Qeveria pranon korrupsionin

Në kuadër të rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe integrim në pesë vitet e ardhshme deri më 2020, qeveria ka artikuluar se dobësitë në administratën publike dhe korrupsioni me format e veta të shumëfishta janë pengesat themelore për jetësimin e reformave. Në draftin e SKZHI 2015-2010 që tashmë është në një proces konsultimi qeveria ka shpallur 6 prioritet e mëdha për pesë vitet në vijim të cilat fokusohen në:
1-Shërbime publike inovatore, që kanë në qendër qytetarin (qeverisja e mirë);
2-Efikasitet në koston e furnizimit me energji elektrike (energjia);
3-Nxitja e novacionit dhe konkurrueshmërisë (investimet e huaja direkte dhe të brendshme);
4-Menaxhimi i integruar i ujit;
5-Rritja e qëndrueshmërisë së tregjeve të tokës (sistemet e tokës dhe prona
6-Reforma strukturore.
Mirëpo në dokument thuhet se qeveria përballet me një numër risqesh gjatë zbatimit të SKZHI-II dhe vonesash në realizimin e vizionit të saj për zhvillim kombëtar dhe integrim në BE. Në analizën e posaçme thuhet se pjesa dërmuese e këtyre risqeve konsiston në nivele të brendshme dhe mikro apo sektoriale (si p.sh. risqe sociale, të tregut, të mjedisit, shëndetit, kredisë etj). Hartuesit e dokumentit që është publikuar nga Ministria e Ekonomisë pohojnë se, paraqesin një rrezik të lartë për reformat kufizime të thella të kapaciteteve përthithëse në radhët e Administratës Publike dhe Shërbimit Civil, të cilat mund të sjellin si pasojë vonesa të mëdha, cilësi të dobët të zbatimit të SKZHI-II dhe përfitime të ulta për investimet për fonde zhvillimi. “Kufizimet për koordinimin dhe zbatimin e politikave mund të çojnë në keq akordim të fondeve, të rrisin konkurrencën e brendshme për burime, mund të çojnë në duplikime, vonesa në vendim-marrje apo mungesë efikasiteti në vendim-marrje dhe humbje të fokusit strategjik në përgjithësi nga ana e qeverisë”, thuhet në dokumentin themeltar të politikave të zhvillimit. Gjithashtu korrupsioni me format e veta të shumfishta, paraqet elementë me rrezik të lartë dhe mund të pengojë zbatimin e të gjitha reformave, duke përfshirë edhe vetë ato që kanë të bëjnë me Administratën Publike dhe Shërbimin Civil.
Ekziston një risk që burimet e disponueshme qoftë si fonde, ashtu edhe si burime njerëzore të mos jenë të mjaftueshme, në veçanti në lidhje me përpilimin dhe zbatimin e reformave madhore. Përformanca e dobët e Shërbimit Civil gjithashtu mund ta pengonte zbatimin, për shkak të hapësirës së kufizuar për shpërblim, vlerësim të performancës dhe mundësive për t’u ngritur në detyrë, trajnimeve dhe zhvillimit etj. “Politizimi i Shërbimit Civil mund të pengojë zbatimin e SKZHI-II përmes lëvizjeve të vazhdueshme të personelit (sidomos në nivelet e larta); dhe në rastin e medias dhe Shoqërisë Civile, politizimi mund të pengojë zhvillimin e demokracisë në përgjithësi” thuhet në gjetjet e qeverisë për rreziqet që kanosin reformat për zhvillimin e vendit.

Artikulli paraprakAFP: Si e kanë shkatërruar islamikët Palmirën
Artikulli tjetërTaksim dyfish bizneseve me NIPT-e sekondare dhe banesave