reagon banka: Mister shkaqet e rënies së euros

Në kushtet ku deficiti i llogarisë korrente në 6-mujorin e parë ka qenë dy herë më i lartë se një vit më parë, tendencë kjo edhe në muajt në vijim, monedha vendase, leku, në vend që të nënçmohet, është forcuar.
Banka e Shqipërisë, në raportin periodik të politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, vuri në dukje se tendenca mbiçmuese e lekut u përforcua në muajt korrik dhe gusht, periudhë në të cilën kursi euro/lekë regjistroi vlerën mesatare prej 136.5 lekë/euro ose 2.3% më poshtë se një vit më parë.
Banka gjithashtu ka arsyetuar se ky forcim i lekut po vjen nga një ofertë e lartë e monedhës euro në treg, së cilës i është përgjigjur një kërkesë e dobët për euro.
Prania e pazakontë e euros në treg vjen në kushtet kur burimet e furnizimit të ekonomisë së vendit me euro janë përkeqësuar. Eksportet vendase që janë furnitori kryesor i kësaj valute janë përkeqësuar dukshëm këtë vit. Gjatë periudhës nëntëmujore ato ranë me 4.6%, duke i sjellë ekonomisë së vendit rreth 60 milionë euro më pak se njëjta e vitit të kaluar.
Gjithashtu të ardhurat nga emigrantët në 6-mujorin e parë ishin gjithashtu 4.6% më të ulëta se një vit më parë. Të ardhurat nga turizmi kanë vijuar me një bilanc modest, duke mos e justifikuar ofertën e madhe në treg të valutës europiane.
Banka e Shqipërisë thotë se ecuria e kursit euro/lekë, në tremujorin e tretë të vitit, ka reflektuar prezencën e prurjeve të larta valutore sezonale. Për rrjedhojë, tendenca mbiçmuese e lekut u përforcua në muajt korrik dhe gusht, periudhë në të cilën kursi euro/lekë regjistroi vlerën mesatare prej 136.5 lekë/euro, ose 2.3% më poshtë se një vit më parë.
Në tremujorin e tretë të vitit, monedha amerikane ka vijuar prirjen nënçmuese të saj në tregun vendas të nisur që në muajin mars, por me ritme më të moderuara. Nënçmimi i dollarit amerikan regjistroi 2.9% në muajt korrik dhe gusht dhe 1.4% në muajin shtator, nga mesatarisht që ishte 3.8% në periudhën mars-qershor.
Tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt të gjitha monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. Megjithatë, ky mbiçmim është shfaqur me ritme më të moderuara se në pjesën e parë të vitit. Mbiçmimi vjetor i lekut në terma nominalë efektivë kulmoi në 4.1% në muajin korrik, nga 3.3% që shënonte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit.

Artikulli paraprakBorxhi shtohet me 31 miliardë lekë
Artikulli tjetërBashkë me bursën piramidë humbin paratë