Qeveria teknike, e vetmja zgjidhje

Deputeti austriak, Michael Hammer iu bashkua dje protestës së opozitës për zgjedhje të lira në ditën e 49 të protestës në sheshin e lirisë. Deputeti austriak, një njohës i mirë i zhvillimeve politike në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri, deklaroi dje se qeveria teknike mbetet e vetmja zgjidhje për kapërcimin e krizës politike në kushtet kur besimi tek qeveria aktuale ka rënë.
“Siç e shikoni edhe ju, ka ardhur momenti që besimi për qeverinë aktuale nuk është i madh, ndaj është momenti të gjejmë një alternativë tjetër për zgjedhje të lira. E vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri teknike.
Vendi im është një mbështetës shumë i fortë për Ballkanin dhe Shqipërinë. Dhe ne jemi për një Shqipëri europiane sa më shpejt. Por duhet të kemi parasysh që për Shqipërinë, gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ndjekë detyrat e Bashkimit Europian dhe një ndër to është zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Është shumë e rëndësishme të bëhet reforma zgjedhore, si dhe që procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet në mënyrë objektive”, tha Hammer.
Deputeti austriak shprehu shqetësim në lidhje me problemin e drogës. Ai tha se ky tashmë nuk është vetëm një problem për Shqipërinë, por edhe për Europën. Hammer beson se vetëm një qeveri teknike mund të eliminojë të gjithë faktorët që ndikojnë tek rënia e zgjedhjeve të lira.
“Unë kam folur shumë shpesh me qeverinë duke i kërkuar asaj që lufta kundër drogës dhe korrupsionit të jetë më e fuqishme. Po ashtu, dekriminalizimi të bëhet dhe po ashtu, reforma në drejtësi të marrë rrugë. Kanabisi juaj nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën, por është momenti që ta mposhtim atë”, tha Hammer.
Deputeti austriak u shpreh se zgjedhjet e lira nuk mund të jenë një privilegj, por janë një detyrim për shoqëritë demokratike. “Dëshiroj të theksoj që elementi më i rëndësishëm i një demokracie moderne janë zgjedhjet e lira. Nuk është një e drejtë e qytetarëve të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por është detyrim për ta që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme”, tha ai.
Deputeti austriak deklaroi se në rast se në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira, atëherë fitorja do të jetë në anën e opozitës. Ai shprehu besimin se pas zgjedhjeve të lira, Shqipëria do të ketë një kryeministër të ri dhe ai do të jetë, Lulzim Basha.
“Jam shumë i nderuar që kam ardhur këtu tek ju si një mik i Shqipërisë dhe si mik i shqiptarëve dhe mbi të gjitha, si një mik i Partisë Demokratike shqiptare. Z. Basha më kërkoi që unë të vij e të tregoj mbështetjen time në një çështje kaq të rëndësishme për ju, siç është demokracia dhe zgjedhjet e lira.
Që nga viti 2011 kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, kam patur takime me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, z. Berisha dhe me z. Lulzim Basha, e në atë periudhë, kam vënë re se si Shqipëria është zhvilluar nga ana kulturore, ekonomike dhe industriale dhe jam i lumtur që Shqipërinë ta mirëpresim në Bashkimin Europian. Kjo ka qenë një periudhë e mirë për Shqipërinë, por unë pres që një periudhë akoma më e mirë të vijë me një kryeministër të ardhshëm, si z. Lulzim Basha.
Një Shqipëri demokratike ka nevojë për zgjedhje të lira dhe për media të lirë, por Shqipëria nuk i ka të tilla. Ju falënderoj që jeni këtu prezent për të mbështetur zgjedhjet e lira.
Unë dhe partia që përfaqësoj do të jemi një mbështetje e madhe dhe pak më vonë do të ketë një tjetër përfaqësues nga Austria në mbështetje të Shqipërisë. Nëse vërtet në Shqipëri do të ketë këtë herë zgjedhje të lira, atëherë patjetër që do të ketë një qeveri të drejtuar nga Lulzim Basha.
Unë jam i sigurtë që herën tjetër që do të vij në Shqipëri, Lulzim Basha si kryeministër do të ketë bërë gjithçka të mirë për ju”, tha Hammer.

Enton DACI

Artikulli paraprakBB: Në katër vite pagat u ulën, 45.5% e shqiptarëve në varfëri
Artikulli tjetërAlarm! Kosova po zbrazet