Qeveria stimulon rritjen e çmimeve për inflacionin

Çmimet e mallrave të konsumit janë rritur me ritme më të larta gjatë vitit 2017. Sipas INSTAT, rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2017 është 2,0% nga 1,3% që ishte në vitin 2016.
Ndërsa në muajin dhjetor 2017, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,8%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2%.
Duke marrë në konsideratë deklaratat e përmuajshme të INSTAT gjatë gjithë vitit 2017, rolin kryesor në rritjen e inflacionit e ka pasur ndryshimi i çmimeve të ushqimeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve ka përbërë më shumë se 80 për qind të inflacionit vjetor.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor 2017 është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,13 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,45 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin dhjetor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vihet re në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,2%, “Transporti” me 2,1%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” me nga 0,6 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5% secili, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 20,1%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,5%, “zarzavate përfshirë patatet“ me 3,5%, “mish” me 1,7%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,8%, etj.
Ndryshimi mujor i indeksit është +1,0%. Krahasuar me muajin nëntor 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 1,3%, grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%. Çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shëndeti” shënuan një ulje prej 0,1% secili.

Artikulli paraprakDeficiti tregtar kalon mbi 2 miliardë euro
Artikulli tjetërBanka Botërore konstaton korrupsionin me ndërtimin e rrugëve