Qytetarët, 6 muaj afat të deklarojnë adresën e shtëpisë

Për të bërë deklarimin e adresës së shtëpisë, qytetarët do të kenë 6 muaj afat. I ftuar në emisionin “Box to Box”, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Vango Stavro dha detaje mbi nismën e re ligjore të Ministrisë së Brendshme “Për sistemin e adresave”.

Pasi të informohen përmes faqes “Adresari.mb.gov.al”, që do të jetë funksionale prej fillimit të vitit që vjen, qytetarët do të kenë 6 muaj afat që të regjistrojnë të dhënat e tyre pranë zyrave të Gjendjes Civile. Regjistrimi do të kryhet online, përmes portalit qeveritar E-albania. Ata të cilët nuk përmbushin këtë detyrim, paralajmëroi Stavro nuk do të mund të marrin shërbime publike.

Në regjistër do të pasqyrohen të dhënat për emrin e bashkisë, numrin e njësisë administrative, emrin e rrugës, numrin e pallatit dhe atë të banesës. Ndërkohë që risi është pajisja e qytetarave me një kod unik në të cilin do të jenë të pasqyruara këto të dhëna.

I gjithë procesi do të kërkojë një koordinim mes qyetarëve dhe institucioneve, ndërsa vendosja e tabelave dhe përmirësimi i sinjalistikës do të jenë kompetencë e bashkive dhe konkretisht e zyrave të urbanistikës.

Nëse këto të fundit nuk përmbushin afatet ligjore do të përballen me penalitete, që në këtë rast është gjobë, e cila do t’i faturohet kryebashkiakut. Risi në këtë draftligj është edhe fakti që do të ketë një adresë të vetme për çdo familje, ç’ka do të thotë se adresa do të jetë bazuar në certifikatën familjare. Nëse një anëtar largohet, apo zhvendoset nga banesa, në çdo rast duhet të raportojë adresën e re, edhe atëherë kur vijon të jetë pjesë e trungut.

Artikulli paraprakZyrtari i BE-së jep lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës: Ja kur do të hiqen vizat
Artikulli tjetërSHËNIM/ Sherri në Parlament është loja për të fshehur dështimin e Revolucionit