Rama, 7 milionë euro fermerëve, 15 milionë euro për bileta avioni!

Në sheshin e lirisë u diskutua dje për fermerin shqiptar në ditën e 16-të të rezistencës së qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike. Fermerët të ardhur nga i gjithë vendi folën për vështirësitë e tyre, për mungesën e mbështetjes së qeverisë dhe rrugëdaljet nga ky kaos për prodhimin bujqësor shqiptar. Aureli, një fermer nga Devolli, u shpreh se ndodhet në faliment dhe është detyruar të hedhë qindra tonelata me mollë dhe perime sepse nuk i shiten, pasi ia kërkojnë nën kosto. Ai thotë se deri në vitin 2013 ka qenë aktivist i PD, pasi e mendonte të majtën më afër të varfërve dhe fermerëve.
“Ne si kulturë parësore kemi prodhimin e mollës. Ne kemi investuar mundin e jetës në këto pemëtari sepse kishte leverdi. Rritëm sipërfaqet dhe morëm toka me qira. Subvencione kemi marrë gjatë kohës së qeverisjes së mëparshme. Ne e bëmë pemëtoren me një teknologji të mirë të marrë nga Greqia apo Italia. Çmimet kanë qenë në atë kohë nga 500 lekë të vjetra deri në 700 nga variateti. Çdo mollë shitej dhe nuk kalbej. Nuk mbetej stok. Po sot?! Sot pjesa më e madhe e mollëve hidhet. Qeveritarët thonë që janë rritur eksportet, por nuk llogarisin mollët cilësore, por llogaritin mollën që shkon për lëng në Bullgari, që shkon për 40 lekë të vjetra kur koston e ka 200 deri në 220 lekë të vjetra për kile. Kjo na regjistrohet në dogana si arritje. Sot ka arritur puna që kush nuk ka një pension, nuk ia del dot në fshat. Ne kërkojmë dy gjëra. Ne nuk kërkojmë çmime fikse, por ne e dimë që qeveria ka në dorë të ulë koston. TVSH për imputet bujqësore është 20%, ndërsa në Maqedoni, në Greqi dhe Itali është 6%. Kryeministri na thotë që nuk jemi konkurrues, por si do ta konkurrojmë ne maqedonasin kur e merr naftën me 600 lekë të vjetra, naftën që e merr nga Porti i Durrësit. Tani tallen edhe me njerëzit kur thonë që nuk jemi komunizëm që të vëmë çmim tavan. E vërtetë, por shteti në demokraci është rregullator dhe s’mund të shitet molla me 150 lekë në Devoll dhe 1 mijë lekë në Tiranë. Unë vitin e kaluar kam hedhur 150 kuintalë mollë. Ishin cilësi e parë dhe i mbajtëm 7 muaj në magazinë. Këtë vit kam hedhur edhe 50 kuintalë lakër të cilësisë së parë, kërkojmë të shikohet puna e fermerëve sepse nuk po garantojnë as bukën”, tha ai.
Lulzim Basha tha se fermeri shqiptar po falimenton sepse qeveria nuk jep subvencione sepse ka rritur shpenzimet e saj të luksit.
“Fermerët shqiptarë po harxhojnë më shumë se sa po nxjerrin nga puna e tyre. Pse ndodh kjo?! Aureli e tha fare mirë. Është tallja e Edi Ramës me fermerin, se nuk qenka konkurrues. Po si mund të konkurrojnë me fermerët e BE-së kur ata subvencionohen me qindra miliona euro çdo vit? Po si mund të konkurrojnë kur prodhimet e importit mbysin tregun vendas dhe prodhimet e tyre nuk arrijnë të dalin as me çmimin e kostos për arsyen e thjeshtë se qeveria nuk i mbështet. A e dini sa ka dhënë Edi Rama subvencione për Shqipërinë vitin e kaluar? 7 milionë dollarë për gjithë Shqipërinë. Po a e dini sa ka harxhuar për bileta avioni?! 15 milionë dollarë. Dy herë më shumë para për të hipur menderet e tyre në tajaret e botës se sa subvencione për fermerin shqiptar. Kjo është e vërteta”, tha Basha. Kreu demokrat listoi edhe 12 mashtrimet e Edi Ramës për bujqësinë, duke filluar me hapjen e 150 mijë vende pune në fshat, 5-fishim fondesh për bujqësinë, heqjen e akcizës dhe taksën e qarkullimit, 160 milionë dollarë invetime në ujitje, etj. Sadik Sula, blegtor nga Divjaka tha se, “jemi në kufijtë e ekzistencës. Numri i krerëve në zonën tonë është përgjysmuar sepse çmimi i qumështit është më i lirë se një bidon me ujë. Sëmundja na dëmtoi këtë vit sepse nuk u vaksinuan në kohë dhe këtë do e vuajmë edhe për 3 vitet në vijim. Nuk kemi pasur asnjë subvencion nga qeveria. Më përpara kemi marrë deri në 200 mijë lekë për kokë në gjedhë dhe 50 mijë lekë për të imtat. Nuk dimë kush i merr subvencionet”.
Një agronom nga Saranda u shpreh se sot “nuk ka subvencione. Madje kanë vendosur edhe tatime duke u tallur me NIPT-e për fermerët. Ata duhet të lihen të lirë të punojnë dhe nuk duhet të ketë burakraci e shkopinj në rrota. Imputet bujqësore nuk janë ulur, por përkundrazi kostoja është rritur shumë”.
Një fermer nga Kutallia e Beratit tha se nuk po nxjerr asnjë fitim ndonëse ka investuar në serra, për shkak të çmimeve të larta të imputeve bujqësore. “Kam 15 dynymë serra dhe në 3 vitet e fundit kam dalë edhe me humbje. Kryeministri na premtoi se do të ulte çmimet e plehrave dhe kjo nuk ndodhi. Sot kushton 75 mijë lekë një thes pleh me 25 kile ose 300 mijë lekë një kuintal”, tha ai. Lulzim Basha u shpreh se ka rrugëdalje nga ky kaos në bujqësinë shqiptare duke vënë dorë direkt në ndihmë të fermerëve. “Ka zgjidhje për të dalë nga kjo krizë. Ka rrugëdalje. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme ka një plan zhvillimi për bujqësinë. 150 milionë euro në vit nga të cilat 100 milionë euro do të jenë subvencione të drejtpërdrejta për të gjithë fermerët shqiptarë bazuar mbi prodhimin bujqësor ose blegtoral dhe pa burokraci, pa NIPT, por vetëm me numër identifikimi të çdo fermeri dhe prodhimin e çertifikuar. Do të thotë që për çdo kokë bagëti, për çdo kuintal prodhim, fermeri shqiptar do të marrë mbështetjen që meriton nga shteti, nga republika e re siç bën çdo vend europian me fermerët e tij”, deklaroi Lulzim Basha.

Artikulli paraprakKonfindustria: Barra fiskale nga FMN në këmbim të huasë, dëmtoi investimet
Artikulli tjetërRepublika e re