Raporti: Politikat buxhetore dëmtuan rritjen ekonomike

Politikat qeveritare në drejtim të konsolidimit fiskal të ndjekura nga qeveria shqiptare në dy vitet e fundit në disa raste kanë qenë në dëm të rritjes ekonomike të vendit.  Konkluzionin e ka nxjerrë vetë Ministria e Financave këto ditë në publikimin e Raport Progresit të Strategjisë së Menaxhimit Financiar 2014-2020.
Përpjekjet për të vënë në binarë arkën e shtetit janë përballur me sfida të tilla si një borxh publik në rritje, politika joadekuate dhe prioritizimin e shpenzimeve dhe një paragjykim i vazhdueshëm në parashikimet optimiste të rritjes së PBB-së.
Raporti i progresit thotë se, Ministria e Financave nuk mundi të përmbushë detyrimin kohor për ndryshime në ligjin organik të buxhetit brenda vitit 2015.
Reduktimi i borxhit publik gjatë periudhës afatmesme kërkon zotim politik për të mbështetur konsolidimin fiskal, prandaj rivendosja e kufijve për borxhin në ligj, në gjysmën e parë të 2016 paraqet emergjencë.
Strategjitë sektoriale nuk janë të lidhura tërësisht me parashikimet afatmesme  dhe jo gjithmonë japin informacion të plotë në lidhje me kostot e plota dhe burimeve të financimit shtesë.
Raporti i monitorimit vë në dukje se, ende nuk ka veprime konkrete për forcimin e kapaciteteve të administratës publike, të cilat të mund të vlerësojnë kthimin social-ekonomik të projekteve të investimeve kapitale. Procesi ka shumë të meta nga vlerësimi pamjaftueshëm i projekteve dhe vendimeve të fragmentuara financimit.
Gjithashtu për shkak të vonesave në blerjen e programeve, aktivitetet e planifikuara të tilla mbi monitorimin e borxhit dhe investimeve kapitale ende nuk kanë nisur.
Monitorimi vë në dukje se duhet përmirësuar efikasiteti i  Departamenteve Hetimore në Tatime dhe Dogana

Guvernatori: Duhet nxitur rritja ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko i ka bërë sërish thirrje politikëbërësve që të fokusohen në kryerjen e reformave. Këtë mesazh Sejko e ka dhënë gjatë fjalës që ka mbajtur në seminarin e nivelit të lartë me temë “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale”, organizuar nga Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi kontributin dhe rolin e politikës monetare në kushtet e një politike fiskale konsoliduese referuar eksperiencës shqiptare. Në fund të fjalimit, Sejko për të disatën herë kohët e fundit e dha sërish mesazhin për politikëbërësit: “Duhet që gjithmonë t’i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare: ne mund të ndikojmë mbi variablat nominalë të ekonomisë, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi. Në këtë drejtim, mendoj se duhet që gjithmonë t’i kujtojmë politikanët për përmbushjen e detyrave të tyre në lidhje me reformat strukturore dhe shfrytëzimin sa më mirë të frymëmarrjes që u jep politika monetare.

Artikulli paraprakOfertë për Neymar
Artikulli tjetërEuropa “ndizet” nga 4 finale futbollistike