Raporti i HCP: Sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv

Health Care Powerhorse, organizata lider në botë për vlerësimin e sistemeve shëndetësore, deklaroi se sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv. Në një raport të quajtur “Indeksi Konsumator i Shëndetit 2017” HCP e rendit Shqipërinë në tre vendet e fundit me sistemin më të keq shëndetësor në Europë. Sipas raportit, Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor dhe qytetarët detyrohen të paguajnë kosto të larta për t’u kuruar në spitale.
“Shqipëria shmang renditjen në vendin e fundit për sistemin shëndetësor vetëm falë performancës së fortë në Aksesin Shëndetësor, ndërsa treguesit e tjerë janë të gjithë me një performancë të dobët”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, Shqipëria renditet negativisht në parandalimin e sëmundjeve, vdekshmërinë e fëmijëve si dhe shumë tregues të tjerë.
Madje raporti përgënjeshtron edhe pretendimet e qeverisë për renditjen e dobët të sistemit shëndetësor, e cila ja vë fajin për këtë vetë qytetarëve. “Sipas Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë, shqiptarët janë neglizhentë dhe shkojnë tek mjeku vetëm kur detyrohen. Por kjo deklaratë duket se mbithjeshton problemet e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Shqiptarët shkojnë për vizitë tek mjeku parësor dy herë më shumë se suedezët”, thuhet në raport.
Sipas indeksit, shqiptarët paguajnë kosto shumë të larta nëpër spitale, të cilat marrin mbi 50 për qind të të gjitha shpenzimeve për kujdesin mjekësor. “Kjo do të thotë se, për shkak të kostove të larta të pranimit në spitale, shumë shqiptarë e kanë të pamundur të marrin shërbim, ndryshe nga italianët ose hollandezët”, thuhet në raport. Qeveria shqiptare premtoi shëndetësi falas për qytetarët që në vitin 2013. Por premtimi rezultoi thjesht një mashtrim, ndërkohë që realisht Shqipëria ka një nga sistemet shëndetësore më të këqija në Europë dhe me kosto të larta për qytetarët.

Artikulli paraprakKomploti i mafies në institucione për të mbyllur gojën e financierit
Artikulli tjetërBanorët e Valbonës ngrenë padi të re kundër ndërtimit të hidrocentraleve