Rama pastrim parash me tenderin për Rrugën e Arbërit

Ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar dje se financimi i qeverisë për Rrugën e Arbërit është i paqartë dhe se tenderi i shpallur për këtë projekt ka si qëllim pastrimin e parave të drogës. Berisha i është përgjigjur dje një komentuesi në Facebook, i cili kishte ngritur shqetësimin në lidhje me Rrugën e Arbërit. “Përshëndetje zoti Berisha desha të dija nga ju se çfarë mendoni ju për Rrugën e Arbërit dhe diskutimin që po bëhet sot rreth saj, për tenderin që është shpallur nga Rama për Rrugën e Arbërit, rrugë të cilën ju nuk e përfunduat, por i spostuat fondet në autostradën Tiranë-Elbasan”, shkruante komentuesi në reagimin e tij. Në përgjigje të tij, Berisha është shprehur: “Së pari, në vlerësimin tim Rruga e Arbërit, për nga rëndësia e saj, në raportin e shqiptarëve me Tiranën dhe bregdetin, është rruga e dytë më e rëndësishme e kombit. Kjo rrugë afron si asnjë tjetër me 100 km Shkupin me Tiranën dhe u jep dibranëve trajektoren apo lidhjen më të shkurtër me kryeqytetin e vendit. Unë nuk jam dakord me kundërshtitë e specialistëve, sipas të cilëve kjo rrugë në rrafshin ekonomik nuk është fizibël. Ata me të drejtë shprehen se, për të qenë e tillë duhet që të ketë një trafik së paku prej 5 mijë automjetesh në ditë dhe kjo nuk arrihet dot. Mirëpo, këta zotërinj harrojnë se krahas fizibilitetit ekonomik ekziston dhe fizibiliteti kombëtar, më i rëndësishëm se i pari. Po shtoj këtu se një qëndrim të tillë, specialistë vendas dhe të huaj kanë mbajtur edhe për Rrugën e Kombit, aq sa ajo u bë mollë sherri politike midis qeverisë dhe opozitës socialiste. Edi Rama shpalli se Rruga e Kombit ishte rruga e asgjëkundit. Prandaj dhe ai dërgoi në Thirrë grupin e tij parlamentar me autobusa dhe çadra të bllokonte me grevë urie ndërtimin e tunelit. Por aty u dolën fshatarët e Fanit me hunj dhe iu thanë se nuk u lejojmë të vendosni këtu çadrat për të na penguar ndërtimin e rrugës që është jetike për Mirditën dhe të gjithë shqiptarët. Sot përfitimi i Shqipërisë nga ndërtimi i Rrugës së Kombit është rreth 300 ml euro në vit. I bindur se në vlerësimin e leverdisë së Rrugës së Arbërit duhet të mbizotërojë fizibiliteti kombëtar, qeveria ime vendosi ndërtimin e kësaj rruge. Mbi bazën e këtij vendimi, pas përfundimit të projektit, qeveria nisi punimet dhe ndërtoi 32 km e para, në segmentin nga Blaca në Klos dhe segmentin nga Tiranë përtej Shpalit, i cili ishte shkëmbor, me ura, tunel dhe ndër më të vështirët. Pra, u përfundua më shumë se gjysma e Rrugës së Arbërit me urat dhe tunelet e Tujanit dhe Qaf Buallit. Kështu mbetën për t’u ndërtuar edhe 27 km. Në këtë segment të papërfunduar janë dhe dy veprat më të rëndësishme të Rrugës së Arbërit; ura e Vashës dhe tuneli i Qafë Murrizit. Të 32 km e Rrugës së Arbërit janë ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit kurse autostrada Tiranë-Elbasan është ndërtuar me financimin e Fondit të Abu Dabit dhe Bankës Islamike, pra kanë patur financime të ndryshme. Rruga e Arbërit do të kishte përfunduar dhe fondet buxhetore ekzistonin plotësisht, por punimet u ndërprenë për faktin se kompania daneze e konsulencës konstatoi pas studimeve të reja gjeologjike se tuneli i Qafë Murrizit nuk mund të hapej në kuotën e përcaktuar nga projekti dhe se duhej spostuar rreth 100 m më siper. Kjo kërkonte një projekt të ri për segmentin e tunelit dhe Urës së Vashës, e cila në mos gaboj do të jetë dhe ura më e lartë e vendit. Në fillim të vitit 2013 përfundoi projekti i ri, dhe një kompani gjigante kineze tregoi interes, paraqiti ofertë për ndërtimin e saj, me një kredi të butë që do të lëvrohej nga qeveria kineze. Qeveria nisi negociatat dhe ra dakord për termat e kontratës. Edi Rama, ndonëse kishte kundërshtuar gjatë fushatës ndërtimin nga kompania kineze të Rrugës së Arbërit, ra dakord me kompaninë për ndërtimin e saj dhe njoftoi publikisht se Rruga e Arbërit do të përfundonte në vitin 2016 së ndërtuari plotësisht. Por një aferë korruptive midis Ramës dhe kompanisë kineze bëri që qeveria kineze të ndërmarrë një hetim ndaj kompanisë dhe kontrata u anulua. Në katër vitet që kaluan, nga 3.2 miliardë euro investime, që Rama i bëri rrush e kumbulla, do të mjaftonin vetëm 220 milionë euro për të përfunduar 27 km të mbetura të Rrugës së Arbërit, për të cilën ai shpallte çdo vit, gjatë katër viteve të shkuara, se do të fillonte. Lidhur me tenderin e fundit të shpallur nga Edvini për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, mendoj se është blofi dhe tallja e tij e radhës ndaj Dibrës dhe dibranëve. Së pari, kemi të bëjmë me financim të paqartë. Nga mediat ka akuza se ky tender po përdoret nga Rama për të larë para droge dhe kjo është shumë e rëndë. Pa verifikimin e këtyre akuzave projekti mund të bllokohet pafundësisht në çdo moment nga drejtësia. Së dyti, vlerësoj shumë aftësitë dhe kapacitetet e mëdha reale të kompanive shqiptare, por personalisht për tunelin e Qafë Murrizit, që ndërtohet në një zonë gjeologjike problematike dhe urën e Vashës, ndofta ura më e vështirë në konstruksion, mendoj se duhet hapur tender ndërkombëtar dhe përzgjedhur kompani të mëdha me eksperiencë të çertifikuar në ndërtimin e veprave të tilla të vështira dhe delikate. Së fundi, pas shtyrjes së pajustifikuar, pas vitit 2013, prej katër vitesh e fillimit të punimeve në segmentin e pandërtuar të Rrugës së Arbërit, mendoj se për përfundimin e shpejtë të saj, kërkonte ndërtimin e saj me paratë e buxhetit. Vetëm me paratë e buxhetit të shtetit Rruga e Arbërit mund të përfundonte brenda 2.5-3 viteve. Por Rama, një njeri që ushqen një urrejtje patologjike të trashëguar ndaj Veriut dhe Verilindjes së Shqipërisë, nuk mund të prekte buxhetin për ndërtimin e saj”.

 

Artikulli paraprakVokshi: Aty ku mungon shteti ligjor triumfojnë bandat
Artikulli tjetërRinumërohen votat në Prishtinë dhe Prizren