Qytetarët kanë paguar miliona euro për energji të pashpenzuar

Nga vitit 2012 e deri më tani, konsumatorët në pjesë të tjera të vendit kanë paguar nga mbi 8 milionë euro për humbjet komerciale në veri të vendit. Sipas statistikave, vetëm në veri, humbjet komerciale shkojnë deri në 4.5 për qind, ndërkaq shuma totale e kësaj pagese shkon në mbi 40 milionë euro, që nga viti 2012. Por, përveç veriut, me humbjet komerciale konsumatorët janë edhe më keq. Në total sipas ZRRE-së, humbjet komerciale të energjisë elektrike shkojnë në 16.65 për qind. Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë matematikore, del se humbjet në pjesën tjetër të vendit, pa veriun janë 12 për qind, e nga viti 2012 për këto humbje komerciale konsumatorët janë ngarkuar me 24 milionë euro në vit.
Pra në total, vetëm për humbje komerciale, konsumatorët janë ngarkuar me energji të pa shpenzuar për një periudhë rreth 10- vjeçare me 240 milionë euro. Ndërkaq, nëse i llogarisim bashkë, si humbjet komerciale edhe ato të paguara për rrymën e shpenzuar në veri, i bie që konsumatorët e rregullt të kenë paguar 280 milionë euro fatura të energjisë, të pa shpenzuar nga ata.
Humbjet komerciale janë treguar problem shqetësues edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Këto humbje, sipas një draft-raporti të këtij institucioni për vitin 2016, të cilin e ka siguruar Telegrafi, shkojnë në 16.65 për qind në tërë vendin.
“Shqetësuese mbeten humbjet komerciale, që janë mjaft të larta, të cilat përbëjnë 16.65% të konsumit total në shpërndarje. Nga kjo, energjia e pa faturuar në pjesën veriore të Kosovës (252 Gwh) përbën rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes, pjesë kjo ku dominon minoriteti serb, ndërsa krahasuar ndaj humbjeve komerciale në shpërndarje përbënë 31.5%”, thekson Draft raporti i ZRRE-së për vitin 2016.
E, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për “Telegrafin” ka thënë se është e padrejtë që qytetarët të ngarkohen me diçka që nuk e kanë shpenzuar. Sipas tij, çdo ngarkesë që i është bërë qytetarëve me fatura të energjisë elektrike duhet kompensuar. “Do të duhej që ky kompensim për pagesën e bërë t’u kthehej qytetarëve. Kam tentuar që të kursej qytetarët dhe këtë e kam marr (si obligim) si avokat i popullit për të bërë padi, në kompensimin e dëmit që është shpenzuar. Kjo barrë që i është bërë qytetarit t’i kompensohet në faturat e ardhshme”, ka thënë Jashari.
Deri në shqyrtimin përfundimtar, sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullim do të duhej të gjente zbatim të menjëhershëm nga ZRRE-ja. “Vendimi i pezullimit nga Gjykata do duhej të merrte zbatim të menjëhershëm, sepse ka marrë formën e prerë, kuptohet në ankimim dhe procedurë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari. Se konsumatorët ngarkohen në mënyrë të paligjshme e pranojnë edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në profilin tij në Facebook, ka thënë se nuk pajtohet që konsumatorët të ngarkohen paligjshëm me faturimin e energjisë elektrike nga mos pagesa në veri. Por mos pagesa sipas tij, nuk duhet t’u faturohet konsumatorëve, të cilët paguajnë faturat.

Artikulli paraprak48 milionë euro më shumë taksa për 2018
Artikulli tjetërPensionet, fshati braktis skemën