Rama shton me 20 milionë dollarë faturën për koncesionin e Vilmës

Brenda tre muajve, koncesionit të laboratorëve iu shtuan dhe 20 milionë dollarë, mbi faturën e parë me vlerë  80 milionësh që ishte parashikuar në buxhet. Kjo është bërë në ditët e fundit, kur këtë detyrë e mbante akoma ish-ministri Ilir Beqja, që me sa shihet nuk është mjaftuar me shifrat marramendëse të koncesioneve të mëparshme, por ka bërë dhe një goditje të fundit përpara se të lerë detyrën. Në fund të vitit të kaluar, shifra e raportuar nga Arben Ahmetaj për këtë koncesion ishte rreth 10.7 miliardë dollarë, me një shtrirje kohore prej 10 vjetësh, por në momentin e firmosjes, fatura arriti në 13 miliardë dollarë, ose 21.5% më shumë se vlera e parashikuar.

Shtesa

Vetë qeveria akoma nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se përse kjo fryrje e faturës, por thjeshtë ka shënuar vlerën që i duhet t’i paguajë kompanisë “Labopharma”, një nëndegë e kompanive të Vilma Nushit. Proçedurat për konçesionin e laboratorëve shtetërorë nisën që vitin e kaluar. Ministria e Shëndetësisë pati lajmëruar fillimisht se fituesi i konçesionit do të shpallej në shkurt. Por tenderi u zhvillua gati dy muaj e gjysmë me vonesë dhe fituesi u shpall në fund të muajit prill. Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve, në tenderin për dhënien me koncesion të laboratorëve morën pjesë 9 shoqëri ose bashkime shoqërish. Por 5 prej tyre nuk paraqitën asnjë ofertë financiare dhe rrjedhimisht janë shpallur të pavlefshme. Si rezultat në garë ishin vetëm katër oferta të vlefshme. Oferta më e favorshme financiare u dha nga një kompani shqiptare e quajtur Genius sh.p.k. Kjo kompani ka ofruar t’i kryejë analizat për pacientët me një kosto më të ulët nga çmimi i listës së testeve. Por kjo ofertë u skualifikua nga Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas saj kompania kishte mangësi në dokumentacion. Si rezultat, fituese u përzgjedhur oferta e dytë më e ulët, ajo e konsorciumit të përbërë nga tre shoqëri; shqiptarja Labopharma, kompania franceze Exalab dhe ajo hollandeze AB Laboratory Solutions, të cilat ofruan kryerjen e analizave me një çmim 10.7 për qind më të ulët se çmimi i listës së testeve.

Kompanitë e Vilmës

Labopharma, kompania e shpallur fituese në konçesionin e laboratorëve figuron e lidhur me të njëjtët persona, të cilët kanë një tjetër kontratë disa milionë dollarësh në shëndetësi, atë të koncesionit të Check up-it, raporton portali “syri.net”. Firma “Labopharma”, fituesja e koncesionit të laboratorëve, është në pronësi të Janis Karathano. Karathano rezulton po ashtu të jetë pronari i firmës “Pegasus”, e cila tregton dhe importon produkte medicinale. Fitimet më të mëdha të tij vijnë pikërisht nga Pegasus, e cila ka marrëdhënie intensive biznesi me kompaninë që administron Check up-in. Në një raport auditimi të “Deloitte”, rezulton se Janis Karathano i ka dhuruar firmës që ka koncesionin e Check up-it, në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi, pajisje laboratorike dhe programe të nevojshme për të bërë analizat. Të gjitha këto, nënvizon raporti, janë dhënë falas, për shkak se koncesionari i Check up-it bleu pjesën më të madhe të medikamenteve mjekësore të “Pegasus”. Menjëherë, që këtë vit, konsorciumi që fitoi kontratën me qeverinë shqiptare do të marrë 7 milionë dollarë, ndërsa vitet e tjera do të marrë 10 milionë. Ndryshe nga sa ka ndodhur me “Pegasus”, me kompaninë tjetër “Labopharma”, biznesmeni Karathano rezulton me humbje.

Monopoli, asnjë shërbim mjekësor po nuk bëre analizat te Vilma

Kemi të bëjmë me një vendim skandaloz korrupsioni, i cili do të rrjepë hallexhinjtë e këtij vendi nga të gjitha anët. Jo vetëm që ata do të paguajnë kredinë e marrë nga Banka Botërore për këtë shërbim, por do të duhet të paguajmë dhe tarifat që do të miratohen nga klienti i qeverisë. Një tjetër situatë është ajo e pranimit të analizave. Spitali publik dhe jo vetëm, por edhe poliklinikat shëndetësore shtetërore nuk do të pranojnë asnjë fletë analize tjetër të kryer në laboratorë të tjerë të licencuar, por vetëm në ato që janë kryer në laboratorët e klientit koncesionar të qeverisë. Një tjetër pasojë e këtij vendimi absurd dhe korruptiv është dhe frika e shprehur e punonjësve. Aktualisht, në këtë shërbim punojnë rreth 520 laborantë dhe 210 punëtorë të tjerë të ndihmës, të cilët do të kalojnë në varësi të koncesionarit, duke u shkëputur nga struktura e Ministrisë së Shëndetësisë.

Afera korruptive, koncesionarit i paguhet gjithçka vetëm nga shteti

Por çfarë do të ndodhë me këto laboratorë? Është një vjedhje e pastër, ku klienti i radhës nuk do të shpenzojë asgjë. Për ta bërë më të kuptueshme nga të gjithë, ajo që do të ndodhë është pak a shumë kjo. Klienti shkon me duar në xhepa dhe merr një copë letër ku e shpall fitues. Më pas, për vitin 2017 i akordohen rreth 7 milionë euro nga buxheti i shtetit, pas një kredie të marrë për këtë qëllim nga Banka Botërore, prej 65 milionë eurosh, ndërsa 25 milionë jepen nga buxheti. Sipas marrëveshjes në përdorim të tij, kalojnë të gjitha ndërtesat e laboratorëve, kryesisht në Tiranë, por edhe në rrethe. Marrëveshja parashikon që me nisjen e punës, fitimi ndahet në 45 për qind të klientit, 20 për qind të shtetit dhe 35 për qind që mbetet për investime. Për çdokënd që ka njohuritë më minimale në ekonomi, kjo do të thotë që këtë punë mund ta bëjë dhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Ndërtesat janë, paratë janë marrë me kredi, klientela e garantuar dhe 45 për qind të fitimit janë të pastra në xhep. Po t’i shtosh këtu dhe 35 për qind të tjera, që me demek janë për investime shkon në 80 për qind. Pra, një person fizik që ka një numër NIPT-i që hapet me 200 lekë të vjetra në QKR. Është si të thuash të ngrysesh fukara dhe gdhihesh milioner, pa pasur asnjë qindrakë në xhep. Ose më qartë, pronari dhe investitori që në këtë rast është shteti të mjaftohet me 20 për qind të fitimit, ndërsa “hyzmetqari” që është koncesionari të marrë pjesën tjetër prej 80%. Kjo lloj teorie ekonomike nuk mund të ndodhë në asnjë sistem, qoftë në ekonomi tregu apo të centralizuar. Janë vetëm teori ekonomike, që mendja e një rilindasi mund ta pjellë dhe në rast se do të shpërndahej ndonjë çmim për vjedhjen e parave të taksapaguesve, natyrisht do të fitonte “Teoria Beqaj”…

Artikulli paraprakKamatvonesa e penalitete; bankat cënojnë minimumin jetik të kreditorëve
Artikulli tjetër1170 hektarë tokë do dëmtohen nga restorti që do ndërtohet në Divjakë