Raporti/ KE: Një në tre familje shqiptare s’paguajnë dot dritat dhe ujin

Një raport i financuar nga Komisioni Europian nxjerr në pah mjerimin ekonomik ku jetojnë një pjesë e madhe e familjeve shqiptare. Sipas studimit të kryer nga Balkan Monitor, një në tre familje në Shqipëri nuk mund të paguajnë dot faturat e dritave dhe ujit.
“Në Shqipëri plot 34 për qind e familjeve shqiptare nuk mund të paguajnë dot faturat e shërbimeve publike, ndërsa 42 për qind e tyre nuk kanë ngrohje të përshtatshme në banesat e tyre,” thuhet në vrojtimin e Balkan Monitor, që është financuar nga Komisioni Europian.
Shqipëria ka numrin më të madh të familjeve që nuk kanë para të paguajnë faturat e dritave dhe ujit. Në vendet e tjera të rajonit, pjesa e popullsisë që nuk paguan dot faturat e shërbimeve publike është shumë më e vogël.
Sipas studimit, në Serbi pjesa e familjeve që kanë vështirësi për të paguar dritat dhe ujin është 21 për qind, në Kosovë 20 për qind, ndërsa në Maqedoni dhe Malin e Zi shifra është edhe më e ulët, respektivisht 16 dhe 14 për qind.
Vitet e fundit qeveria ka rritur me 27 për qind çmimin e energjisë për pjesën më të madhe të konsumatorëve familjarë, ndërkohë që nga fillimi i këtij viti Enti Rregullator i Ujit rriti me mbi 44 për qind tarifat e ujit në kryeqytet.

Por rritja e ndjeshme e tarifave nuk është arsyeja e vetme se pse familjet shqiptare nuk mund të përballojnë dot të paguajnë dritat dhe ujit. Një tjetër arsye është barra e rëndë e taksave, që qeveria dhe bashkitë kanë ngarkuar në këto fatura.
Sot familjet shqiptare paguajnë disa taksa në faturën e ujit, si tarifën e pastrimit, taksën e posaçme të shkollave si dhe taksën e pronës, e cila pritet të rritet më tej.
Së bashku me rritjen e tarifave këto taksa e kanë bërë të papërballueshme faturën e shërbimeve bazë publike për mbi 250 mijë familje shqiptare ose 34 për qind të të totalit.

11 22 1

Artikulli paraprakLubonja: Ligji për Teatrin antikushtetues! Parlamenti veproi si një bandë, duhet të bëjmë rezistencë
Artikulli tjetërDeschamps: Siç ndalëm Messin do të ndalojmë edhe Belgjikën