Rama dorëzon Leskajn dhe Sulin, mbron vrasësin Prenga

Mazhoranca është tërhequr dje nga bllokimi i mandateve të deputetëve socialistë Leskaj dhe Suli, por nuk ka pranuar “dorëzimin” e mandatit të deputetit Armando Prenga, të akuzuar për veprën penale të plagosjes me armë zjarri, duke rrëzuar amendamentin e Partisë Demokratike për ligjin për dekriminalizimin. PS refuzoi dje në Parlament të miratonte amendamentin, i cili largonte Prengën nga Parlamenti automatikisht, duke i siguruar atij mandatin e deputetit.
Amendamenti i PD synonte që ligji për dekriminalizimin të përcaktonte si rast ndalues kur një zyrtar i lartë arrestohet në flagrancë për një krim kundër jetës. Ky amendament u hartua duke marrë shkas nga rikthimi në Parlament i deputetit Armando Prenga, që akuzohet dhe po gjykohet për plagosje me armë. Për anëtarët demokratë, kundërshtitë e mazhorancës për propozimin e tyre, por dhe deklaratat publike se ligji ka elementë antikushtetuesë, i cilësojnë si mungesë vullneti të hapur të mazhorancës për të respektuar dekriminalizimin. Mazhoranca i ka rrëzuar zyrtarisht tre kushtet e opozitës, të cilat ishin kushte për marrëdhënien e tyre me Kuvendin. Opozita vendosi marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin duke kërkuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetëve socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj, amendimin e ligjit për dekriminalizimin, duke synuar ndalimin dhe largimin nga funksioni publik i zyrtarëve që gjatë ushtrimit të mandatit kryenin vepër penale, si dhe mundësimin e funksionimit normal të komisioneve hetimore, duke eliminuar mundësinë e mazhorancës për të bllokuar punimet e këtij komisioni sa herë që hetohen afera apo pazare të qeverisë.
Mandatet e Leskajt e Sulit u mbajtën prej muajsh të bllokuara nga mazhoranca. PD i kërkoi Kuvendit dërgimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen e tyre të papajtueshëm me Kushtetutën. Pavarësisht se shkelja është tërësisht flagrante nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, përsëri mazhoranca në Këshill vendosi që t’i propozojë Kuvendit mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarët e mazhorancës në Këshill, nuk dhanë asnjë argument të vlefshëm për të mbështetur propozimin e tyre. Dje mazhoranca u dorëzua duke pranuar kërkesën e PD. Suli dhe Leskaj rrezikojnë mandatin e tyre për shkak se kanë përfituar para publike përmes kompanive të tyre apo bizneseve të familjarëve të tyre. Në kalvarin e denoncimeve të tenderave, koncesioneve, milionat e shpërndara nga Edi Rama në rrethin e tij të ngushtë është përfshirë edhe deputeti Rakip Suli. OSHEE ka marrë me qira miliona lekë në muaj, një kat të godinës “Aurora Group”, biznes i deputetit Rakip Suli. Me porosi të Ramës, godina që ka në autostradën Tiranë-Durrës, “Aurora Group”, është marrë me qira nga OSHEE. Për një kat në këtë godinë, Rakip Suli, deputeti merr nga OSHEE miliona lekë në muaj. Ligji 9367, pika 1, e nenit 24, ndalon kontratat apo përfitimet me fondet publike edhe për familjarët e deputetit, fëmijët e tij madhorë, siç është në këtë rast me djalin e deputetit Suli. Në dhjetorin e kaluar, PD dorëzoi në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit Rakip Suli, pasi ky i fundit ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHEE. Kjo kërkesë vjen pas dy kërkesave të tjera, për Koço Kokëdhimën dhe Valentina Leskaj, që PD ka kërkuar heqjen e mandatit për shkak se kanë përfituar fonde publike. Janë miliona euro të përfituara nga kompanitë e bizneset e djemve të Valentina Leskajt, para këto të marra nga fondet publike. Sipas fakteve të parashtruara nga Grupi parlamentar i PD, nga verifikimi i procedurave të koncesionit për segmentin hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, rezulton se është shpallur fitues dhe i është dhënë me koncesion 25 vjet bashkimit të përkohshëm të operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Nga të dhënat e QKR rezulton se, shoqëria “Matrix Konstruksion” shp.k. është në pronësi të djalit të deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj. Tani, pritet që Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj mbi fatin e deputetëve që zhvatur paratë publike.

Mazhoranca bllokon komisionet hetimore

Mazhoranca bllokon komisionet hetimore. Parlamenti rrëzoi dje propozimin e PD për ti hequr mundësinë mazhorancës që të bllokojë në të ardhmen punimeve e komisioneve hetimore. Komisionet hetimore të Kuvendit shpeshherë janë bojkotuar nga mazhoranca duke bërë të pamundur edhe kryerjen e punimeve. Propozimi i PD parashikonte disa ndryshime për të bërë që mazhoranca të mos ketë mundësi të bllokojë pa asnjë arsye organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit. Në projektligjin e propozuar parashikohej se mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur:  Marrin pjesë së paku të gjithë anëtarët që i takojnë grupimit politik ku bëjnë pjesë nismëtarët e komisionit.. Komisioni merr vendime me shumicën e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Komisioni voton zakonisht me ngritjen e dorës, përveç rastit kur me kërkesën e të paktën tri anëtarëve kërkohet që votimi të bëhet nominal ose i fshehtë. Kërkesa për hetime ose marrje provash nga çdo anëtar i komisionit pranohet nga komisioni pa votim.  Këto ndryshime sipas Partisë Demokratike bëhen pasi ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik e shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve. Por kjo nismë që do ti hapte rrugën zhbllokimi të punimeve të komisioneve hetimore u rrëzua dje me votat e mazhorancës.

Rama-Meta lënë në fuqi ligjin e kapjes së medias

Me votat e mazhorancës, Parlamenti ka rrëzuar dje kthimin e ligjit për mediat audiovizive nga ana e Presidentit Nishani, i cili i kërkonte Kuvendit rishqyrtim të ligjit pasi ai shkelte dhe cenonte pavarësinë e medias. Ligji u kthye pak kohë parë nga Presidenti, por Parlamenti vendosi dje rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit. Nishani cilësoi se ligji në fjalë binte ndesh me Kushtetutën dhe parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës. Kreu i shtetit jep tri arsye se pse ligji duhet të rishqyrtohet nga deputetët, duke nënvizuar se ligji i mëparshëm ishte në bazë të standardeve evropiane dhe se ishte miratuar me ekspertizën e ekspertëve të Këshillit të Evropës. Në pikën e parë të dekretit, Nishani thekson se mbetet i angazhuar për zbatimin e Kushtetutës dhe plotësimin e rekomandimeve të Komisionit të Bashkimit Evropian për lirinë, drejtimin dhe pavarësinë e RTSH-së. Thelbi i ndryshimit të radhës që ligjit të miratuar në vitin 2013, ishte kuorumi i 2/3 i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, i cili praktikisht kërkon konsensus me opozitën për marrjen e vendimeve. Megjithatë, ligji vazhdon të jetë i bllokuar dhe nuk është zbatuar deri më tani duke lënë Televizionin Publik pa Këshill dhe pa drejtues të zgjedhur. Referuar relacionit të projektligjit dhe raportit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, rezulton se shkaku i ndryshimit ligjor ka qenë pikërisht mosarritja e kuorumit të kërkuar nga ligji për zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së dhe qëllimi ka qenë në drejtim të gjetjes së një zgjidhje fundore. Kreu i shtetit thekson se është e domosdoshme zgjedhja sa më parë e drejtorit të RTSH-së, por shton se po kaq e rëndësishme është edhe pavarësia e transmetuesit publik”. Sipas Presidentit është e kuptueshme që zgjedhja e drejtorit të RTSH-së është e domosdoshme, por pa u cenuar pavarësia e RTSH-së, që mund të ndikohet nga një drejtor politik që nuk është produkt i kompromisit mes anëtarëve të KDRTSH-së të mbështetur nga forcat përkatëse politike”.

Arben Shahini

Artikulli paraprakÇfarë donte hija e Lulzim Bashës në oborrin e Shtëpisë së Bardhë!
Artikulli tjetërFaqja e parë