Rama i mbyll derën Shqipërisë për në BE!

Reforma zgjedhore e miratuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama është arsyeja kryesore se pse Shqipërisë nuk i është hapur dera e anëtarësimit në BE këtë vit.

Këtë fakt e kanë bërë të ditur burime diplomatike në Bruksel, ku gjatë ditës së sotme është diskutuar për konferencën e para të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut.  

Së paku, 5 shtete anëtare konsiderojnë, se Shqipëria nuk ka përmbushur ende dy parakushtet kyçe ndër gjashtë parakushtet që kërkohen për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Këto dy parakushte kyçe kanë të bëjnë me funksionimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe me aprovimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, zbatimit të saj e transparencën e financimit të partive politike.
 

Për Komisionin Europian mbetet për t’u plotësuar edhe ligji për mediat.

Ndasitë midis Komisionin Europian dhe disa shteteve anëtare për vlerësimin e përmbushjes së kushtëzimit të vendosur për Shqipërinë vazhdojnë.

Mbetet për t’u parë si versioni përfundimtar i draft-konkluzioneve të shteteve anëtare.

Gjithsesi, ajo që i bashkon të gjitha institucionet europiane, është se Shqipëria nuk ka përmbushur ende parakushtet për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

Në momentin kur të 27 shtetet anëtare ranë dakort për detajet e integrimit të metodologjisë së re të zgjerimit në kuadret negociuese, një çështje bilaterale e bëri të pamundur konsensusin në gjirin e tyre.

Bullgaria insistoi që zgjidhja e çështjes së historisë, gjuhës dhe të minoriteteve me Maqedoninë e Veriut të integrohej në kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut. Asnjë prej 26 shteteve anëtare nuk e përkrah qëndrimin e Bullgarisë për të marrë garanci para hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Shumica dërrmuese konsiderojnë se kjo çështje bilaterale mund të zgjidhet gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit, që zgjat me vite. Por Bullgaria nuk heq dorë deri tani nga qëndrimi i saj dhe vendimi për aprovimin e kuadreve negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kërkon unanimitet. Përveç kësaj, duhet që edhe Maqedonia e Veriut të jetë dakort për kuadrin negociues.

Por, pala maqedonase nuk pranon qëndrimin e palës bullgare. Si rrjedhim, aprovimi i kuadreve negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbetet i bllokuar. /AbcNews

Artikulli paraprakPD publikon fakte të reja: Për 2 muaj, Olta Xhaçka përdori 22 herë helikopterin ushtarak për fushatën e PS në Dibër
Artikulli tjetërPacienti me Covid-19 u hodh nga spitali, vëllai publikon fakte tronditëse: Tha më kanë lënë gjithë natën jashtë në urgjencë