Raporti i KLSH/ Konflikti mes Tatimeve dhe AKSHI-t po asgjëson sistemin e-taksa

Një konflikt mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për tenderin e sistemit kompjuterik të taksave po kërcënon funksionimin e këtij sistemit. Alarmi është dhënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Nga auditimi u konstatua se pajisjet fizike të sistemit e-Taxation janë në një situate tejet kritike. Ky konstatim bazohet në të dhënat mbi hapësirën e lirë në servera dhe në storage e cila paraqitet rreth masës 90 %, pra pothuajse në ezaurim,” thotë KLSH në raportin e auditimit.

Por pse sistemi e-taxation përfundoi në gjendje kritike duke rrezikuar të ndërpresë funksionimin? Sipas KLSH, arsyeja është një përplasje mes AKSHI-t dhe Tatimeve për shumë e fondeve.

Në shkurt të këtij viti, përmes një shkrese zyrtare, AKSHI ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve se ka përfunduar testimi i tregut për procedurën me objekt “Hapësira hardware për kapacitetin e serverave (Përmirësim i sistemit e-Taxation)”, ku përllogaritja e këtij fondi është në vlerën 403,5 milionë lekë pa TVSH.

Në përgjigje të këtij komunikimi, DPT ka sqaruar në mënyrë të detajuar se fondet në dispozicion të saj për këtë tender janë 120 milionë lekë, të planifikuara vetëm për përmirësimin e pajisjeve fizike ku hostohet ky sistem, ndërsa fondet e tjera nuk janë miratuar nga MFE në buxhetin e DPT-s pasi nuk janë informuar mbi detajimin dhe domosdoshmërinë e këtij investimi.

“DPT me shkresën nr.3140/1, datë 06.03.2023 ka vënë në dijeni AKSHI-n se administrata tatimore rrezikon të kalojë në kolaps megjithëse shtimi i kapacitetit Hardware është buxhetuar nga DPT në vitin 2022 por nuk është realizuar, sepse zgjidhja e propozuar nga AKSHI është përfshirja në një procedurë për mirëmbajtje sistemi, rritje të kapacitetit hardware, si dhe zhvillimin e sistemit,” sqaron KLSH në raport.

Ndërsa tatimet thonë se kanë vetëm 120 milionë lekë në dispozicion vetëm për përmirësimin e pajisjeve fizike, ku hostohet sistemi, AKSHI ka kërkuar që vlera limit e tenderit të jetë 4 herë më e lartë dhe të përfshijë edhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit e -tax.

Për shkak të këtij konflikti tenderi për blerjen e pajisjeve të reja hardware, që do të rrisnin hapësirën e sistemit është shtyrë pamabarimisht deri në pikën kur sistemi tashmë e ka ezauruar thuajse të gjithë hapësirën./kapitali.al

Artikulli paraprakKu janë studentët?! Numri reduktohen me 43% në mbi 1 dekadë, ja faktorët që po ndikojnë! Efekti tek tregu i punës, ç’thonë ekspertët
Artikulli tjetërLibrat e rinj më të shitur: Mira Meksi dhe Bashkim Shehu në krye. Rikthehet interesi për Amos Ozin