Rashica si Mertens, kushton 5 milionë euro

Napoli dhe Milot Rashica. Një interes që ka nisur të kristalizohet me afrimin e merkatos së verës. Klubi italian duket se po mendon seriozisht ta blejë talentin shqiptar të Vitesses. Sulmuesi që në fund të muajit mars debutoi edhe me Kombëtaren shqiptare në miqësoren me Luksemburgun, krahasohet as më shumë e as më pak, por me Dries Mertens, mesfushorin belg të blerë në vitin 2013 për 9.5 milionë euro nga PSV Eindhoven. Rashica ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por megjithë moshën e re, ka personalitet të jashtëzakonshëm. Luan si sulmues krahu, por mund të aktivizohet edhe si mesfushor krahu apo organizator. Teknikë, vrapim dhe mbi të gjitha i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Në këtë sezon të Eredivisies me Vitessen regjistron 7 gola dhe 6 asist në 27 javë të kampionatit holandez.
Të dhëna këto që e kanë mahnitur Napolin, me drejtorin sportiv Giuntoli që po mendon ta blejë menjëherë. Një lojtar me perspektivë që taktikisht cilësohet sozia e Mertens, për të cilin klubi më pas do të vendosë nëse do ta huazojë në një tjetër skuadër, apo do ta mbajë në skuadër. Milot Rashica është një nga ata të rinj që mund të shpërthejnë menjëherë dhe të bëhet protagonist, edhe në një piacë të rëndësishme si Napoli. Precedenti me mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj e shpërbleu klubin me mënyrën më të mirë. Kjo bën që italianët të mos mendohen dy herë edhe pse për ta marrë nga Vitesse nevojiten rreth 5 milionë euro.  Te Napoli nuk duan të humbin kohë, edhe sepse ofertat për talentin kuqezi nuk mungojnë. Nga Tottenham e Everton në Angli, te Ajax e PSV në Holandë e për të vazhduar me Galatasaray-n në Turqi, konkurrenca është e madhe dhe lista rritet me kalimin e javëve.

Artikulli paraprakRikthehet Morati!
Artikulli tjetër“Panama Papers”, dalin emrat e Galianit, Berlusconit e Briatore