Rama i caktoi Arben Ahmetajt 1.1 miliard euro për rindërtimin nga Tërmeti! Pas 4 viteve në arrati

Dje u shënuan katër vite nga tërmeti që goditi vendin tonë, duke lënë të vdekur e sjellë shumë shkatërrime në banesa, biznese apo vepra publike.

Por në të vërtetë tani pas katër vjetësh çfarë është rehabilituar. Në çfazë është procesi i rindërtimit, sa familje kanë mundur të kenë një banesë?

Sipas të dhënave rindërtimi ka kushtuar gati 118 miliardë lekë, ose gati 1.1 miliardë euro me kursin e këmbimit aktual.

Në buxhetin e miratuar në parim për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar edhe 7 miliardë lekë të tjera.

Por a kemi një inventar të punës së bërë? A ka një afat se kur mbaron ky proces?

Sipas konstatimit të Open Data qeveria shqiptare nuk ka ende një inventar ku jemi me përballimin dhe rehabilitimin e pasojave.

Sot pas katër vjetësh nuk kemi ende të dhëna të definuara për:

numrin e familjeve të strehuara përmes Programit të Rindërtimit
veprave publike të rindërtuara,
familjeve të trajtuara me grante individuale,
ecurisë në rikonstruksion për këto raste apo
veprave publike të përfunduara.

Po kështu sipas Open Data Albania, disiplina buxhetore për financimin e këtij projekti është proces i munguar ku asnjë e dhënë planifikimi, grantimi, kontraktimi, alokimi dhe realizimi nuk rakordon me ato çfarë deklarohen.

Çfarë ka ndodhur deri tani sipas të dhënave të disponuara?

Me 17 shkurt 2020 qeveria shqiptare prezantoi në Konferencën e Donatorëve në Bruksel të mbajtur nga Komisioni Europian, nevojën për ndihmë për programin e rindërtimit pas tërmetit me kosto mbi 1 miliard Euro.

Në këtë konferencë donatorët dhe shtete mike duke u bazuar në kërkesat financiare për rikuperim premtuan ndihmë dhe kreditim për shqipërinë si shtet i dëmtuar nga tërmeti në vlerën 1.15 miliardë euro ose rreth 140 miliardë Lekë.

Në vitin e katërt buxhetor të këtij programi 2023, sipas Open Data Albania, buxheti i shtetit ka realizuar konsoliduar deri mars 2023 vetëm 75 miliardë lekë (2022 janë 16.6 miliardë, 2021 janë 29.5 miliardë, në 2022 janë 28,9 miliardë lekë dhe në 2023 vetëm 5 miliardë Lekë).

Ndërkohë përmes 11 bashkive dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim, qeveria ka njoftuar prokurime publike dhe fitues për 856 tendera me fond limit total 96.65 miliardë lekë ku me lidhje kontrate rezultojnë 84.69 miliardë lekë.

Diferenca në rakordim bëhet më e thellë duke analizuar se veç prokurimeve publike, Programi i Rindërtimit ka shpërndarë me grante individuale 11.5 miliardë lekë.

Grant individual plus prokurim publik kërkojnë rreth 108.15 miliardë, ndërsa buxheti i shtetit pa detajuar veprat dhe objektet këtij programi i jep vetëm 75 miliardë. Viti 2024 planifikon edhe 7 miliardë të tjera.

Diferenca mbetet ende dhe asnjë nga Ministrat e Financës që kanë ushtruar detyrën në këtë periudhë nuk ka bërë shpjegime në parlament për mos-rakordime të tilla buxhetore.

Artikulli paraprakQëllohen tre studentë palestinezë pranë kampusit amerikan
Artikulli tjetërDenis Ballazhi, boksieri kuqezi që premton trofe. Kush është “ushtari ilirian”