Rama, Sandri dhe Enveri!

Sali BERISHA

Dje kreu i ekzekutivit serb, Aleksandër Vuçiç, i famshëm për nismën e tij “një shtëpi për Ratkon”, pra për të fshehur kryekriminelin Ratko Mlladiç, pasi dështoi me provokacionin e ulët të marshimit drejt Kosovës me trenin e serbomadhisë, vazhdoi dje agresionin verbal ndaj shqiptarëve me kërcënimin, ultimatumin më arrogant e paranojak që një kryeministër serb ka formuluar këtë shekull ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
Kështu, Vuçiç, pasi u detyrua të kthejë me bisht nën shalë trenin e serbomarrëzisë, nga agresor u kthye në viktimë dhe paralajmëroi shqiptarët “të rrinë urtë” se një herë të dytë “nuk do t’i falë”. Kështu, Vuçiç kërcënoi për ndëshkim Kosovën sikur po fliste për një qytet të Serbisë dhe jo për një shtet të pavarur, me të cilin ka humbur luftën dhe firmosur kapitullimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Natyrisht nga krerët e sotëm të Beogradit nuk mund të pritet asgjë tjetër përveç përpjekjeve për të destabilizuar rajonin. Skenari i trenit me simbole dhe bashibuzukë të serbomadhisë drejt Kosovës erdhi pas sherrnajës që Beogradi bëri me Kroacinë, dështimit të grushtit të shtetit që organizoi në Mal të Zi. Të gjitha këto dëshmojnë se Serbia ka pasion të mbetet delja e zezë e Ballkanit dhe se elita politike serbe nuk del dot jashtë kësaj orbite.
Nuk ka asnjë dyshim se, në këto qëndrime arrogante të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, një inkurajim dhe nxitje reale ka qenë dhe është politika aktuale e Tiranës zyrtare. Edi Rama, për interesa qartësisht jo shqiptare dhe protagonizëm personal, me vizitat dhe takimet e shpeshta me krerët e Beogradit, qëllimshëm është përpjekur të defaktorizojë Kosovën dhe udhëheqjen e saj politike në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Këtu qëndron dhe një nga shkaqet e provokacionit të ulët të Beogradit me trenin e serbomadhisë dhe ultimatumit të Vuçiç pas dështimit me trenin e serbomarrëzisë.
Në reagimin e tij tejet të vonuar, dje Edi Rama nuk guxoi t’i përgjigjej direkt Sandrit të tij, por foli me të nëpërmjet Enverit dhe jo pa qëllim zgjodhi Enverin. Natyrisht, Enveri u zgjodh për mesazh për dy arsye: së pari, “Sandër mos u mërzit se e kam me Enverin dhe jo direkt me ty, se ne jemi miq”, së dyti, “zgjodha Enverin (dhe Enverit që i shkruajti Ramës i kërkoi ndjesë dhe e përgëzoi për shqetësimin e tij) dhe jo Ademin, pasi e dini vetë se çfarë ishte Enveri për ju”.
Duke dënuar dhe një herë ultimatumin e Beogradit dhe mbështetur plotësisht qëndrimin e vendosur dhe të matur e dinjitoz të autoriteteve të Kosovës, shpreh shqetësimin tim serioz për qëndrimet e Edvin Kristaq Ramës dhe servilizmin e tij të trashëguar ndaj Beogradit, në traditën më antishqiptare të etërve të tij. Gjithashtu i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë dhe të dënojë haptas skenarët destabilizues të Serbisë në rajon! sb

Artikulli paraprakTraktoristi i dalluar Edi Rama
Artikulli tjetërInteri mbyll merkaton e janarit