Rama po luan me zjarrin, refuzon paktin SHBA-BE

Rama po luan me zjarrin. Kreu i qeverisë në ikje refuzoi dje propozimin për zgjidhjen e krizës politike të BE të mbështetur zyrtarisht edhe nga Shtetet e Bashkuara. Askush nuk e di se cili do të jetë fati i Ramës pas këtij refuzimi, por ajo që dihet është se atij po i mbaron koha.
Rama, ka shkelmuar dje në një mënyrë të njëanshme paketën McAllister të propzouar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Ajo çka Rama pranoi më 25 prill është ndryshuar ditën e djeshme, teksa pritej që nga negociatat mes palëve të dilej me një përfundim për zgjidhjen e krizës.
Burimet shprehen se Rama nuk ka pranuar datën e shtyrjes së zgjedhjeve, duke bërë të pamundur kështu identifikimin biometrik të zgjedhësve një nga kërkesat kryesore të opozitës. Duhet theksuar se në paketën McAllister, data e zgjedhjeve parashikohej ajo e 16 korrikut, ndërsa i dërguari i SHBA zoti Hot Bryan Yee, propozoi si datë alternative dhe atë të 23 korrikut. Por jo vetëm kaq. Rama ka hequr dorë dhe nga postet ministrore që duhet t’i jepeshin opozitës sipas paketës së propozuar dhe të pranuar nga SHBA. “Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, zoti Fleckenstein dhe zoti McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë, do thoshte Yee. Nga ana e tij, Rama ka bërë disa propozime qesharake, të cilat kanë të bëjnë me një post në Ministrinë e Arsimit dhe disa drejtorë qarqesh në Policinë e Shtetit që t’i jepen opozitës, propozime që i ka bërë dhe më parë në negociatat e mëparshme “Rama është dakord që opozitës t’i jepet vetëm posti i ministrit të Arsimit dhe e drejta për të emëruar drejtorët e policisë nëpër qarqe dhe asgjë më tepër”. Burimet shprehen se një ditë më parë Rama nuk ka pasur kundërshti gjatë takimit me zotin Yee, por ka ndërruar mendje një ditë më pas, duke treguar dhe një herë paqëndrueshmërinë e tij për sa i përket zgjidhjeve politike, dhe qëndrimeve zyrtare në arenën ndërkombëtare.
Paketa McAllister
Por çfarë përmbante në tërësi paketa e McAllister dhe sa ndryshon ajo me atë çfarë ofron Rama. Paketa e të dërguarit të BE-së, përmbante pesë pika që kishin të bënin: Shtyrje të procesit zgjedhor mundësisht për në 16 korrik. Zëvendësim të katër ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë të propozuar nga kryeministri dhe të pranuar nga opozita. Zgjidhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe të Avokatit të Popullit. Kreu i KQZ të ishte i opozitës, me kushtin që shumica t’i lihej mazhorancës. Tryezë e rrumbullakët të OSBE për pjesëmarrjen e OJQ–ve në monitorimin e procesit. Pra, pikat e zotit McAllister janë tepër të qarta dhe ato çka ofron Rama nuk i afrohen aspak zgjidhjes që kanë dhënë ndërkombëtarët. Duhet theksuar se një ditë më parë dhe i deleguari i SHBA për zgjidhjen e krizës, Ndihmësekretari i Shtetit, Hot Brian Yee, gjatë një takimi me gazetarët, u shpreh se vetë SHBA nuk ka një paketë për zgjidhjen e krizës dhe vetë SHBA-të mbështesin paketën McAllister. Duket se Rama qysh prej fillimit të herës, nuk ka pasur ndërmend një zgjidhje të krizës, duke i hyrë një rruge të rrezikshme që ka të bëjë me hyrjen pa opozitën në zgjedhje. Kjo e fundit nga ana e saj ka deklaruar se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, dhe kjo gjë u provua në rastin e Kavajës, kur Rama u detyrua të zbythej nga vendimi i tij i mëparshëm për të bërë zgjedhje i vetëm atje.
Yee: SHBA mbështet paketën McAllister
Zv.Ndihmësekretari amerikan i Shtetit, Yee deklaroi në Tiranë se SHBA mbështet paketën McAllister që opozita të futet në zgjedhje. “Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, zoti Fleckenstein dhe zoti McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje. Vetë partitë do duhet të bien dakord për kushtet e duhura për zgjedhje, nëse do të ketë një marrëveshje, një kompromis që do t’i lejonte partitë të merrnin pjesë dhe shpresojmë që do të ketë një marrëveshje të tillë në mënyrë që partitë të marrin pjesë.
Ne nuk besojmë se është në interesin apo në planin e tij që të qeverisë pa opozitën apo, e thënë ndryshe, të jetë pa asnjë lloj opozite konstruktive. Dhe është në interesin e çdo demokracie që të ketë një opozitë të fortë, ajo që ne e quajmë opozitë besnike, me fjalë të tjera, një opozitë që vepron sipas Kushtetutës, brenda ligjeve, që e nxit qeverinë duke propozuar ide të ndryshme, duke kritikuar qeverinë kur ajo gabon, që ushtron trysni ndaj qeverisë që ajo të përmirësohet. E njëjta gjë ndodh edhe në vendin tonë, në Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk do kishte opozitë, ne do të ishim një demokraci më e dobët, dhe unë besoj se Kryeministri e kupton këtë”, tha Yee.

Artikulli paraprakParalajmërimi i Akademikut Fuga
Artikulli tjetërFlluska e rritjes ekonomike në Shqipëri, jemi të fundit në rajon