Qytetarët: Nuk do i lejojmë bandat ta marrin sërish peng Kavajën

Gomat e makinës rënkojnë mbi kalldrëmin që ka filluar të lëvizë në qendër të Kavajës. Qyteti i rindërtuar sipas shijeve të kryetarit që iku, duket më shumë si një fotografi e qyteteve të Anadollit Mesjetar, se një rikonstruksion modern i pas dy mijës. Bulevardi në qendër është një masakër nga qarkullimi i makinave. Një mendje e ndritur kish parashikuar që ai të funksiononte si pedonale, por me sa duket Kavaja nuk ka shumë alternativa për sa i përket rrugëve dhe kanë qenë të detyruar ta hapin dhe për qarkullimin e automjeteve. Diku më tej në sheshin qëndror përballë vendit ku ka qenë monumenti i demokracisë, shikohet një banderolë e dalë bojë që dikur duhet të kishte pasur ngjyrat e rilindjes së Edi Ramës. Sot i kanë mbetur vetëm konturet, e lënë në harresë, tamam si premtimet e kryeministrit sikur i bën karshillëk për turp qytetit. Në rrugë ka lëvizje, por jo gjallëri. Dyqanet rrinë hapur, dhe duket sikur të gjithë kërkojnë të shesin, por nuk blen askush. Duket qartë që varfëria është shtruar këmbëkryq dhe dalëngadalë po i vret shpresën njerëzve!
Zgjedhje nuk do të ketë!
Të gjithë besojnë se zgjedhje nuk do të ketë. Madje qyteti duket se nuk është aspak në atmosferë zgjedhjesh. Roshi me pesë emra është në krye të Partisë tashmë, dhe së bashku me ish-kryetarin Gentian Daja, janë sërish të pandashëm. Roshi drejton partinë, ndërsa Daja është krahu i armatosur. Mistrecat e dikurshëm i mbajnë mend që të vegjël, kur bënin ndonjë vjedhje tutje tëhu, por askush si mban mend të kenë bërë ndonjë vit në gjimnazin e qytetit. Si erdhën në krye të qytetit është histori tjetër. Sa për kandidatin, atë e njohin vetëm si njeriun që vulos e firmos ato çka i thotë Roshi. Ka ardhur në vitin 2008, nga emigracioni në Itali, dhe njohjet e hershme me Gentian Dajën e çuan në postin e nënkryetarit të Bashkisë. Të gjithë shprehen se është njeri që sdi të bëjë asgjë, përveç se të jetë ushtar dhe shërbëtor i bindur i bizneseve Daja-Roshi që duket se kanë zaptuar çdo gjë. Agjensitë e udhëtimit, punët publike, ndërtimi, turizmi është në dorë të dyshes së famshme të emëruar nga Rama. Kush nuk bindet duhet të përballet me kërcënimet. Në kushtet kur opozita ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhjet e Kavajës, përballë tij i kanë vënë një kandidat nga partia e Mark Frrokut. Bëhet fjalë për një punonjës të Zyrës së Urbanistikës, që quhet Maksim Koni, i urdhëruar prej dyshes së famshme të kandidojë. Një maskaradë që bëhet hapur në mes të ditës, në emër të të bërit shtet, që Rama e ka shumë për zemër t’a citojë, por që shtet në këtë qytet ka emëruar bandat. Isa Sakja, kryetari i PD-së për Kavajën, thotë se në asnjë rrethanë nuk do të lejohen që zgjedhje farsë të mbahen në këtë qytet. Ai shprehet se koha e Roshëve dhe të tjerëve që mbanin peng qytetin ka perënduar dhe qytetarët e Kavajës janë ndërgjegjësuar për këtë. “Jemi të përgatitur me çdo mjet për të penguar këtë farsë që po përgatit pushteti në qendër. Ata e dinë mirë forcën dhe idealin e qytetarëve të Kavajës, prandaj të mendohen para se të marrin vendime”, shprehet Sakja.

Pushteti i bandave

Askush nuk di të thotë se sa ka vjedhur Roshi në këtë qytet nga fondet publike. Dinë që shuma është e madhe dhe narkotrafikanti i dikurshëm nuk është mjaftuar vetëm me paratë që i vijnë nga droga. Por ama, të gjithë dinë të thonë për biznesin e tij të ndërtimit, dhe pallatet që ka ndërtuar jo vetëm në qytet. Emri i Roshit del gjithandej. “E shikoni atë pallat atje, ai është i Roshit. E ka ngritur m’u përballë agjensisë së autobuzëve, në pjesën më të populluar ku dhe paraja lëviz më shumë. Dhe investimet aty po i përqendron. Kërkojnë dhe votime këta. Të vijnë pa do e shohin, se e njohin mirë revoltën e Kavajës”, na thotë Ilmiu, një burrë rreth të gjashtëdhjetave që iu bashkua bisedës sonë. “Unë kam qenë një ndër votuesit e tij në mandatin e parë. Kavaja është qytet i vogël, dhe ndikojnë shumë faktorë, lidhjet familjare, interesat e të tjerat me radhë. Por sot të them të drejtën më vjen turp që kam votuar për të. Herën e dytë nuk votova, por ai gjithsesi fitoi. Eh, u hodh para e madhe, para droge, dhe varfëria ta ul kokën or çun”, na thotë teksa dredh cigaren. Qytetarë të tjerë na tregojnë, se në çdo cep të administratës, janë vendosur narkotrafikantë, duke bllokuar çdo gjë në këtë qytet. Ujësjellës, arsim, punët publike e të gjitha me radhë, duke mos lënë asnjë hapësirë për qytetarët. Kjo ka futur qytetin në ngërç, pasi paraja përqendrohet ose në duart e Roshit dhe të tijve ose në kompanitë klienteliste. Në pjesën perëndimore të saj, Karpen, Qerret apo Golem, bandat veprojnë kryesisht në biznesin e ndërtimit, ndërsa në pjesën lindore të tij, në kufi me Tiranën viti 2016 shënoi mbjellje rekord droge.

Hile skandali me 3 milionë euro në përroin e Leshniqes

Duke dalë nga Kavaja për të shkuar në Qerret, patjetër që do hasësh rrugës dhe përroin e Leshniqes. Në këtë përrua nga ana e Bashkisë së Roshit, janë akorduar 3 milionë euro, për një kanal vetëm 2.5 kilometra të gjatë. Tenderi është fituar më 19 qershor, dhe afati i përfundimit duhet të ishte muaji janar i këtij viti, pra për shtatë muaj. Sipas projektit, parashikohej që të shtroheshin të dy krahët e kanalit me rrugë. Por nga një vëzhgim, pamë se nuk ishin përfunduar as 20% e punimeve atje. Rruga ishte në gjendje skandaloze, ndërkohë që një krah i kanalit ishte i paprekur, dhe ska ndërmend të përfundojë as brenda këtij viti. Gjendja e plazhit ishte skandaloze dhe sot pas nëntë muajsh, punimet kishin mbetur në vend numëro. Burime nga Bashkia e Kavajës, bëjnë me dije se jemi përpara një skandali të madh, ku tjetër është thënë në letër dhe tjetër po zbatohet me qëllim përfitimin e fondeve nga ana e Roshit. Janë 3 milionë euro që janë dhënë për një kanal vetëm 2.5 kilometra të gjatë, ku vlera e punimeve i kalon një milion eurot për kilometër. Me një shumë të tillë, për kilometër, në botë shtrohen autostrada, të cilat përmbajnë dhe vepra arti si për shembull ura apo tunele, ndërsa Roshi po i përdor vetëm për hapjen e një kanali, të cilin e ka paraqitur si historik, ku janë ndeshur Pompei me Çezarin. Në fakt, sipas të njëjtave burimeve, Roshi po investon vetëm aty ku ka bizneset e tij të ndërtimit, siç është dhe rasti i shëtitores në Golem, ku dyshohet se së bashku me kryeministrin thuhet se janë ortakë në disa biznese atje. Në shëtitoren e Golemit, sërish shifra është stratosferike, që kap vlerën e 4,.2 milionë eurove.

Tokat e Karpenit, asnjë gjurmë nga porti i famshëm

Rreth pesë kilometra nga Kavaja, ndodhet fshati Karpen. I vetmi investim në këtë fshat dhe ky pjesë e Bashkisë së Kavajës, është vetëm rruga e ndërtuar në vitin 2013 nga qeveria e Partisë Demokratike. Por, nuk ishte ky qëllimi i vizitës sonë atje, por vendi ku sipas qeverisë Rama do të ndërtohet porti i famshëm një investim 5 miliardë dollarë, nga një kompani fantazëm me qendër në Hong Kong. Askush nga banorët nuk di të thotë se ku do të ndërtohet porti. Sadriu, një nga banorët e fshatit i ardhur nga Lura na tregon se në Karpen tokat janë ndarë me Ligjin 7501, ndërkohë që kohët e fundit më shumë se investimet në port po vihen re investimet në turizëm. Që prej më shumë se 15 zona konsiderohet me përparësi turizmi, madje në disa vende nuk kanë munguar as investimet nga privatët. Sivjet na tregon Sadriu për shembull, në afërsi të vendit ku do të ndërtohej porti, toka është rrethuar nga një kompani dhe është dhënë leja për fshat turistik. Pak më tutje janë ngritur dy hotele të tjerë, ndërsa në det janë hedhur blloqe të mëdha betoni për të shmangur erozionin e detit. Dhe ky investim i bërë nga vetë privatët. Vetëm investime për ngritje porti nuk dukeshin kund. Në fakt, pretendimet për ngritjen e një porti vetëm pak kilometra larg portit më të madh në vend atë të Durrësit mbartin dyshime të mëdha, që ka të bëjë me grabitjen e tokave në këtë zonë dhe korrupsionin. Së fundmi, Ministria e Ekonomisë në kuadër të një analizë pune për vitin 2016 ka bërë me dije se procedurat e zgjatura nga Avokatura e Shtetit sollën mosrealizim e projektit “Projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”. Projekti i shpallur në fundverën e vitit të kaluar ngjalli mjaft interes dhe mbi të gjitha skepticizëm, pasi  projektligji për ndërtimin e një porti gjigant në Karpen të Kavajës, me vlerë 5 miliardë dollarë ishte sa gjysma e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë. Projekti, sipas draftit parashihte investim në një port të thellë që mundëson hyrjen e anijeve tregtare, zonë ekonomike dhe logjistike dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase), duke mundësuar hapjen e 70 mijë vendeve pune. Por projekti nuk u shoqërua me një plan financiar të qartë për mënyrën se si do të financohej. Mediat zbuluan se projekti zotërohej nga një grup kompanish ofshore. Ministria e Ekonomisë më tej në analizën e saj per punën me 2016 ndalet në faktin se shpenzimet për investime janë realizuar në masën 81%.

Artikulli paraprakMasakra, zv/presidentja e PE : Mos e prekni Vjosën
Artikulli tjetërBushati: Shqipëria, pjesë e Jugosllavisë së re ide e Ramës