Rama refuzon paragrafin 88, Bylykbashi: Komisioni nuk mund të miratojë reformën

Deputetët demokratë kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi për shkak të refuzimit të shumicës për të diskutuar paragrafin 88 të raportit final të Venecias. Nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, tha se Komisioni nuk mund të miratojë as nen për nen dhe as në tërësi draftin për Reformën në Drejtësi.
“Komisioni nuk ka asnjë mundësi të miratojë nen për nen dhe as në tërësi. Negociatat nuk mund të zhvillohen me pistoletë në tryezë. Ose mazhoranca kërkon të vazhdojë negociatën ose mazhoranca kërkon të mbajë status quo-në që ka, kapjen e procesit nëpërmjet një drafti tërësisht të njëanshëm”, tha Bylykbashi.
“Asnjë draft deri më sot nuk reflekton atë që thotë Komisioni i Venecias. Zgjidhje politike për këtë çështje të vetme të mbetur. Pa u zgjidhur kjo, çdo gjë tjetër nuk ka asnjë vlerë para Parlamentit shqiptar”, tha deputeti demokrat.
Bylykbashi tha se topi është në oborrin e Kryeministrit dhe se shumica nuk duhet të bëjë asgjë më shumë se të pranojë rekomandimin 88 të Venecias. Bylykbashi tha se çdo tentativë tjetër e njëanshme për të detyruar miratimin e ndonjë drafti që nuk reflekton zgjidhjen politike për këtë çështje të vetme të mbetur, vetëm dëmton procesin e negociimit dhe arritjen e kësaj zgjidhjeje.
“Ka vetëm një çështje që mbetet për t’u zgjidhur që është vendimmarrja për emërimin e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë, e vetmja çështje që opozita ka propozuar pikë më pikë me paragrafin 88 të Komisionit të Venecias. Kemi bërë propozimin, jemi në negociata. Çdo tentativë tjetër e njëanshme për të detyruar miratimin e ndonjë drafti që nuk reflekton zgjidhjen politike për këtë çështje të vetme të mbetur, vetëm dëmton procesin e negociimit dhe arritjen e kësaj zgjidhjeje.
Mazhoranca duhet të bëjë vetëm një gjë, të pranojë germën 88 të raportit final të raportit të Venecias. Sot topi është në oborrin e Kryeministrit, ajo që thotë Komisioni i Venecias të katër organet kolegjiale të miratohen në mënyrë të tillë që të garantohet përfaqësimi i opozitës. Asgjë më pak dhe as më shumë. Nuk kërkon asgjë më shumë opozita, nuk do të pranojë asgjë më pak sesa kjo. Çdo gjë tjetër çon në kapjen politike të procesit të Reformës në Drejtësi dhe produktit të reformës, përfshirë Vetingun”, u shpreh deputeti demokrat.

Artikulli paraprakAsnjë pakt me Ramën pa ‘Venecian’, vëllazëria me krimin të pranojë rekomandimin 88
Artikulli tjetërFaqja e parë