Qeveria ul taksat për oligarkët, i rrit për qytetarët

Një numër shumë i vogël biznesesh në Shqipëri do të përfitojnë ulje taksash vitin e ardhshëm, ndërsa barra për qytetarët do të rritet minimalisht me 120 milionë euro. Sipas variantit zyrtar të paketës fiskale 2018, qeveria do të ulë nga 15 për qind në 5 për qind Tatim-Fitimin për hotelet luksoze me 5 yje, ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve do të paguajnë qindra milionë euro më shumë për shkak të shtrirjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe tek biznesi i vogël, si dhe rëndimit të taksës së pronës.

Paketa fiskale
Procesi i negocimit të paketës së re fiskale nuk është bërë publik, por qeveria e argumenton uljen e taksave për hotelet luksoze si një masë për të nxitur investimet në sektorin e turizmit. Përfituesit e kësaj mase janë një grusht fare i vogël biznesesh. Ndonëse aktualisht Shqipëria nuk ka një renditje zyrtare të hoteleve dhe resorteve turistike, është e qartë se cilat nga hotelet ekzistuese do të jenë përfituesit e uljes drastike të taksave. Paralelisht përfitues do të jenë edhe hotelet apo resortet e reja që po planifikohet të ndërtohen në Shqipëri, jo rastësisht edhe këto nga biznese të afërta me qeverinë. Mesa duket këto biznese e kanë bindur qeverinë që t’ia ulë taksat, një histori e pastër klientelizmi, e cila përsëritet vit pas viti.

FMN kundër
Ulja e taksave për hotelet luksoze është kundërshtuar ashpër nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë diskutimeve për paketën e re fiskale para disa muajsh. Ekspertët e FMN kanë kërkuar që tatim-fitimi për hotelet të mos ulet, por as kundërshtimi i tyre nuk ka mjaftuar për të ndalur qeverinë. Uljet selektive të taksave për bizneset afër qeverisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit kanë shqetësuar jo pak Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në më shumë se një herë FMN i ka bërë thirrje publikisht që të ndalë përjashtimet tatimore, por edhe këtë herë, paketa fiskale ka të njëjtën filozofi. Ulje taksash për klientët e qeverisë dhe rritje për qytetarët.

Syri.net

Artikulli paraprakÇfarë sjell fitorja e SHBA kundër ISIS
Artikulli tjetërMe krimin në partner, qeveria terror bizneseve dhe qytetarëve