Reagimi nga CDU: Rama të kuptojë, s’ka negociata me Tahirin. Basha na kërkoi hapjen e negociatave

Thorsten Frei është një prej deputetëve gjermanë që e sheh me sy kritik hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Duke qenë se është edhe raportuesi për Shqipërinë në grupin e CDU-së në Parlamentin e Gjermanisë, mesazhet e Frei duhen marrë në konsideratë sidomos në një fazë kritike për vendin.
I pyetur nga ‘Gazeta Panorama’ se çfarë u bisedua gjatë takimit me liderin e opozitës, Lulzim Basha, Frei tha se demokrati kishte kërkuar hapjen e negociatave, ndërkohë që e kishte përshkruar situatën në Shqipëri nga këndvështrimi i tij.
“Lulzim Basha ka përshkruar situatën në Shqipëri nga këndvështrimi i tij, por kërkoi hapjen e negociatave të anëtarësimit. Megjithatë, ashtu si edhe me përfaqësues të qeverisë, unë identifikova qartësisht problemet që ka sot Shqipëria. Sigurisht, edhe ai e sheh faktin se në parim, në të pesta prioritetet thelbësore, për shembull në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka ende shumë pika të hapura. Edhe unë e bëra të qartë, se ne fillimisht duhet të shohim progres të dukshëm përpara se të hapim kapitullin e negociatave me Shqipërinë”, ka deklaruar deputeti i partisë së Angela Merkel.
Në këtë intervistë, Frei ka theksuar se çështja Tahiri është një nga kriteret që duhet të zbatojë Shqipëria nëse dëshiron hapjen e negociatave në muajin qershor.
Ndërsa për takimin e kryeministrit Rama me Merkel, deputeti gjerman u shpreh se “Kryeministri Rama ka kërkuar aprovimin e hapjes së shpejtë të negociatave të anëtarësimit, sepse ai beson se vendi e meriton këtë në sajë të arritjeve të kaluara politike”.

Artikulli paraprakRama bën drejtor të Teatrit të Kukullave “kukullën” e qeverisë
Artikulli tjetërTelevizioni francez në zyrën e Tahirit: Ka shumë akuza që të lidhin me trafikantët e drogës