Raporti Bankës: 45% e bizneseve mendojnë se situata ekonomike do bëhet edhe më keq

Situata aktuale ekonomike dhe perspektiva kanë rezultuar të përkeqësuara për bizneset dhe individët, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për aktivitetin kreditues. Si bizneset dhe individët kanë ulur kërkesën për kredi, pasi janë pesimistë për të ardhmen e ekonomisë.

Situata e përkeqësuar ekonomike dhe mungesa e paaftësisë paguese janë dy faktorë që i kanë ndikuar shumë negativisht kushtet e financimit me kredi nga bankat, si për biznesin ashtu edhe për individët. Bankat tregtare në vend raportuan tek Banka e Shqipërisë se kanë rritur në rekorde historike perceptimin negativ mbi ekonominë dhe perspektiven e saj si pasojë e efekteve negative të pandemisë Covid-19.

Bazuar në gjykimet e bankave, kërkesa e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e dytë u ndikua nga përkeqësimi i besimit të biznesit; rënia e theksuar e nevojave për financimin e investimeve; situata aktuale ekonomike dhe perspektiva e saj. Perceptimi mbi perspektivën ekonomike shënoi një indeks negativ me 35 për qind, ndërsa besimi i biznesit me mbi 45 për qind duke shënuar rekorde të reja.

Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, si edhe tolerancë më të ulët të bankave ndaj rrezikut, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19.

Në kredinë për individë perceptimi i bankave për aftësinë paguese shënoi një përkeqësim me -45% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo si rrjedhojë e ndikimit negativ që ka dhënë pandemia në tregun e punës. Situata ekonomike dhe perspektiva ka përjetuar një përkeqësim të ngjashëm me rreth 45%.

Sipas gjykimit të bankave, pothuajse të gjithë faktorët që ndikojnë kërkesën për kredi të individëve kanë qenë në kahun negativ në tremujorin e dytë të vitit.

Kështu, nevojat më të ulëta në financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit, shtimi i kredive në bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka, zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe rënia e besimit konsumator sollën reduktimin e theksuar të kërkesës për kredi në tremujorin e dytë të vitit.

Po ashtu, bankat kanë vlerësuar se në tremujorin e dytë të vitit rënia e të ardhurave dhe pasiguria financiare për të ardhmen, të shkaktuara nga zgjatja e periudhës së pandemisë, ishte një prej faktorëve kryesorë që solli rënien e kërkesës për kredi. i vetmi faktor që vlerësohet të ketë shtuar kërkesën për kredi nga ana e individëve është raportuar rifinancimi, ristrukturimi i borxhit ekzistues.

Artikulli paraprakVideo/ Dyluftimi mes Tyson dhe tigrit të tij
Artikulli tjetërPropaganda socialiste kopjon Hillari Klintonin për të përshkruar Ramën si hero