Rama u heq mësuesve pagën e 13-të dhe shpërblimin e fundvitit

Të gjithë mësuesit e Shqipërisë, 36 mijë mësues të arsimit parauniveristar janë prej 6 muajsh pa kontratë pune. E ndërsa vendi i punës u kërcënohet me shkarkim, qeveria ka vendosur në unison heqjen e pagës së 13-të për mësuesit, si dhe shpërblimin e fundvitit gjithashtu. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat, Luçiano Boçi denoncoi dje amullinë e krijuar në sistemin e arsimit, ndërsa dënoi mungesën e kontratës për mësuesit dhe e lidhi këtë me mohimin që qeveria kërkon t’u bëjë mësuesve duke mos u dhënë pagën e 13-të.
“Ministrja e Arsimit refuzon të nënshkruajë kontratën kolektive me sindikatat, duke shkelur ligjin. Mungesa e kontratës së punës që prej 31 majit i mban mësuesit të pasigurtë në vendet e punës. Ata janë të pambrojtur dhe Ministria e Arsimit mund të marrë në çdo kohë vendim arbitrar për largimin e tyre, siç edhe ka ndodhur. Ka edhe dy arsye të tjera, përse ministrja nuk firmos kontratën kolektive për 36 mijë mësuesit e Shqipërisë.
Sepse qeveria refuzon t’u paguajë mësuesve pagën e 13-të dhe sepse refuzon t’u japë shpërblimin e fundvitit. Refuzimi për të lidhur kontrata me mësuesit e sistemit parauniversitar, është në kontrast me vendimin e qeverisë, e cila, për shembull, paguan për një incinerator pa u ndërtuar dhe për check up-in pa u bërë fare analizat. Veprimi me dy standarde i qeverisë është i qartë: klientëve me të cilët ndajnë miliona euro, u jepet siguri me kontrata dhjetëvjeçare, ndërsa arsimtarët lihen të pasigurtë dhe të papaguar.

Ulja e buxhetit për arsimin

Arsimi vazhdon të mbetet një prioritet i ulët për qeverinë dhe i keqfinancuar në krahasim me vendet e tjera, jo vetëm vendet e zhvilluara, por edhe ato pak të zhvilluara.
Shpenzimet qeveritare, shpenzimet e buxhetit të shtetit, të parashikuara për vitin 2018 për arsimin janë rreth 38,4 miliardë lekë, afërsisht 286 milionë euro. Ky buxhet është parashikuar të jetë rreth 2,49 për qind të prodhimit të pritshëm të vendit, prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB).
Në këtë mënyrë, Shqipëria është një nga vendet me shpenzimet më të vogla qeveritare në botë. Duke u mbështetur në të dhënat e vitit të shkuar të Bankës Botërore dhe duke vlerësuar në mënyrë të përafërt, Shqipëria renditet jo më lart se vendi i 135 në botë për nga shpenzimet qeveritare krahasuese për arsimin. Për të krijuar një ide më të qartë, duhet thënë se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka 193 vende anëtare dhe pas Shqipërisë mbeten kryesisht vendet më të pazhvilluara të botës.
Vendet e BE-së shpenzojnë fonde publike sa afërsisht mesatarisht 4,9 për qind e PBB-së, pra pothuajse dy herë më shumë se Shqipëria.
Duhet theksuar se, Shqipëria ka bërë mbrapa në krahasim me vitin 2013, kur shpenzimet e arsimit ishin në 3,54 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 116 në botë. Në krahasim me vitin 2015, kur përqindja e shpenzimeve të arsimit ndaj PPB ka rënë me afërsisht 30 për qind.
Shpenzimet qeveritare të planifikuara për arsimin në krahasim me GDP-në kanë ardhur duke u ulur gjatë gjithë qeverisjes socialiste. Në vitin 2018, ato do të jenë rreth 0,9 pikë përqindje ose një e katërta më pak se sa ato në vitin 2016. Kjo vazhdë rënie pritet që të vazhdojë deri në vitin 2020, sipas parashikimeve të buxhetit afatmesëm.
Kjo situatë është dështim edhe përballë vetë programit të qeverisë. Në strategjinë e Arsimit Parauniversitar të miratuar në vitin 2016, ishte vendosur që në vitin 2018 shpenzimet buxhetore për arsimin të arrinin në 5 për qind të PBB-së.
Shpenzimet qeveritare të parashikuara për vitin 2018 për arsimin parauniversitar, për të gjitha nivelet nga kopështi deri në arsimin e mesëm, janë rreth 2,11 për qind e PPB-së, ndërkohë që objektivi i qeverisë ishte që ato të ishin rreth 2,73 për qind e PBB.
Shpenzimet e parashikuara në buxhet janë 68.5 mijë lekë për nxënës për arsimin fillor dhe 74,2 mijë lekë për nxënës për arsimin e mesëm. Ndërkohë që në strategjinë e arsimit ishte parashikuar që shpenzimet mesatare për nxënës të të gjitha niveleve duhet të kishin kaluar nivelin e 92 mijë lekëve. Ky nivel i financimit është shumë i ulur: ndërsa Shqipëria e ka mesatarisht rreth 700 dollarë shpenzimet për nxënës në vendet e OECD-së shpenzimi luhatet nga të paktën 2 500 dollarë në rreth 10 mijë dollarë për nxënës.
Mbi 85 për qind e shpenzimeve, rreth 180 milionë euro, do të shkojë për financimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit e sistemit, ndërsa investimet do të zënë vetëm 8 për qind të shpenzimeve.
Pesha e shpenzimeve që vendoset në zërin “rritja e cilësisë së mësimdhënies, trajnimi i mësuesve, pajisja e shkollave me laborator shkencorë e IT, krijimi i bibliotekave dixhitale, etj., është shumë e vogël.
Totali i shpenzimeve për trajnimin e mësuesve për arsimin parauniversitar do të jetë 50 milionë lekë ose rreth 376 mijë euro. Është një financim gati i papërfillshëm, duke patur parasysh se trajnimi dhe ritrajnimi i mësuesve është një nga proceset më të rëndësishme të çdo sistemi arsimor.
Shpenzimet për laboratorë fizike, kimie, për instalimin e platformave të mësimit elektronik dhe pajisja me tabletat e informatikës janë parashikuar rreth 110 milionë lekë, rreth 827 mijë euro. Ky është një investim minimal, duke patur parasysh se për këtë zë nuk ka patur asnjë financim në vitin 2016 dhe 2017.
Të gjithë këta tregues tregojnë se arsimi jo vetëm është reduktuar në një prioritet të ulët, por është edhe në terma absolutë i keqfinancuar. Kjo politikë do të ketë ndikim të padiskutueshëm në cilësinë e mësimdhënies dhe në përgjithësi në cilësinë e arsimimit të fëmijëve.

Artikulli paraprakPastrimi i parave, Veliaj vijon ndarjen e llokmave në koncesionin për shkollat
Artikulli tjetërMekanizmi i ri mbrojtës i BE