Rama, 20 mijë USD çdo muaj konsulencë kompanisë amerikane

Partia Socialiste, në bazë edhe të një dokumenti të siguruar nga Opinion.al, ka lidhur një kontratë një vjeçare me studion ligjore amerikane Ballard Partners, me qëllim që studio e njohur amerikane t’i ofrojë shërbime konsulence në planet strategjike që qeveria amerikane ka në raport me atë shqiptare. Kontrata, e cila është firmosur më datën 13.04.2017 nga z. Endri Fuga, drejtor i Komunikimit në Kryeministrinë shqiptare dhe z. Brian D. Ballard President i studios ligjore Ballard Partners, përfshin një bashkëpunim 1-vjeçar midis Partisë Socialiste dhe studios në fjalë, ku Partia Socialiste do të paguajë për të marrë shërbimet e konsulencës një tarifë mujore prej 20 mijë dollarësh në muaj. Kontrata ka hyrë në fuqi më datë 1 prill 2017 dhe përfundon më 31 mars të vitit 2018, ndërkohë që në rast të një prishje të parakohshme të kontratës, pala shqiptare në këtë rast Partia Socialiste, por edhe ajo amerikane, duhet të njoftojnë njëra-tjetrën jo më larg se 30 ditë pas datës 1 shtator. Në kushtet e kontratës, studio ligjore amerikane është e detyruar të furnizojë palën shqiptare në këtë rast Partinë Socialiste me dokumente konsultuese, me të cilat pala shqiptare është e interesuar në raport me qeverinë amerikane. Ku përfshihen probleme dhe objektiva, por pa u kufizuar edhe në vlerësime të marrëdhënies midis SHBA dhe Shqipërisë, si forcimi i institucioneve demokratike dhe shteti i së drejtës, promovimi i Reformës në Drejtësi, aktualiteti i antiterrorizmit, progresi ekonomik si dhe nisma për të rritur apo favorizuar integrimin e Shqipërisë në Europë dhe në strukturat Euro-Atlantike. Ndërkohë që do të jetë detyra e studios për të furnizuar klientin, në këtë rast Partinë Socialiste, me zhvillime të legjislacionit dhe politikave që janë në interes të tyre. Krahas shifrës prej 20 mijë dollarësh që Partia Socialiste do të duhet t’i paguajë studios ligjore amerikane për shërbimet që kjo e fundit duhet t’i ofrojë, kontrata paraqet si detyrim të palës shqiptare, në këtë rast të Partisë Socialiste, që t’i paguajë ekstra studios ligjore edhe shpenzimet e udhëtimeve, hotelin, biletat e avionit, shërbimin e makinave, ushqimin etj.

Artikulli paraprakPolicia bën “kërdinë”, 5200 gjoba në tri ditë
Artikulli tjetërTop Channel apo “Top fake news”