Rama në panik: Po humbëm na pret burgu

Rama ka kërkuar fitore me çdo kusht në zgjedhje duke paralajmëruar se në rast të kundërt i “pret burgu”. I trashur nga zullumet e shumta në këto tre vite dhe i trembur nga ajo se çfarë mund ta presë nga një drejtësi e pakapur prej tij, Rama ka shfaqur dje në mbledhjen e Kryesisë shenja paniku. Ndryshe nga arroganca e fjalimeve të mëparshme, Rama ka filluar të belbëzojë. Fjalët nuk janë të plota, goja i dridhet, batutat ofenduese dhe arroganta i ka harruar. Të gjithë këto shenja jo vetëm të një pasigurie që Rama ka, por edhe  të një dëshpërimi. Kreu i qeverisë kërkon mbajtjen e pushtetit me çdo kusht vetëm që të mos përballet me drejtësinë. Korrupsioni i përhapur në të gjithë sektorët, sikurse thotë Departamenti i Shtetit, koncesionet qindramiliona euro për klientelën dhe vëlla Olsin, tenderat me prokurim të drejtpërdrejtë dhe me fondin limit janë aty dhe Rama e di këtë. Janë aty për t’u gjykuar nga Drejtësia e Republikës së Re, e cila do të funksionojë e pakapur nga lobingjet që tashmë mund të konsiderohen të dështuara të Ramës. Kreut të organizatës kriminale i ka rënë projekti për të kapur drejtësinë dhe tani ka mbetur si peshku pa ujë. Ai është afër ngordhjes. Deklarata e tij e djeshme në mbledhjen e Kryesisë së PS janë të mjaftueshme për të kuptuar se përse ai nuk pranon të lërë pushtetin me zgjedhje të lira. Atë e trembin zullumet dhe e di që e pret burgu.

Raporti për mbledhjen e PS

Kryeministri Rama në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PS-së ka kërkuar mobilizim nga të gjithë anëtarët e kryesisë, për fushatën që pritet të nisë pas pak javësh. Siç raporton “GSH.al”, Rama ka bërë një deklaratë të fortë për të trembur ministrat e tij. “Krahu tjetër nuk e do reformën, e ka treguar edhe përmes çadrës që ka vendosur aty në bulevard. Mos u habisni që edhe para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve të ketë sulme dhe hakmarrje të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dihet që ata nuk e duan reformën”, thonë burimet e kryesisë së PS për “GSH”. “Nëse nuk do të jemi në drejtim të vendit edhe pas 18 qershorit, ta dini se ju do të jeni të parët që do të paguani hakmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne e kemi ndërtuar filozofinë tonë të drejtimit mbi reformën në drejtësi dhe do të bëjmë çmos që ajo të realizohet e zbatohet”, mësohet të ketë thënë Rama. Kjo fjali është interesante se tregon pozicionin ku e ka vendosur veten mazhoranca përballë sistemit të drejtësisë. Duke qenë se ajo synon të shkundë nga themelet të gjithë sistemin, është e ndërgjegjshme se të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët aktualë do ta shohin “me lupë” punën e saj, nëse nuk do të jetë në ekzekutiv. Kjo frazë dëshmon gjithashtu edhe ndërgjegjësimin se drejtësia sot është e mefshtë sepse ka frikë nga ekzekutivi dhe se në një situatë tjetër ajo do ta bënte ndryshe punën e saj. Burimet shtuan se kryeministri është shprehur në mbledhjen e kryesisë që çadra le të merret me 18 shkurtin, ne do të merremi me 18 qershorin. Po kështu, kreu i qeverisë ka kritikuar një pjesë të faktorit ndërkombëtar që sipas tij “kanë ngrehur çadrën e opozitës dhe që nuk janë miq të qeverisë e Shqipërisë”.

Artikulli paraprakRama në hotelin e Klement Balilit, i filmuar nga kamerat
Artikulli tjetërVarfëria, s’ka para, bie konsumi, janë 57 miliardë lekë më pak